E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Ne do t’i heqim vizat



Vetëm qeveria “Berisha” përmes reformave integruese do të mund t’u heqë shqiptarëve vizat drejt zonës “Shengen”. Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, u takua dje me banorë të komunave Labinot-Fushë, Gjergjan dhe Gracen të cilët i informoi për arritjet e qeverisë së djathtë, që sipas tij, do të mundësojnë lëvizjen e lirë të shqiptarëve. Basha bëri të ditur se mazhoranca e drejtuar nga Sali Berisha ka justifikuar plotësisht besimin që shqiptarët i dhanë më 3 korrik të 2005-s. Ai evidentoi se në më pak se katër vjet, u dyfishuan pagat dhe pensionet, infrastruktura e Shqipërisë po ndërtohet nga jugu në veri, qytetarët kanë sot energji të pandërprerë si dhe i janë bashkuar familjes euroatlantike. “Ne, - shtoi Basha, - e kthyem besimin tuaj në rroga më të larta, në më shumë rrugë, ujësjellës, kanalizime, në 24 orë energji elektrike, ne e kthyem besimin tuaj me futjen e Shqipërisë në NATO, me nënshkrimin e MSA-së, ne aplikuam për BE dhe ne do ta çojmë vendin drejt anëtarësimit të plotë në BE, ne do t’i heqim vizat”. “Është e vështirë t’u thuash shqiptarëve sot se Sali Berisha nuk do t’ju heqë vizat, kur, një herë në javë, një ministër i Jashtëm i Bashkimit Evropian ju thotë që ne kemi besim te qeveria e z. Berisha dhe së bashku, ne do të arrijmë atë që dukej si një ëndërr 4 vjet më parë, lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë”, - theksoi z. Basha. “Asnjë nga këto arritje, - vijoi ai, - nuk mund të bëhej e mundur pa luftuar krimin dhe korrupsionin që po e mbante peng vendin. Sot i vetmi qytet që po vuan nga korrupsioni dhe paaftësia është Bashkia e Tiranës, e drejtuar nga Edi Rama, që vjen si alternativë e kësaj mazhorance që i ktheu dinjitetin Shqipërisë dhe shqiptarëve”, - deklaroi ministri Lulzim Basha.

Berisha emëron Sefgjinin tek Shërbimet e Provës

Ish-kreu i Tatimeve, Arben Sefgjini, emërohet drejtor i përgjithshëm i Shërbimit të Provës në Ministrinë e Drejtësisë. Burime nga qeveria bëjnë të ditur se Kryeministri Sali Berisha tashmë ka firmosur për detyrën e re të z. Sefgjini. Drejtoria që ai do të drejtojë, është një institucion që ngrihet për herë të parë në Shqipëri dhe ka të bëjë me mbikëqyrjen e të dënuarve me dënime alternative. Kryeministri Sali Berisha para disa muajsh e liroi nga detyra e kryetatimorit të Shqipërisë dhe prej asaj kohe ai vazhdonte të ishte në pritje të një emërimi të ri. Fillimisht u fol për detyrën e prefektit të Lezhës, por që duket se Arben Sefgjini nuk e ka pranuar. Me emërimin e ri, ai merr detyrën e drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit të Provës në ministrinë e drejtuar nga Enkelejd Alibeaj. Ai është jurist dhe profesioni i Sefgjinit përshtatet më së miri me postin e ri që më shumë se asnjë vend tjetër kërkon impenjimin e aftësive juridike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›