E Diel, 1 Nëntor 2026

Nobeli për Obamën dhe “beteja” diplomatike SHBA-Evropë

Agim Neza 

Presidenti Obama mori dje çmimin Nobel për Paqen, të dhënë nga Evropianët (Norvegjezë) në një ceremoni madhështore. Natyrshëm në këto momente lindin disa pyetje; Pse Evropianët vlerësojnë një President Amerikan, i cili është në fillimet e mandatit të tij?  A janë marrëdhëniet midis Amerikës me Evropën shumë të mira?  A ka ndonjë prapaskenë në dhënien e këtij çmimi apo Presidenti Obama e meriton atë? Sa kanë ndikuar dhe ndikojnë për shqiptarët marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Evropës?
   Marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Evropës kanë qenë eklektike, me ngritje dhe uljet e saj gjatë periudhave të ndryshme.   Dy lufta botërore e kanë zanafillën në Evropë. Si rezultat i këtyre luftërave pati humbje të mëdha në njerëz dhe dëmtime në ekonominë Evropiane.
   Lufta e Ftohtë i dha mundësinë Evropës për t’u rimëkëmbur ekonomikisht, por gjithmonë nën ankthin e pushtimit dhe të kërcënimeve të ndonjë lufte midis ish Bashkimit Sovjetik dhe Amerikës. Për një gjysmë shekulli pushteti i Sovjetëve mbajti nën kthetra shpirtrat e shumë evropianëve të Evropës Lindore. Evropianët gjithmonë jetonin nën kërcënimin e fillimit të ndonjë lufte, pa ditur se kur ajo mund të fillonte dhe se si do të përballohej.     Midis viteve 1945 dhe 1991, Evropa Lindore jetoj në një konfrontim me Bashkimin Sovjetik. Evropianët jetonin nën frikën e pushtimit Sovjetik, dhe megjithëse e provokuar, kurrë nuk iu dorëzua Bashkimit Sovjetik. Kjo nënkupton se Evropianët ishin të detyruar të varen tek Shtetet e Bashkuara, për t’u mbrojtur dhe për të ruajtur stabilitetin e tyre ekonomik. Se si Amerikanët dhe Rusët do gjykonin njëri-tjetrin do të ndikonte nëse do të shpërthente ndonjë luftë dhe jo se çfarë mendonin evropianët. Çdo veprim agresiv i Shteteve të Bashkuara, sado i vogël, zmadhohej njëqindfish në mendjet e evropianëve, kjo për faktin se ata i frikësoheshin reagimit të Bashkimit Sovjetik. Në fakt, Amerikanët kanë qenë shumë më të përmbajtur se sa evropianët gjatë Luftës së Ftohtë. Duke iu kthyer të kaluarës, pozicioni i SHBA në Evropë ka qenë pasiv. Në mendjen e evropianëve, Amerikanët para 1945 ishin çlirimtarë. Mbas 1945, ata ishin mbrojtës, por mbrojtës që nuk mund të besoheshin për të shmangur një luftë tjetër.  Eksperti Amerikan për çështjet ndërkombëtare të sigurisë, George Friedman thekson se: “Tema që dominonte mendimin evropian rreth SHBA-së ishte se amerikanët ishin shumë të papjekur, shumë të ndryshueshëm dhe shumë të fuqishëm për t’iu besuar. Nga pikëpamja amerikane këta ishin të njëjtët evropian, të cilët u angazhuan me ashpërsi në mënyrë të pashembullt ndërmjet viteve 1914 dhe 1945, secili duke u mbështetur në forcat e veta, dhe periudha mbas 1945 - kur Amerikanët dominonin Evropën – ishte një periudhë më paqësore dhe më me prosperitet sesa periudha e mëparshme...”
Shtetet e Bashkuara dhe Evropa pas Luftës së Ftohtë.
Viti 1991 shënoi fundin e Luftës së Ftohtë. Për herë të parë që nga viti 1914, evropianët po ndiheshin të sigurt dhe ndjenin shpresat për mirëqenie dhe sovranitet. Evropianët që po e ndjenin më shumë këtë erë ndryshimi ishin ballkanasit.
  Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, akti terrorist i 11 shtatorit ndryshoi gjithçka. Dëshira e Amerikanëve për paqe dhe për të zgjidhur problemet në mënyrë paqësore dukej se kishte qenë vetëm një utopi, në veçanti me ato vende që ishin bazë dhe bashkëpunëtorë të terrorizmit. Natyrshëm, pas këtij akti terrorist ku humbën jetën mbi 3000 qytetarë të pafajshëm në kullat binjake, amerikanët do të reagonin ashpër për të parandaluar akte të tilla terroriste jo vetëm në SHBA, por edhe në shtetet e Evropës. Evropianët u solidarizuan me veprimet e Administratës Amerikane dhe shprehën simpati dhe gatishmëri për bashkëpunim.  Presidenti Bush reagoj ashpër, por gjithmonë duke u konsultuar me evropianët. Për fat të keq “thirrjes së Bushit” për të bashkëpunuar në luftën kundër terrorizmit, ndonjë shtet e refuzoi. Kjo bëri që përsëri evropianët të fillojnë të ndjehen përsëri të pasigurt dhe në analet e brendshme diplomatike evropiane të lançohet rreziku i Luftës së Ftohtë. Për të gjithë do të ishte e kuptueshme se përsëri Lufta e Ftohtë rrotullohej te dëshira e Rusisë për të dominuar në Evropë, në përpjekje për të treguar se akoma ishte faktor dhe në “diplomacinë e dyerve të mbyllura” përpiqej të dërgonte mesazhet se Amerika nuk mund të vepronte pa miratimin e Rusisë. Mentaliteti i vjetër evropian sëbashku me frikën e vjetër përkundrejt SHBA, dukej se u rikthye!.
   Në ditët e sotme, ku në krye të administratës së Washingtonit është Presidenti Obama, duket se kemi një optimizëm të evropianëve, kjo për faktin se Presidenti Obama sapo erdhi në krye të Shtëpisë së Bardhë ka premtuar se do të konsultohet me evropianët për çështjet e rëndësishme globale. Nga ana tjetër evropianët, në bisedimet e tyre konfidenciale e konsiderojnë Obamën një lider që i ngjason Kenedit dhe Klintonit. Këta të fundit janë dy liderët amerikanë që kanë gëzuar simpatinë e evropianëve.
   Megjithatë, diplomacia Amerikane e drejtuar nga Obama nuk është ajo e viteve 1990, kur u përmbys komunizmi dhe u shpërbë Bashkimi Sovjetik, ashtu siç nuk është as periudha pas 11 shtatorit. Pavarësisht nga dëshira e Presidentit Obama për të zgjidhur shumë çështje globale me bisedime diplomatike, që nënkupton në mënyrë paqësore dhe me mirëkuptim, Presidentin Obama është duke u përballur dhe do të përballët me shumë sfida në të ardhmen. Sfidat aktuale të Obamës janë Afganistani dhe Irani, si dhe ngritja e Rusisë që nga dita në ditë duket se po i ngjason ish Bashkimit Sovjetik
  Nga ana tjetër është e vështirë të imagjinohet se si Presidenti Obama do të përballojë këto rreziqe pa ndërmarrë veprime konkrete, qofshin këto edhe ndërhyrje ushtarake, veprime që do të ishin kundër dëshirës së Evropës për faktin se Evropa nuk dëshiron të prish “rehatinë” e saj, aq më tepër që Amerika të ndërmarrë veprime pa miratimin e shteteve të fuqishme evropiane.
