E Diel, 1 Nëntor 2026

MB: Shtetasit pa pasaportë, afat deri më 15 prill për t’u pajisur me kartë



Shtetasit shqiptarë, të cilët deri më 28 qershor 2009 mbushin 18 vjeç, duhet të pajisen me kartë identiteti deri në datën 15 prill. Ministria e Brendshme zbardhi dje vendimin e Këshillit të Ministrave, për t’u dhënë prioritet qytetarëve, të cilët nuk kanë as pasaportë. Përpos përparësisë, kjo kategori personash do të përballen me një sërë penalizimesh nëse nuk aplikojnë deri në afatin e vendosur. Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja, tha se “shtetasit, të cilët janë të detyruar të pajisen me letërnjoftim, sipas pikës 3 të këtij vendimi, që janë mbi moshën 18 vjeç në datën 28 qershor 2009 dhe nuk disponojnë pasaportë, duhet të pajisen me letërnjoftim deri më 15 prill 2009”.

Në rast të kundërt, - sqaroi ai, - nëse nuk aplikojnë deri në këtë afat, ata do të ndeshen me një sërë penalizimesh që parashikon ligji.

Kështu, sipas vendimit, qytetarët që nuk kanë pasaportë dhe nuk respektojnë afatin e aplikimit për kartë identiteti deri më 15 prill nuk do të mund të marrin pagesën ose shpërblimet për të gjithë personat fizikë, të punësuar në administratën dhe institucionet publike, si dhe për personat e punësuar në shoqëri, agjenci a ente shtetërore, qendrore apo vendore, pagesën apo shpërblimet për pensionistët, pagesën për ndihmë, përkrahje sociale apo çdo lloj ndihme tjetër, ofruar nga institucionet publike, qendrore dhe vendore. Një tjetër pikë e këtij vendimi parashikon sanksione sidomos për shtetasit që mbushin 18 vjeç deri më 28 qershor të këtij viti. Ata nuk pranohen në provimet e fundvitit dhe regjistrimin në vitin shkollor/akademik pasardhës, për të gjithë ata që ndjekin studimet në shkollat e mesme dhe të larta, për pjesëmarrësit në konkurse apo gara të ndryshme, të organizuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Po kështu, kjo kategori shtetasish nuk mund të pajisjen me pasaportë për jashtë shtetit. Kjo kategori nuk përfiton më as shërbimin në zyrat e gjendjes civile, me përjashtim të regjistrimit të akteve të lindjes dhe të vdekjes, si dhe pajisjes me certifikatë me fotografi, për qëllim aplikimin për letërnjoftim sipas këtij vendimi, lëshimin ose rinovimin e lejeve, autorizimeve, licencave nga organet e pushtetit qendror/vendor ndaj personave fizikë dhe përfaqësuesve ligjorë të personave juridikë, aplikimin dhe pajisjen me certifikatë pronësie nga zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, aplikimin dhe lëshimin e dokumentit “Leje drejtimi automjeti” dhe kolaudimin e tyre, lëshimin e vërtetimeve dhe të dokumenteve të tjera, të ngjashme me to, nga administrata gjyqësore, shërbimet noteriale, shpërndarjen e karburantit pa akcizë për fermerët, shërbimin nga zyrat e Alba-Postës. Shërbimet, si pajisja me pasaportë, nuk do të ofrohen edhe nëse shtetasi nuk ka aplikuar deri në datën 10 shkurt 2009.

Ministria e Brendshme bëri të ditur se procedura e aplikimit për shtetasit e tjerë, sipas pikës 3 të këtij vendimi, fillon në datën 1 prill 2009. Bëjnë përjashtim nga ky rregull shtetasit që kanë aplikuar përpara datës 31 janar 2009, për të cilët pajisja me letërnjoftim do të vazhdojë rregullisht. Konja sqaroi se të gjithë zyrave të aplikimit për letërnjoftime elektronike u janë dërguar listat e personave që nuk zotërojnë pasaportë. Këto lista do të update-ohen në mënyrë periodike.

Penalizimet

a) Pagesën ose shpërblimet për të gjithë personat fizikë, të punësuar në administratën dhe institucionet publike, si dhe për personat e punësuar në shoqëri, agjenci a ente shtetërore, qendrore apo vendore;

b) Pagesën apo shpërblimet për pensionistët;

c) Pagesën për ndihmë, përkrahje sociale apo çdo lloj ndihme tjetër, ofruar nga institucionet publike, qendrore dhe vendore;

