Ka prapë ballistë
Partia Republikane e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, thotë se do të mirëpriste në një koalicion me Partinë Demokratike, të dy forcave të tjera të djathta, por që nuk janë pjesë e Kuvendit. Republikanët thanë dje se Partia për Drejtësi dhe Integrim dhe Balli Kombëtar Demokrat kanë shanse të mira për të qenë pjesë e këtij koalicioni zgjedhor me Partinë Demokratike të kryeministrit Sali Berisha. Ndërsa në kampin e djathtë po diskutohet që në koalicionin e ardhshëm të bëjnë pjesë edhe parti joparlamentare, listës së Partisë së Ballit Kombëtar dhe Lëvizjes së Legalitetit i shtohen edhe dy parti të tjera, që potencialisht mund të jenë edhe ato pjesë e koalicionit të drejtuar nga Partia Demokratike. Sipas deputetit dhe kryetarit të grupit parlamentar republikan, Arian Madhi, dy parti të tjera, përveç PBK-së dhe PLL-së, në koalicionin e djathtë do të ishte mirë që të ftoheshin edhe parti si Balli Kombëtar Demokrat dhe Partia për Drejtësi dhe Integrim e drejtuar nga Tahir Muhedini. Vetë Partia Republikane, si një nga partitë aleate më të ngushta të Partisë Demokratike, ka hedhur idenë që në koalicionin e ardhshëm parazgjedhor të drejtuar nga PD-ja, të përfshihen parti politike joparlamentare të djathta, në mënyrë që të maksimalizohet edhe vota e djathtë. “Unë besoj që pjesë e koalicionit mund të jenë Lëvizja e Legalitetit, Balli Kombëtar, Balli Kombëtar Demokrat etj. Unë pa hezitim do të dëshiroja që të bënte pjesë edhe Partia për Drejtësi dhe Integrim. Këto parti potencialisht mund që të përfshihen në këtë aleancë të madhe. Sigurisht që aleanca e djathtë, që unë do ta kisha emërtuar Aleanca për Vazhdimësinë, duhet të përfshijë edhe aktorët e tjerë, të cilët sot janë solidë me mazhorancën qeverisëse”, thotë republikani Madhi, i cili është një nga figurat qendrore të PR-së. Ndërkohë, Madhi shprehet dyshues për ndonjë mundësi që Partia Demokristiane e Nard Ndokës apo Lëvizja për Zhvillim Kombëtar e Dashamir Shehit të mund të bëhen tashmë pjesë e koalicionit të ardhshëm parazgjedhor të së djathtës. Sipas kreut republikan, Partia Demokristiane ka qenë në vazhdimësi në një pozicion të distancuar nga blloku tjetër i partive të koalicionit dhe ka rezervat e saj, që i ka shfaqur edhe publikisht. Ky sinjal, sipas Madhit, tregon se PDK-ja nuk ka interes për të qenë pjesë e këtij koalicioni të djathtë. “Sigurisht që është e drejta e Partisë Demokristiane që të rigrupohet në një aleancë tjetër dhe, mesa duket, sinjalet janë që PDK-ja do të gjejë veten e saj në një aleancë, mbase me LZHK-në ose ndonjë parti tjetër, duket se është jashtë ndjeshmërisë për të qenë pjesë e aleancës së madhe”, thotë Madhi, duke shtuar se edhe LZHK-ja ka qenë një herë në koalicionin e djathtë, por vetëm në mënyrë taktike, për zgjedhjet vendore të kaluara. Ndërkohë, miratimi i kodit zgjedhor u hap rrugën negociatave mes partive politike, të cilat do të mund të orientohen konkretisht për fushatën e ardhshme parlamentare.