Obot, kërkohet shpagim për përmbytjen e tretë
Tashmë që edhe përmbytja e tretë duket se mbaroi punë me Nënshkodrën, fermerët kërkojnë sërish komisionet e verifikimit të dëmeve, për të vlerësuar dëmin që shkaktoi përmbytja e fundit.
Një nga zonat më të dëmtuara nga përmbytja edhe herën e tretë ishte Oboti. Banorët e kësaj zone shprehen të revoltuar në lidhje me dëmin e shkaktuar në të mbjella nga përmbytja e tretë. Një nga banorët e Obotit, Ndoc Toma, thotë se “kërkojmë nga qeveria, pasi dhe na u premtua, që të nisin punën grupet e verifikimit për të na vlerësuar dëmet tepër të mëdha që na janë shkaktuar në të mbjella. Në kohën kur kujtuam se nuk do kishim më përmbytje nisëm dhe punuam tokën, duke filluar jetën, por pas disa ditësh sërish u përmbytëm. Shteti duhet të merret me ne, pasi nga shkatërrimi i të mbjellave nuk kemi ushqimin e planifikuar për bagëtitë dhe për vete”. Përmbytja e fundit në zonën e Nënshkodër mbuloi me ujë mbi 1500 hektarë tokë bujqësore.