ç) Pranimin në provimet e fundvitit dhe regjistrimin në vitin shkollor/akademik pasardhës për të gjithë ata që ndjekin studimet në shkollat e mesme dhe të larta, për pjesëmarrësit në konkurse apo gara të ndryshme, të organizuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës;

d) Pajisjen me pasaportë për jashtë shtetit;

dh) Shërbimin në zyrat e gjendjes civile, me përjashtim të regjistrimit të akteve të lindjes dhe të vdekjes, si dhe pajisjes me certifikatë me fotografi për qëllim aplikimin për letërnjoftim sipas këtij vendimi;

e) Lëshimin ose rinovimin e lejeve, autorizimeve, licencave nga organet e pushtetit qendror/vendor ndaj personave fizikë dhe përfaqësuesve ligjorë të personave juridikë;

ë) Aplikimin dhe pajisjen me certifikatë pronësie nga zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme;

f) Aplikimin dhe lëshimin e dokumentit “Leje drejtimi automjeti” dhe kolaudimin e tyre;

g) Lëshimin e vërtetimeve dhe të dokumenteve të tjera, të ngjashme me to, nga administrata gjyqësore;

gj) Shërbimet noteriale;

h) Shpërndarjen e karburantit pa akcizë për fermerët;

i) Shërbimin nga zyrat e Alba-Postës.

PS shfrytëzon kartat për qëllime elektorale

Partia Socialiste përdor procesin e pajisjes së kartave të identitetit për qëllime elektorale. Në një deklarim të djeshme të selisë rozë, bëhet e ditur se PS do të ofrojë asistencën e saj për qytetarët, për t’i sqaruar në lidhje me gjithë procedurat që duhet të ndjekin. Nënsekretari për Çështjet Ligjore në PS, Damian Gjiknuri, theksoi se PS do të monitorojë gjithë procesin për të cilin qeveria është përgjegjëse. “Partia Socialiste në të gjithë territorin e vendit, në të gjitha degët e saj dhe në çdo zyrë elektorale, do të ofrojë asistencë dhe këshillim për këtë proces dhe ku qytetarët mund të drejtohen në çdo kohë për ndihmë. Gjithashtu, ne do të monitorojmë me hollësi mbarëvajtjen e këtij procesi, duke u bërë thirrje qytetarëve që të drejtohen në zyrat tona për çdo problem të hasur”, - tha ai. Ai përshëndeti vendimin e qeverisë për t’u dhënë përparësi shtetasve që nuk kanë pasaportë. “Ky vendim në thelb heq sanksionet për shtetasit që disponojnë pasaportë dhe e shtyn afatin e aplikimit për ta, për një periudhë të dytë. Deri në atë periudhë, qeveria ka marrë përsipër dhe duhet me çdo kusht të pajisë shtetasit që nuk disponojnë pasaportë, duke zbatuar edhe sanksionet përkatëse”, - shtoi Gjiknuri.

Durrës, nis sot aplikimi për kartat e identitetit

Durrësi në shkallë qarku është gati të nisë sot aplikimet për kartat e identitetit. Në këtë proces, vështirësi është sistemi i adresave. Në qytetin e Durrësit mungojnë emërtimet e rrugëve, lagjeve, si dhe numrat e shtëpive dhe të apartamenteve të banimit. Edhe pse është kryer ndarja e re e rrugëve sipas kritereve të vendosura nga qeveria dhe ato janë pasqyruar në projekt, emërtimi i tyre dhe vendosja nëpër tabela mungon. Nuk ka më dyshim se pajisja e banorëve të Durrësit me kartat e identitetit do të realizohet në bazë të adresave ekzistuese dhe më pas ato do të konvertohen në bazë të ndryshimeve që do të kryhen më vonë. Bashkiakët thonë se “edhe pse ky është nonsens me udhëzimet, procesi i aplikimit të qytetarëve me kartat e identitetit nuk do të pengohet, por do të realizohet”. Qysh në vitin 2002 u vendos për krijimin e sistemit të ri të adresave të qytetit, si dhe për vendosjen e tabelave nëpër lagjet dhe rrugët e Durrësit. Por vetëm 1 herë është arritur që rrugët të emërtoheshin, por asnjëherë këto emrat e tyre nuk u pasqyruan nëpër tabela, si dikur, nëpër mure. Të njëjtin fat ka ndjekur edhe numërtimi i banesave të Durrësit. Disa muaj më parë, në funksion të pajisjes së banorëve me karta identiteti, qeveria dha udhëzime të reja për krijimin e një sistemi të ri adresash, i cili tashmë duhej të kishte përfunduar, por në realitet nuk është bërë asgjë. Në Durrës ato pak tabela dhe numra pallatesh që kanë mbetur i përkasin kohës së para viteve ’90. Në bazë të studimit të kryer nga zyra urbanistike e Bashkisë së Durrësit, e cila u realizua në bazë të kritereve të vendosura nga lart, qyteti është ndarë në 18 lagje, të cilat përmbajnë 800 rrugë. Nga kjo detyrë e dhënë disa kohë më parë, ende nuk është realizuar emërtimi i rrugëve dhe jo më hedhja e tyre nëpër tabela dhe vendosja nëpër mure apo nëpër objekte të dukshme.

Artur Ajazi

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›