E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ulja e kontributeve, si do të mbulohen humbjet në buxhet



Ministria e Financave mbetet optimiste, se edhe me uljen e kontributit do të arrihet që të mbulohen humbjet në buxhet. Sipas saj, megjithëse në vitin 2006 u zbatua një ulje e ndjeshme e ngarkesës kontributive me 9 pikë ose në total rreth 24 %, përsëri vihet re se masa aktuale e saj është mjaft e lartë. Për degën e sigurimit të pensioneve, që është treguesi më i bashkëmatshëm për vendet e ndryshme, rezulton se ndërkohë që Shqipëria e ka një normë, 23,9 % kundrejt pagës bruto, disa vende të tjera e kanë, përkatësisht, Belgjika 16,36 %, Gjermania 20,3%, Franca 16,45 %, Greqia 20 %, Turqia 20 %, Kroacia 15 %, Maqedonia 21.2 %, Serbia 20,6 % etj. Megjithëse në vitin e fundit janë vënë re përmirësime të ndjeshme në drejtim të uljes së evazionit të kontributeve dhe rritjes së të ardhurave, ku krahasuar me dy vjet më parë numri i kontribuuesve në sektorin privat është rritur me 75 mijë persona, përsëri shmangia nga pagesa e kontributeve mbetet në nivele të larta dhe kjo sidomos në biznesin e vogël dhe në disa veprimtari të tjera, me cikël sezonal punësimi. Në këtë rast, besohet se një ndër shkaqet vazhdon të mbetet edhe ngarkesa e lartë kontributive. Ndërkohë, sipas statistikave zyrtare të pagimit të kontributeve, edhe pas vendosjes së pagave referuese, rezulton se paga e raportuar e subjekteve të sektorit privat, për efekt të pagimit të kontributeve, është 15 % më e ulët se ajo e sektorit shtetëror. Edhe në këtë rast, veç problemeve të tjera, mendohet se ka ndikimin e vet edhe ngarkesa e lartë e kontributeve të punëdhënësit, i cili ndërkohë është përcaktuar edhe si agjent i mbledhjes së kontributeve për të punësuarit e vet. Për shkak të masës së lartë të kontributit, por edhe të kërkesës së lartë për punë, sidomos për punë të paspecializuar, shpesh vërehen marrëveshje momentale ndërmjet punëmarrësit dhe punëdhënësit, për të punuar “pa sigurim shoqëror” ose duke raportuar paga më të ulëta se pagesat reale. Sipas ministrisë, ulja e normës jo vetëm që do të ndikojë në uljen e kostos së punëdhënësit, do të uniformizojë më tej kostot e bizneseve, por do të rrisë dhe numrin e kontributeve, mbulimin e të punësuarve me elementet bazë të sigurimit shoqëror në periudha, afatshkurtra dhe afatgjata, si dhe do të formalizojë tregun e punës dhe, në përgjithësi, do të normalizojë veprimtarinë e biznesit.

Reduktimi i masës së kontributit

Degët e sigurimit Totali i masës së kontributit

Ishte Bëhet Reduktimi

Për paaftësi të përkohshme 0.8 0.3 0.5

Për barrëlindje 2.3 1.4 0.9

Për pensione 23.9 21.6 2.3

Për aksidente 0.5 0.3 0.2

Për papunësinë 2.0 0.9 1.1

TOTALI 29.5 24.5 5

Sigurimi shëndetësor 3.4 3.4 0

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›