Biberaj-Rusmali, së bashku në një avion drejt Strasburgut
Deputeti i Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj, është nisur dje drejt Strasburgut në Asamblenë e Këshillit të Evropës, në një avion së bashku me deputetin e PD-së, që e zëvendësoi, Ilir Rusmalin. Duke folur për mediat nga Rinasi, Biberaj tha se “jam akoma zv.president i Asamblesë së KE-së” dhe sipas tij, kjo e detyron praninë e tij në mbledhjen e sotme të asamblesë. Ai deklaroi se po shkon drejt Strasburgut me shpenzimet e veta. Ndërkohë në të njëjtin avion janë nisur edhe anëtarët e tjerë të KE-së, Lajla Përnaska, Kastriot Islami dhe Arenca Trashani. Së bashku me ta ndodhej dhe anëtari më i ri i propozuar nga Kuvendi, Ilir Rusmali. Para se të nisej në Strasburg, Biberaj tha se po shkonte në Strasburg për të sqaruar këtë situatë, pasi sipas tij, “kjo çështje po ndikon në imazhin e vendit”. Ai tha më tej se këtë çështje do ta ndjekë më tej, edhe në rrugë gjyqësore. “Nuk ka asnjë gjë të vërtetë dhe çështjen do ta çoj në gjykatë”, - tha Biberaj. Ndërkohë sipas axhendës së KE-së, Biberaj duhet të raportojë mbi raportin e krimeve në Ukrainë.
Mandati
Ditën e sotme nis sesioni i ri i Asamblesë së Këshillit të Evropës, dhe mbledhja e parë do të hapet me një akt formal, me verifikimin e mandateve të të gjithë anëtarëve të vendeve pjesëmarrëse. Kërkesa për zëvendësimin e Biberajt me Rusmalin do të shqyrtohet nga Byroja e KE-së, të cilën e drejton vetë presidenti i Asamblesë, Luis Maria De Puik. Kryetari De Puik mund ta kërkojë kërkesën edhe në asamble. Verifikimi i mandatit bëhet sipas procedurës që përcakton çdo rregullore Parlamenti, të cilit deputeti i përket. Deputeti Biberaj pretendon se shkarkimi i tij është bërë në kundërshtim me rregulloren e Parlamentit, është shkelur neni 7 i tij, i cili bën fjalë për përbërjen e delegacioneve të përhershme në organizatat ndërkombëtare. Shqipëria ka 4 deputetë në Këshillin e Evropës, të cilët propozohet nga kryetarja e Kuvendit dhe i përkasin dy mazhoracës dhe dy opozitës. Anëtarët zgjidhen nga konsultimet që bëhen me grupet parlamentare.
Shkarkimi
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka sqaruar motivet për të zëvendësuar Aleksandër Biberajn nga kryesimi i delegacionit të Parlamentit në Këshillin e Evropës. Në njoftimin zyrtar thuhet se ky veprim ka ardhur për shkak të shpenzimeve të pajustifikuara të zotit Biberaj në udhëtimet e tij jashtë vendit. Kryeparlamentarja ka hedhur poshtë pretendimin se vendimi i saj ka qenë i pakonsultuar me Partinë Demokratike. “Kuvendi sqaron se kryetarja e Kuvendit, pasi është konsultuar me kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, siç e parashikon edhe neni 7, pika 3 e Rregullores së Kuvendit, i ka dërguar letër Këshillit të Evropës për zëvendësimin e Aleksandër Biberajt me një deputet tjetër”, - thuhet në njoftimin zyrtar.