E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: 98 për qind e ish-pronarëve më besojnë mua



Edhe në prag të zgjedhjeve të 2005-s, ish-pronarët kundërshtonin PD-në, por me 3 korrik të atij viti, votuan siglën e saj. Të njëjtën gjë do të bëjnë edhe më 28 qershor të 2009-s. Madje janë 98 për qind e tyre që besojnë Sali Berishën dhe vota e ish-pronarëve do të jetë sërish djathtas. Kjo është bindja e Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, e shprehur mbrëmë në emision “Opinion” përballë një paneli të gjerë gazetarësh, studentësh dhe pedagogësh të universiteteve të Tiranës. Kreu i qeverisë bëri bilancin e punës 4-vjeçare, duke u ndalur dhe tek premtimet për mandatin e ri qeverisës. Kryeministri i vendit pohoi në mënyrë të qartë se çështja e pronësisë do të marrë zgjidhje vetëm nga qeverisja e djathtë. Sipas tij, e majta nuk mundi të bëjë asgjë për ish-pronarët, madje u kujtoi se duhej të shkonin tek partia e tyre. “Por, - tha Berisha, - do të jetë qeveria e koalicionit të djathtë ajo që do t’u japë përgjigjen e duhur ish-pronarëve. 98 për qind e pronarëve janë me Berishën. Ata besojnë tek unë dhe tek qeveria ime. Edhe në vitin 2005 bënë deklarata kundër meje, por votuan për mua, sepse ne do t’u japim zgjidhjen e duhur, gjë të cilën PS-ja nuk e bëri dot për 8 vjet në pushtet”, - deklaroi z. Berisha. Para gazetarëve Kryeministri foli për zgjidhje konkrete dhe si do të arrihen ato. Berisha përmendi se një nga rrugët është vendimi i qeverisë për të kaluar 10 për qind të privatizimeve në Shqipëri për kompensimin e ish-pronarëve. Po ashtu, Kryeministri vuri në dukje se 4 mijë e 500 ha tokë turistike do të kalojë në funksion të kompensimit të ish-pronarëve. Por, kreu i qeverisë pranoi se reforma e pronësisë është mjaft delikate dhe e vështirë. Këtë Berisha e ilustroi me faktin se Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka një presion të paimagjinueshëm në përmbushjen e detyrës, por tashmë keqvepruesit ndëshkohen ndryshe nga paraardhësit e majtë që i mbronte. “Reforma e pronësisë është jashtëzakonisht komplekse dhe e vështirë. Por ne jemi forca që do ta realizojmë atë. Nuk jemi si Edi Rama që u tha ish-pronarëve shkoni tek partia juaj. Agjencia e Pronave ka një detyrë delikate dhe ka presion të paimagjinueshëm, presion shumë të fuqishëm. Veçse ndryshe nga paraardhësit e majtë, tani keqvepruesit e ligjit ndëshkohen dhe nuk mbrohen”, - deklaroi z. Sali Berisha. Megjithatë, Kryeministri shprehu besimin se me një përpjekje serioze, problematika e pronësisë do të zgjidhet dhe se do të jetë kjo mazhorancë qeverisëse që, përmes mandatit të dytë, do të zgjidhë këtë çështje. Gjatë orëve të debatit të mbrëmshëm, z. Berisha analizoi punën 4-vjeçare 2005-2009, ndërkohë që zbardhi disa nga premtimet kryesore të mandatit të ri të pas 28 qershorit. “Përgjatë 50 ditëve do të bëj ato që kam për të bërë nga mandati i parë dhe disa nga mandati i dytë”. Sipas tij, investimi në arsim do të jetë i pari objektiv i qeverisë teksa vuri në dukje rritjen e pagave të arsimtarëve, dyfishimin e numrit të studentëve, informatizimin e shkollave dhe ndërtimin e tyre. Në mënyrë të qartë Kryeministri pohoi: “Shkollat do të jenë dhuratë nga qeveria”. Z. Berisha u ndal tek investimet e mëdha në infrastrukturë me premtimin se ato do të jenë shumë herë më të mëdha në 2009-2013. Reforma në shëndetësi, sipas tij, ka vështirësitë e veta. Duke marrë si shembull që edhe qeveri të mëdha të botës kanë dështuar në këtë sektor, Kryeministri siguroi se qeveria do ta plotësojë këtë reformë me bindjen më të madhe. “Furnizim të pandërprerë me energji elektrike, pasi Shqipëria do të jetë eksportuese e madhe e energjisë në rajon. Por në asnjë rast nuk do të lëmë pas dore punësimin, do të dyfishojmë shifrat e punësimit. Janë 80 mijë punonjës që sigurohen më shumë në sektorin privat me sigurimet shoqërore. Por punësimi do të dyfishohet”, - u shpreh z. Sali Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›