E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Misioni i krijimit të PD-së po përmbushet



Ministri i Jashtëm dhe anëtari i kryesisë së PD-së, Lulzim Basha, ishte dje i pranishëm në përvjetorin e 18-të të krijimit të PD-së në Elbasan, nga ku theksoi se misioni i PD-së po përmbushet. Në fjalën e rastit, ministri Basha tha se 18 vitet e Partisë Demokratike kanë pasur një histori shprese, të ngarkuar me një mision, rikthimin e vlerave demokratike. Ministri Basha shtoi se historia e PD-së ka mbajtur edhe shpresën për një jetë më të mirë të shqiptarëve. Ai tha më tej se mandati i PD-së që nga viti 2005 ka krijuar hapësirat që shqiptarët kanë parë gjithnjë te kjo forcë politike. Basha tha se brenda këtij mandati, qeverisja e PD-së ka rikthyer besimin dhe shpresën e shqiptarëve. “Sot kujtojmë peshën e misionit të një force politike, mbi supet e së cilës shpesh rëndoi vetë fati i demokracisë shqiptare, vetë kuptimi i pluralizmit politik apo parlamentar, por dhe i premtimeve të mbajtura gjatë 4 viteve të fundit, ku spikasin rritja e pagave jo vetëm për buxhetorët, por edhe për pensionistët dhe të gjitha shtresat në nevojë, zgjatja e rrugëve të reja, stimulimi i të rinjve për të studiuar dhe hapësirat e reja drejt anëtarësimit në NATO dhe BE”, - deklaroi përpara simpatizantëve të PD-së në Elbasan, Basha. Ministri i kabinetit “Berisha” u ndal më tej në punën e qeverisë gjatë këtyre viteve, të cilën e lidhin me misionin e PD-së gjatë këtyre 18 viteve. Ai vuri theksin në procesin e integrimit. Basha tha se shqiptarët në vitin 1990 kërkonin që Shqipëria të ishte si gjithë Evropa, dhe kjo sipas tij, e kërkua nga ana e Partisë Demokratike. Ai shtoi se që nga viti 2005, qeverisja e PD-së po përmbush këtë kërkesë të shqiptarëve. Ministri Basha tha se së shpejti do të jemi vend anëtar i NATO-s dhe se brenda këtij viti do të jemi zyrtarisht kandidat për të hyrë në Bashkimin Evropian. Ministri i Jashtëm tha në Elbasan se kontributi i PD-së në këto suksese ka qenë vendimtar. Përpara simpatizantëve të PD-së në Elbasan, ministri Basha shtoi se për këtë do të kemi zgjedhjet parlamentare. Sipas tij, Shqipëria do të tregojë maturi duke bërë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në ceremoninë festive morën pjesë edhe mjaft figura të PD-së të këtij qyteti. Ata u shprehën se Shqipëria po ndryshon. “Forca jonë politike është forca e vetme në vend që gjatë mandateve të saj qeverisëse, por gjatë të gjithë ekzistencës së saj, ka punuar dhe po punon që Shqipëria të ndryshojë pamjen e saj, çdo moment dhe çdo minutë”, - tha në fjalën e tij deputeti i Elbasanit, Aurel Bylykbashi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›