PD e PS harrojnë komisionet për Ramën dhe Kuvendin
Dy partitë e mëdha “harrojnë” hetimet parlamentare. Pavarësisht zhurmës së madhe, që u bë vetëm tre javë më parë, për ngritjen e dy komisioneve hetimore parlamentare, asnjëri prej tyre nuk ka nisur të punojë. Ndërsa komisioni i kërkuar nga socialistët, për veprimtarinë administrative të Kuvendit, është ngritur por nuk është konstituuar megjithëse kanë kaluar dy javë, nisma e demokratëve për hetimin e kryebashkiakut Edi Rama duket se ka mbetur thjesht një ide, pasi për këtë gjë nuk është hartuar asnjë kërkesë zyrtare.
Kërkesa e PD-së
Megjithëse jo në mënyrë zyrtare, demokratët paralajmëruan gati tre javë më parë ndërmarrjen e një nisme për hetimin e pasurisë së kryetarit të opozitës dhe njëkohësisht kryetar i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Por ndërsa të gjithë menduan se kjo do të përbënte hetimin e tretë të kryebashkiakut Edi Rama, në prag fushatash zgjedhore, nisma deri më sot nuk është konkretizuar. Madje burime pranë mazhorancës kanë bërë të ditur se ajo nuk do të konkretizohet, as në ditët në vijim dhe kjo pasi demokratët kanë hequr dorë nga një praktikë e tillë, e ndjekur thuajse në mënyrë sistematike, në dy zgjedhjet e fundit vendore. Sipas të njëjtave burime mësohet se kemi të bëjmë me një tërheqje nga ngritja e një komisioni të tretë hetimor për kryesocialistin Edi Rama dhe kjo për të ndjekur së pari një praktikë të ndryshme nga dy herët e mëparshme, por edhe për të mos i dhënë kësaj fushate një arsye më shumë për të qenë e tensionuar.
Hetimi i PS
Por ndërsa demokratët janë tërhequr nga kërkesa e tyre, socialistët nga ana tjetër kanë vendosur ta shfrytëzojnë hetimin parlamentar, edhe në kuadër të fushatës elektorale. Në kundërshtim me ligjin, i cili përcakton se një komision hetimor duhet të konstituohet tre ditë nga momenti i miratimit të tij në Kuvend, socialistët, që kanë dhe drejtimin e tij, nuk kanë vendosur ende ta thërrasin mbledhjen e parë, megjithëse kanë kaluar afro dy javë nga dita e votimit në Kuvend. Burime nga PS kanë bërë të ditur se kjo zvarritje është e qëllimshme, pasi kërkohet që ky komision hetimor ta zhvillojë aktivitetin e tij gjatë fazës së fushatës elektorale dhe mundësisht sa më afër ditës së zgjedhjeve. Kuvendi miratoi dy javë më parë, me shumicë votash, kërkesën e 35 deputetëve socialistë për të hetuar drejtimin dhe veprimtarinë e organeve drejtuese dhe shërbimeve të Kuvendit për periudhën shtator 2005 - dhjetor 2010. Ndryshe nga sa kishin paralajmëruar deputetët socialistë, në objektin e hetimit nuk përmendet emri i kryeparlamentares Jozefina Topalli, pasi në të flitet vetëm për funksionet drejtuese dhe jo për emrat konkretë. Komisioni hetimor ka 11 anëtarë, 5 nga opozita dhe 6 nga mazhoranca, me drejtimin e Erion Braçes. Më konkretisht, Ilir Beqja, Damian Gjiknuri, Erion Braçe, Ermonela Felaj dhe Arben Isaraj nga socialistët, dhe Jemin Gjana, Edi Paloka, Fatos Beja, Paulina Hoti, Viktor Gumi dhe Edmond Spaho nga PD. Ndërkohë, që koha brenda të cilës duhet të veprojë ky komision do të jetë 4 muaj. Objekti i hetimit të këtij komisioni është i përbërë nga gjashtë pika dhe kryesisht mbi dyshimet mbi fryrjen e shpenzimeve financiare, për administratën e Kuvendit, shpërdorim të financave të Kuvendit për aktivitete të natyrës politike, në funksion të drejtuesit të Kuvendit, cungim dhe mbajtje të pagave dhe trajtimit financiar të deputetëve, në kundërshtim me vendimet në fuqi, abuzim dhe diferencim në trajtimin e deputetëve të mazhorancës dhe opozitës, përsa i përket pagave dhe përfitimeve të tjera që lidhen me detyrën e deputetit, abuzime me procedurat për vlerësimin dhe tjetërsimin e automjeteve në pronësi të Kuvendit.
Tabelë
Objekti i punës së Komisionit Hetimor të kërkuar nga socialistët është:
a) Hetimi i veprimtarisë së organeve drejtuese të sipërcituara
b) Hetimi i veprimtarisë së administratës së shërbimeve të Kuvendit, sipas kompetencave të përcaktuara në rregulloren e Kuvendit, ligjin për buxhetin, legjislacionin që rregullon statusin e deputetit dhe legjislacionin për ekzekutimin e buxhetit
c) Hetimi i byrosë së administratës së Kuvendit në lidhje me përcaktimin e strukturës dhe organikës së administratës ndihmëse të Kuvendit dhe zbatimit të legjislacionit për shërbimin civil apo atij të punës në rekrutimin, transferimin apo ndërprerjen e marrëdhënieve të punës të personelit të administratës
d) Hetimi i procedurave të vlerësimit dhe tjetërsimit të mjeteve të transportit në pronësi të Kuvendit dhe pasojat financiare që ato kanë sjellë në buxhetin e shtetit
e) Hetimi i funksionimit të stafit ndihmës të Kuvendit, puna që ata kryejnë dhe shpërndarja e punës në komisione, zbatimi i kërkesave ligjore për respektimin e procedurave në shqyrtimin e projektligjeve si dhe emërimet e Kuvendit në institucionet dhe entet në varësi të tij
f) Hetimi i integritetit dhe eficencës së sistemit të votimit elektronik të Kuvendit
g) Propozimi i ndryshimeve të nevojshme legjislative dhe organizative me qëllim korrigjimin e mangësive të konstatuara, duke synuar mirëfunksionimin e Kuvendit dhe shërbimeve të tij