E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Në axhendën e Bashkisë, zhvillimi ekonomik dhe punësimi i të rinjve

09-02-2013 / Gazeta 55

Kryebashkiaku i Tiranës takohet me anëtarët e Bashkimit Ndërkombëtar të Forumeve Rinore të Qendrës së Djathtë

Kryebashkiaku Lulzim Basha zhvilloi dje një bashkëbisedim me anëtarët e Bashkimit Ndërkombëtar të Forumeve Rinore të Qendrës së Djathtë (IYDU). Basha bëri një prezantim të axhendës së tij në krye të Bashkisë e cila mbështetet në 3 parime; zhvillimi ekonomik, shanse më mira për punësim, veçanërisht për të rinjtë në qytet, cilësinë e jetës dhe projekte strategjike që do ta kthejnë Tiranën në një qytet modern evropian.
“Pikë së pari, duke krijuar një klimë pozitive që do të thotë një sistem fiskal të përshtatshëm dhe një nga masat e para të miat këtu në Këshillin Bashkiak, aprovuar në mbledhjen e parë të Këshillit të ri Bashkiak ishte eliminimi i 62 taksave dhe tarifave nga një listë e gjatë taksash me të cilën qyteti përballej. 62 taksa e tarifa u eliminuan dhe biznesi e pa këtë si një shenjë pozitive. Më pas vijuam me krijimin e një qendre ‘one stop shop’ për lejet dhe licencat, duke imponuar afate kohore, sa i përket periudhës së aplikimit dhe marrjes së një lejeje apo licence, gjë që ishte sukses i madh. Pas një viti qeverisjeje, pra në korrik 2012, sipas statistikave të Tatim-Taksave rezultojnë 7 000 të punësuar të rinj taksapagues, ndërkohë që 2011-2012 rezultoi një vit tepër dramatik për ekonomitë e shumë vendeve rreth nesh, pra 7 000 vende të reja pune (neto), pasi në total numri i vendeve të punës të krijuara është 32 mijë”, informoi Basha.
Basha bëri një prezantim dhe të projekteve strategjike të Bashkisë së Tiranës, që nga bulevardi i ri, lumi i Tiranës, trami, terminali etj.
Përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje dhe dëgjimin e zërit të tij, Kryebashkiaku Basha e ka konsideruar si çelësin e suksesit, në adresimin e saktë të problematikave të qytetit.
Kreu i Bashkisë i ka njohur të rinjtë me praktikat aktuale të dëgjimit të zërit të qytetarëve, ku çdo të premte vetë Kryebashkiaku takohet me qytetarë e po kështu një ditë në javë, çdo drejtor ka një orar të përcaktuar për tu takuar me ta.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›