E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE/ODIHR, misioni që do të vëzhgojë zgjedhjet



Një numër prej 30 vëzhguesish të OSBE/ODIHR-it zbarkuan dje në Rinas, të cilët do të nisin menjëherë punën në Shqipëri për vëzhgimin e situatës parazgjedhore në vend. OSBE/ODIHR publikoi dje listën e diplomatëve të cilët do të vëzhgojnë zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Në faqen zyrtare të misionit, u bë e ditur se misioni në Shqipëri, i cili pritet të ketë një numër rekord vëzhguesish, do të drejtohet nga ambasadorja britanike, Audrey Glover. Mësohet se një numër i konsiderueshëm vëzhguesish do të vijnë javën e ardhshme. Numri dy i misionit do të jetë gjermani Stefan Krause. Drejtuesit e këtij misioni janë nga diplomatët më me përvojë në fushën e vëzhgimit të zgjedhjeve, kryesisht në vendet e Ballkanit. Por lista e gjatë e vëzhguesve ka edhe ekspertë dhe diplomatë të tjetër me emër. OSBE/ODIHR ka vendosur që në Shqipëri të vijnë disa nga ekspertët më të njohur në këtë fushë, si analistë të çështjeve zgjedhore, analistë politikë, analistë mediatikë, koordinatorë të ndryshëm, ekspertë sigurie, financash dhe veprimi në terren. Një tjetër detaj që të bie në sy, është kombësia e misionit. Ekspertët dhe drejtuesit e misionit janë shtetas perëndimorë, amerikanë, por edhe nga vende të Lindjes.

Drejtuesit e misionit

Drejtuesi Audrey Glover Angli

Zëvendësi Stefan Krause Gjermani

Analiste ligjore Marianna Skopa Greqi

Analist zgjedhjesh Dimitar Dimitrov Bullgari

Analist zgjedhjesh Ovidiu Craiu Rumani

Analist politik Peter Palmer Angli

Koordinatore Polyna Lemos Greqi

Analiste mediatike Elma Sehalic Gjermani

Analiste e përgj. Linda Edgeëorth SHBA

Ekspert statistike Anders Eriksson Suedi

Koordinator prokurimi Pawel Jurczak Poloni

Ekspert veprimi Igor Bulic Kroaci

Ekspert sigurie Trevor Harvey Angli

Ekspert finance Tomazs Janczy Poloni

Zgjedhjet, KQZ-ja ndan sot lekët për partitë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miraton sot procedurën dhe rregullat për shpërndarjen e fondeve nga buxheti i shtetit për partitë politike. Udhëzimi përkatës përcakton formën dhe mënyrën e ndarjes së fondit. KQZ-ja me vendim cakton sasinë e fondeve që do të marrë secila prej partive politike që plotëson kushtet e përcaktuara në gërmën “a” të pikës 2 të nenit 87 të Kodit Zgjedhor, pra të jetë regjistruar si subjekt zgjedhor, të ketë mandate në Kuvend dhe të ketë regjistruar listat shumemërore për zgjedhjet për Kuvendin 2009. Kështu, rregulli thotë se 50 për qind e fondit publik të vënë në dispozicion për subjektet zgjedhore pjesëtohet me shumën e mandateve të fituara në zgjedhjet pararendëse nga partitë politike të përcaktuara në këtë nen, sipas vendimit të KQZ-së për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve 2005.

Fushë-Arrëz, Topalli: Votoni projektin tonë

Kryetarja e Kuvendit vazhdon turin e saj në zonat e largëta të vendit, ku dje u ndal në Fushë-Arrëz. Përpara banorëve, Topalli evidentoi investimet në këtë zonë, të cilat kapin shifrën e 800 milionë lekëve të buxhetit të shtetit. Topalli tha se qeveria e Sali Berishës mbajti premtimet dhe kërkoi votën për projektin e katër viteve në vijim. “Kjo është Shqipëria e re. Kjo është Shqipëria e ndryshuar. Nuk ka ndjesi më të fuqishme, nuk ka krenari më të madhe, nuk ka siguri më të fortë sesa të shikosh në sy çdo qytetar, qytetare, kudo që janë në çdo fshat, në çdo komunë, në veri apo në jug, në lindje apo në perëndim dhe t’i thuash që unë e mbaj fjalën, unë e mbaj premtimin. Sali Berisha e mban fjalën, Sali Berisha e mban premtimin”, - deklaroi Topalli. Ajo tha më tej se në mandatin e ardhshëm, PD-ja do të ndryshojë më tej Shqipërinë. “Unë, Jozefina Topalli, ju premtoj sot të gjithë ju burrave edhe grave se shumë më tepër investime do të ketë për Fushë-Arrëzin në mandatin e dytë të PD-së. Mbajeni mend, po të doni mbajeni edhe shënim: Fushë-Arrëzi do të ketë shumë më tepër investime në mandatin e dytë dhe ne fjalën e mbajmë dhe premtimet i kthejmë në realitet”, - deklaroi znj. Topalli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›