Berisha: Për shqiptarët, jo më ndërprerje energjie
Shqiptarët nuk do të njohin më ndërprerjen e energjisë elektrike dhe se në shtëpitë e tyre nuk do të mungojë uji. Me këtë premtim iu drejtua dje Kryeministri Sali Berisha banorëve të Shijakut në takimin elektoral “Shqipëria po ndryshon”. Me sigurinë e plotë se sa kohë kjo mazhorancë do të qeverisë vendin, nuk do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike për mungesë të saj, Berisha vuri në dukje faktin se Shqipëria do të jetë vend eksportues i energjisë elektrike. Gjatë përurimit të rindërtimit të shkollës 9-vjeçare “Muharrem Dollaku” në Shijak, Kryeministri përmendi se dritat dhe uji janë dy kushtet më themelore të cilave qeveria e tij tashmë u ka gjetur zgjidhjet reale. “4 vjet më parë, kudo që shkoja, zgjedhësit shqiptarë më shtronin vetëm një pyetje, nëse do t’u siguronim drita, nëse do të dilnim ndonjëherë nga ndërprerja e dritave”. Berisha vuri në dukje se në përputhje me premtimin se nga fundi i vitit 2007 e tutje territ do t’i themi lamtumirë, ai siguroi se sa të jetë në fuqi qeveria e djathtë, nuk do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike. “Dhe kjo, sepse kur diskutohej për energjinë, ata thoshin se po ta blinin, do t’u kushtonte kaq e aq, se nuk mund të blinin më shumë se nuk e mbante rrjeti etj., etj. me radhë. Dhe unë u shtrova pyetjen: E dini se cili është çmimi më i lartë i energjisë elektrike? Çmimi më i lartë i energjisë nuk është 100 apo 150 cent, por është mungesa e saj. Unë kam kënaqësi që sot vij tek ju dhe në çdo skaj të vendit me një zotim madhor të përmbushur”, - deklaroi z. Berisha. “Qytetarët, - shtoi ai, - duhet të kenë drita dhe unë vij sot tek ju për t’u angazhuar se në mënyrë absolute, në 4 vitet që vijnë, Shqipëria do të jetë vend eksportues i energjisë elektrike”. Sipas Kryeministrit, 30 vjet nuk u shtua asnjë burim energjie, ndërsa vetëm në këta dy muaj kanë nisur dhe do të nisin punimet mbi 20 hidrocentrale në mbarë vendin. “Ne, - pohoi ai, - që zgjidhëm në mënyrë përfundimtare problemin e energjisë, në mënyrë po kaq përfundimtare do të zgjidhim problemin e ujit. Çdo familje shqiptare do të ketë ujë në shtëpinë e saj dhe ky është zotimi ynë, të cilin ashtu siç e bëmë realitet për shkollat, siç e bëmë realitet për energjinë, absolutisht do të bëjmë realitet për çdo familje shqiptare edhe ujin”. Kryeministri kujtoi premtimin për asfaltimin e mijërave kilometrave rrugë në mbarë vendin duke thënë se tashmë ndihet i lehtësuar sepse në këta 4 vjet vetëm në dy komuna të Shijakut, në Xhafzotaj dhe Katund i Ri, janë asfaltuar 62 kilometra rrugë. “Unë jam këtu për t’u dhënë fjalën e nderit jo vetëm Durrësit, por edhe mbarë vendit, se në 4 vitet e ardhshme, Shqipëria do të kompletohet në mënyrë përfundimtare me infrastrukturë moderne. Nuk dua që ju të ktheheni e të krahasoheni me të shkuarën, por nuk mund të mos them se në 8 vitet e qeverisë socialiste, në qytetin e Shijakut, janë investuar 110 milionë lekë, ndërsa në 3 vite, nga PD-ja janë investuar 326 milionë lekë”, - deklaroi z. Berisha. Në gjykimin e Kryeministrit: “Kurrë nuk do të kishit drita pa ndërprerje, në qoftë se nuk do të luftonim korrupsionin, se kurrë nuk do të kishim këto investime, në qoftë se nuk do të luftonim korrupsionin, se kurrë nuk do të mund të dyfishonim pensionet në fshat, në qoftë se nuk do të luftonim korrupsionin, se kurrë nuk do të shkonim drejt NATO-s, në qoftë se nuk do të luftonim korrupsionin, se kurrë nuk do të aplikonim dot për në BE, në qoftë se nuk do të luftonim korrupsionin. Sërish, - vijoi ai, - ka korrupsion, por sërish ka dorë të hekurt të luftës kundër tij”. Duke u ndalur tek anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, kreu i qeverisë u bëri thirrje banorëve të Shijakut dhe mbarë shqiptarëve që të votojnë djathtas për një Shqipëri edhe në BE, që të lëvizin në të katër anët e këtij kontinenti pa viza. Sipas tij, “të gjitha këto dëshmojnë një gjë, se kjo alternativë po funksionon, se alternativa e kësaj qeverisjeje po ndryshon Shqipërinë, se reformat e saj po marrin firmat e certifikimin e mbarë botës, pavarësisht nga një nihilizëm i pakuptimtë e absurd i kundërshtarëve tanë”. “Kjo platformë e tyre nihiliste përbën, në radhë të parë, një fatkeqësi të vërtetë për ta. Ne i kërkojmë projektin e unazës që ta bëjmë atë. Ne që ndërtojmë 62 kilometra rrugë në dy komuna të Shijakut, mendoni se lëmë Tiranën pa unazë? Jo, kurrën e kurrës. Ai e mban peng projektin si plaçkën e shtëpisë së tij, sikur është personale dhe jo e qytetarëve. Pra, kjo alternativë është alternativa e bllokimit”, - theksoi z. Berisha. “Ndaj, - shtoi ai, - le të na prijë e mbara, të shkojmë të sigurt drejt mandatit të dytë për të shndërruar në realitet projektet tona dhe nuk ka filozofi tjetër që udhëheq qeverinë time, përveç interesave të qytetarëve shqiptarë”.