E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyqet politike të gjyqtarëve të Kushtetueses



Disa nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, në rast se ligji i dosjeve do të hynte në fuqi, do të humbnin me siguri vendin e punës. Ligji i lustracionit përcakton se në sistemin e drejtësisë nuk ka vend për individë që kanë dënuar qytetarë politikisht në kohën e diktaturës. Në fakt, me disa prej anëtarëve të kësaj gjykate, një fakt i tillë ka ndodhur. Një faksimile e vendimit të Gjykatës së Fierit në datën 9 prill 1981, kur Gjykata drejtohej nga Fehmi Abdiu, ka dënuar një qytetar me 10 vjet burg se kishte bërë agjitacion e propagandë, kishte një të kaluar të keqe si dhe kishte një personalitet të keq. Në vitin 1981, kryetari i Gjykatës së Fierit Fehmi Abdiu, dënoi qytetarin Selim Meta me 10 vjet burg, sepse sipas vendimit të kësaj gjykate, kishte personalitetin e keq dhe kishte bërë propagandë kundër shtetit. Por kjo nuk mbaron këtu, pasi qytetari që u dënua, i quajtur Selim Meta, kishte vuajtur më parë 15 vjet burg. Selim Meta u dënua përsëri për agjitacion e propagandë nga kryetari i Gjykatës Abdiu, ndonëse ishte babai i shtatë fëmijëve. Por në këtë vendim gjykate, gjyqtari Abdiu i ngarkoi shpenzimet e gjyqit. Vendimi dënon më tej qytetarin Meta, sepse ai ndalohet të votojë për 5 vite.

Por çfarë kishte thënë Selim Meta që ishte cilësuar si propagandë antishtet? Sipas procesverbalit të gjyqit, një qytetar tjetër kishte dëshmuar se Meta kishte thënë në praninë e tij se “ky pushtet na mori tokën, e pasurinë” dhe se “ky pushtet nuk do ta ketë të gjatë”. Sipas këtij dëshmitari, Selim Meta kishte thënë më tej se Balli Kombëtar kishte çliruar Shqipërinë dhe se ata duhet të shpallen dëshmorë dhe jo partizanët. Kjo i kushtoi Selim Metës 10 vjet burg të tjera, pas 15 viteve që ai kishte bërë një herë.

Njëkohësisht edhe Petrit Plloçi rezulton se është përfshirë në dhënien e vendimeve politike në kohën e diktaturës. Në Gjykatën e Shkodrës, në datën 17 shtator të vitit 1988, Petrit Plloçi ka dhënë një vendim me 4 vite burg ndaj një qytetari me akuzën e agjitacionit dhe propagandës.

Në listën e gjykatësve që kanë dhënë vendime politike në kohën e diktaturës, rezulton edhe Kujtim Puto, i cili ka marrë pjesë në cilësinë e gjyqtarit në dhënien e vendimit penal të dënimit nr. 26, datë 12.3.1981, për veprën penale politike të agjitacionit dhe propagandës kundër shtetit; vendimit nr. 147, datë 31.12.1975, për veprën e agjitacionit dhe propagandës kundër pushtetit popullor; vendimit nr. 105, datë 25.11.1975, për veprën penale politike të agjitacionit dhe propagandës.

Fehmi Abdiu

Anëtari i Gjykatës Kushtetues si dhe ish-kryetari i kësaj gjykate, Fehmi Abdiu, ka marrë pjesë në cilësinë e gjyqtarit në dhënien e vendimit penal nr. 79, datë 9.4.1981, për veprën penale politike të agjitacionit dhe propagandës kundër shtetit; vendimit nr. 259, datë 11.9.1987, për veprën penale politike të agjitacionit dhe propagandës; vendimit nr. 70, datë 20.3.1987, për veprën penale politike të agjitacionit dhe propagandës.

