Sigurimet shoqërore, skema e re pas 1 majit
Në Kuvend ka mbërritur projektligji i ri për reduktimin e sigurimeve shoqërore pas 1 majit të këtij viti. Projektligji përmban të gjithë skemën e re, pagesën që bën punëdhënësi, punëmarrësi, si dhe vetë të punësuarit. Projektligji parashikon një ulje prej 5 për qind të masës së sigurimeve. Masa aktuale e kontributit të sigurimit shoqëror, që paguhet nga punëdhënësit dhe punëmarrësit, për të pesë degët e sigurimit, është 29.5 për qind e pagës bruto. Për efekt të pagesës në fondin e sigurimeve shoqërore, masa e përgjithshme e kontributeve ndahet ndërmjet punëmarrësve dhe punëdhënësve. Punëmarrësit paguajnë kontribut në masën 9.5 për qind të pagës bruto, ndërsa punëdhënësit 29 për qind të kësaj page. Për personat e vetëpunësuar dhe për anëtarët e papaguar të familjes, që jetojnë e punojnë me personin e vetëpunësuar, për arsye të mosmbulimit të degës së sëmundjeve, aksidenteve dhe të papunësisë, masa e kontributit është 26.2 % e pagës bruto, minimale, dhe paguhet totalisht nga personi i vetëpunësuar. Përveç sigurimit shoqëror, punëdhënësit, personat e punësuar dhe të vetëpunësuarit, paguajnë edhe kontribute të sigurimeve shëndetësore dhe konkretisht, të punësuarit 3.4% të pagës bruto, ndërsa të vetëpunësuarit 7 % të pagës. Edhe në këtë rast, për efekt pagese, kontributi i të punësuarit, ndahet ndërmjet tij dhe punëdhënësit në raportet 50 % me 50 %, ndërsa i vetëpunësuari e përballon totalisht vetë këtë kontribut.
Skema e re
Në këtë projektligj parashikohet që duke filluar nga 1 maji, masa e kontributit të sigurimit shoqëror të ulet me 5 për njësi, duke kaluar nga 29.5 në 24.5 për qind, duke reduktuar kontributin në të gjitha degët. Bazuar në normat ekzistuese për degën e sëmundjeve, shpenzimet zënë rreth 40 për qind të të ardhurave, në barrëlindje 60 % të të ardhurave, në degën e papunësisë dhe të aksidenteve rreth 50 % të të ardhurave, ndërsa në degën e pensioneve ato nuk i mbulojnë shpenzimet dhe për këtë ndërhyhet nga buxheti i përgjithshëm me subvencion, i cili do të vazhdojë të jetë prezent edhe për disa vite të ardhshme. Qëllimi i këtij projektligji është lehtësimi i veprimtarisë së subjekteve nga barra e kontributeve, duke krijuar mundësitë për rritjen e numrit të të punësuarve, rritjen e numrit të kontribut-paguesve në sistemin e sigurimeve shoqërore, shmangien e veprimtarisë joformale dhe krijimin e raporteve më të drejta në zërat e shpenzimeve, me synimin e deklarimit real të pagave e të shpërblimeve. Reduktimi i normës së kontributeve do të ketë efekt ekonomik të dyanshëm. Nga vlerësimet e Ministrisë së Financave vlerësohet se ulja e kontributeve me 5 % do të ketë një efekt negativ në të ardhurat e buxhetit të vitit 2009, me rreth 4 miliardë lekë, në skemën e sigurimeve shoqërore. Ky efekt negativ do të kompensohet, përmes rritjes së interesimit të të punësuarve dhe të punëdhënësve, për t'u përfshirë më gjerë në skemën e sigurimeve shoqërore. Si pasojë e zbatimit të një mase të tillë, në vitin 2006 u vu re se ndërsa volumi i të ardhurave kundrejt një viti më parë ishte 2.8 miliardë lekë më shumë, në vitin 2007, ndaj vitit 2006, shtesa e të ardhurave ishte 3.6 miliardë lekë, dhe në vitin 2008 ai përllogaritet rreth 5.2 miliardë lekë më i lartë se në vitin 2007.