E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Liberalizimi i vizave brenda vitit 2009

 

Bashkimi Evropian do të liberalizojë vizat me Shqipërinë brenda vitit 2009. Këtë e konfirmoi dje Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, në përfundim të takimit të mbajtur në Çeki mes Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor. Duke folur në një prononcim për mediat, kreu i diplomacisë shqiptare u shpreh se “është njohur gjerësisht rëndësia e këtij procesi për paqen dhe stabilitetin në rajon, për përparimin e mëtejshëm të rajonit drejt BE-së, dhe nëpërmjet rritjes së kontakteve midis qytetarëve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të zonës ‘Schengen’ të BE-së dhe në këtë kuadër, siç u shpreh dhe komisioneri Rehn gjatë punimeve ka një optimizëm për sa i përket përfundimit me sukses të këtij procesi brenda parametrave kohorë të shprehur tashmë që është fundi i këtij viti”. Në të njëjtën kohë, ai bëri të ditur se gjatë takimit gjeti mirëkuptimin për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE dhe fazën tjetër të këtij procesi, që ka të bëjë me aplikimin për marrjen e statusit të vendit kandidat. Ministrat e Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian rikonfirmuan perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, mbështetur në axhendën e Selanikut dhe shmangën çdo mëdyshje për sa i përket afrimit të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së dhe duke e konsideruar integrimin e tij të plotë në Union si vitale për stabilitetin e prosperitetin e rajonit dhe vetë Evropës. Sipas njoftimit për shtyp të Ministrisë së Jashtme shqiptare, “Ministrat e Punëve të Jashtme të pranishëm në këtë takim diskutuan edhe mbi krizën financiare dhe ekonomike. Në këtë kontekst, duke u bazuar edhe në argumentet dhe kërkesat që ministrat e rajonit shprehën gjatë mëngjesit të punës me Zv.Kryeministrin Çek, Aleksandër Vondra, u ra dakord për një paketë ndihme prej 150-250 milionë euro në mbështetje të ekonomive të vendeve të Ballkanit Perëndimor”. Gjatë fjalës së mbajtur në takim, ministri Basha theksoi se “Shqipëria është e vendosur të vijojë rolin e saj konstruktiv në rajon, si një faktor moderimi, stabiliteti, dialogu e tolerance. Ajo mbetet e përkushtuar ndaj bashkëpunimit rajonal e do të vazhdojë të kontribuojë në projektin evropian e euro-atlantik të rajonit me të gjitha mjetet e mënyrat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›