Petrit Plloçi

Anëtari i Gjykatës Kushtetuese Petrit Plloçi ka marrë pjesë në cilësinë e gjyqtarit në dhënien e vendimit penal nr. 17 datë 20.1.1998 për veprën penale politike të arratisjes jashtë shtetit; vendimit nr. 242 datë 17.9.1988, për veprën penale politike të agjitacionit dhe propagandës; vendimit nr. 94, datë 3.4.1989 për veprën penale politike të arratisjes jashtë shtetit.

Kujtim Puto

Anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Kujtim Puto, ka marrë pjesë në cilësinë e gjyqtarit në dhënien e vendimit penal të dënimit nr. 26, datë 12.3.1981, për veprën penale politike të agjitacionit dhe propagandës kundër shtetit; vendimit nr. 147, datë 31.12.1975, për veprën të agjitacionit dhe propagandës kundër pushtetit popullor; vendimit nr. 105, datë 25.11.1975, për veprën penale politike të agjitacionit dhe propagandës; vendimit nr. 58, datë 2.7.1980, për veprën penale politike të agjitacionit dhe propagandës kundër shtetit.

Këshilli i Ministrave, argumentet ligjore për tërheqjen e 4 gjyqtarëve

Përpara gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, përfaqësuesi i Këshillit të Ministrave lexoi arsyet se pse 4 nga anëtarët e kësaj gjykate duhet të tërhiqen nga shqyrtimi i ligjit të lustracionit. Përfaqësuesi i qeverisë, Viktor Guni, tha se gjyqtarët, konkretisht Vladimir Kristo, Petrit Plloçi, Fehmi Avdiu dhe Kujtim Puto, duhet të tërhiqen nga dhënia e vendimit për këtë ligj, për shkak se kanë konflikt interesi. Me faksimile, që tregonin gjyqet e ish-diktaturës komuniste, Guni tregoi se katër gjyqtarët në fjalë kanë dhënë vendime ose kanë qenë pjesëmarrës në gjyqe politike të diktaturës. “Bindja që ata që nuk e njohin të kaluarën e tyre janë të dënuar ta përsërisin atë dhe që asnjë akt i paligjshëm në emër të shtetit kundër shtetasve të tij nuk mund të mbrohet nga sekreti apo të harrohet”, - u ka argumentuar Viktor Guni gjyqtarëve, me kolegen e tij Marsida Xhaferllari. “Gjykata Kushtetuese nuk është një shkallë e dytë legjislative, tek e cila mund të ankohesh për të kundërshtuar ose ndryshuar, nëpërmjet një vlerësimi politik të oportunitetit, zgjedhjet e bëra nga përfaqësues të zgjedhur në Parlament. Gjykata Kushtetuese qëndron për të ruajtur “kufijtë”. Nëse ligjvënësi qëndron brenda kufijve të Kushtetutës (dhe parimet kushtetuese lënë hapësirë të madhe për zgjedhjet e ligjvënësit), Gjykata Kushtetuese nuk ka pushtet për të censuruar vlerësimet, edhe nëse ato i duken asaj të papërshtatshme ose defektoze”, - ka shpjeguar më tej kërkesën, Guni. Ai tha më tej se të përcaktosh kufirin, është një operacion jo i lehtë. Viktor Guni u shpreh më tej se kjo “kërkon mbi të gjitha, nga ana e Gjykatës Kushtetuese një vetëkufizim rigoroz të pushteteve të saj (self-restraint) në masa edhe pse metajuridike, objektivisht të bazuara në normat kushtetuese, pa ndërhyrë në zgjidhjet e operuara nga legjislatori. Së bashku me kolegen e tij, Marsida Xhaferllari, përmendën edhe nenin 81 të Kushtetutës, konkretisht paragrafin e dytë që ka përcaktuar në një listë të fundme, ligjet të cilat miratohen me tre të pestat e të gjithë anëtarëve të Kushtetueses, ku bie në sy se objekti i këtyre ligjeve janë çështje të rëndësishme të prekura nga Kushtetuta dhe që vendosin shtyllat bazë të organizimit shtetëror. Sipas tyre, në këtë listë nuk bën pjesë ligji për pastërtinë e figurave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›