E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruli: Nuk jemi të prekur nga kriza ekonomike

 

Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli tha dje në Gjirokastër se Shqipëria nuk është e prekur nga kriza ekonomike. Duke folur në një televizion lokal, Ruli theksoi se  Shqipëria vazhdon të ketë qëndrueshmëri ekonomike, rritje të standardit të jetesës, si dhe investime nga biznesi i huaj. “Të bësh një propagandë për krizën do të thotë se po bën një politikë keqdashëse me shqiptarët. Kjo strategji nuk ka për të ecur. Qeveria e djathtë ka marrë të gjitha masat për të përballuar efektet e krizës globale, duke grumbulluar burime të mjaftueshme financiare dhe duke ndërmarrë politika lehtësuese për biznesin”, theksoi Ruli. Siç u shpreh ai, është e vërtetë që kriza ekonomike ka prekur shumë vende të Ballkanit, por kjo nuk mund të “infektojë” Shqipërinë, pasi Banka e Shqipërisë ka ndjekur politika të qëndrueshme me bankat e nivelit të dytë. Duke u ndalur tek investimet e realizuara gjatë mandatit qeverisës së PD-së, ministri u shpreh se “gjatë katër viteve është investuar pesë herë më shumë se sa qeveria 8-vjeçare e Partisë Socialiste, një tregues sintetik që shpreh edhe një herë mundësinë e Shqipërisë për t’u futur në strukturat e Bashkimit Evropian”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›