Zgjedhjet, Shehu: Ish-Blloku, jo më bastion i PS-së
Një fushatë e gjerë po ndërmerret nga Partia Demokratike në Tiranë, por në zonën e ish-Bllokut vërehet se fushata është më e nxehtë. Kjo zonë në kryeqytet është mbajtur si bastion në vite i Partisë Socialiste, por drejtuesit lokalë të PD-së shprehen të bindur se në këto zgjedhje, zona e ish-Bllokut do të kthehet blu. Ferdinand Shehu, drejtuesi i Partisë Demokratike për këtë zonë, shprehet se zona e ish-Bllokut nuk do të ketë më mitin e një bastioni. Ai shprehet i bindur se votuesit, më 28 qershor të këtij viti, do të votojnë ndryshe. Ndërkohë, PD-ja në këtë zonë ka shtuar aktivitetet e saj dhe takimet e gjera me banorët. Ndryshe nga herët e tjera, vetëm në këtë zonë, nën kujdesin e Shehut, janë hapur mbi 12 zyra elektorale të PD-së, të cilat po përdoren për të folur dhe këshilluar me banorët. Ferdinand Shehu shprehet se me votuesit e kësaj zone, PD-ja ka një bashkëbisedim të gjerë. Sipas tij, zyrat elektorale për takimet me banorët janë hapur në të gjitha qendrat e kësaj zonë, si afër “Vasil Shantos”, afër shkollës “Petro Nini Luarasi”, tek stadiumi “Selman Stërmasi”, në Bllok etj. Në vitin 2005, kandidati i PD-së humbi zgjedhjet në këtë zonë vetëm për disa dhjetëra vota, ndërsa kësaj here, PD-ja ndihet e sigurt në fitoren e kësaj zone.