 Ndoshta, një ndër arsyet që norvegjezët i dhanë çmimin Nobel për Paqe Presidentit Obama, është se ata kanë besim te Presidenti Obama dhe se ai do t’i lërë evropianët në qetësinë e prosperitetit, duke mos bërë “kërkesa të paargumentuara”. Me një fjalë ata (evropianët) që i dhanë çmimin e paqes Obamës, mendojnë se Obama do të evitojë luftën. Ky është definicioni i çmimit të Paqes dhe Presidenti Obama ka gjasa ta mbajë këtë premtim, sipas analistëve të politikës ndërkombëtare. Vështirësitë më të mëdha në parashikime janë Irani dhe Afganistani, të cilat konsiderohen “vatra të nxehta” për diplomacinë evropiane dhe atë botërore në tërësi. Nëse bisedimet me Iranin nuk shkojnë sipas parashikimeve amerikane, atëherë Çmimi Nobel që mori Presidenti i “ëndrrave” të atyre që i dhanë çmimin do të bëjë që fantazia e paqes të mos jetë realitet. Pavarësisht kënaqësisë që mund të ketë ndjerë Presidenti Obama për çmimin e Paqes (ku akoma nuk ka mbushur një vit të mandatit të tij si President, dhe për të arritur në finish Presidenti Obama ka një rrugë të gjatë), Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten Shtete të Bashkuara dhe ky është ankthi që përjeton Evropa çdo ditë! Pra Presidenti Obama është drejtuesi i strategjisë së madhe Amerikane, që përpiqet të minimizojë rreziqet dhe që kërkon mënyra për të imponuar zgjidhje me kosto sa më të ulët. “Beteja” diplomatike midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Evropës nuk është një betejë liderësh apo individësh, natyrisht që çdo lider ka rolin e tij të veçantë, por çdo shtet ka strategjitë nëpërmjet të cilave synon zhvillimin e vendit dhe dëshirën për të qenë faktor në vendimmarrjet e ndryshme me karakter global. Me të drejtë, analisti i studimeve politike Zbigniev Brzezinski ne librin e tij “ Zgjedhja; dominim global apo udhëheqje globale(“The Choice; Global domination or global leadership”) shkruan se: “Evropa po përpiqet të bëhet garuese dhe mund të bëhet garues në të ardhmen, por me sa duket i duhet kohë për të arritur shkallen e unitetit, që do t’i mundësojë asaj të garojë politikisht. Ndërsa fakti që Amerika ka ndikim të veçantë global politik, e bën atë të jetë në fokusin e ambicies dhe zilisë madje për ndonjë vend të veçantë edhe të urrejtjes së thellë”.
  Pavarësisht nga ambicia që mund të kenë shtete të ndryshme ndaj Amerikës, për mendimin tim realiteti tregon se në këto momente Shtetet e Bashkuara të Amerikës luajnë rolin e liderit në botë dhe janë faktori më i rëndësishëm për stabilitetin dhe paqen! 
  Në këtë “betejë” diplomatike midis SHBA dhe Evropës nuk mbetet jashtë edhe Shqipëria, pavarësisht se roli i saj është modest. Fakti që Shqipëria sot është anëtare e NATO-s, dhe natyrisht për anëtarësimin e vendit tonë në këtë organizëm të rëndësishëm një rol të veçantë kanë luajtur Shtetet e Bashkuara, dhe nga ana tjetër “perdja e hekurt” e Brukselit për të mos lejuar shqiptarët të lëvizin pa viza, apo për ta na lënë edhe disa muaj si një vend “të izoluar mysliman” në zemër të Evropës, tregon se me dashje apo pa dashje edhe Shqipëria si çdo shtet tjetër mund të “fitojë” ose “të humb” në betejën midis SHBA dhe të fortëve të Evropës!? Shqiptarët për hir të vërtetës gjer tani kanë fituar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kjo nënkupton vendosmërinë e SHBA për të mbrojtur dhe mbështetur popullin shqiptar, që kur Presidentit Amerikan Wilson deklaroi: “ ...Kam një votë dhe atë do ta jap për Shqipërinë”, për të vazhduar më vonë me shpëtimin e popullit Kosovar nga genocidi Serb dhe krijimin pas kësaj të shtetit të pavarur  të Kosovës dhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
   Pra ne shqiptarët nga Amerika kemi fituar, por lind pyetja, nga kjo “betejë”, a kemi humbur apo fituar nga Evropa? Argumenti dhe logjika është e thjeshtë; Ne jemi anëtar të NATO-s, Serbia dhe Maqedonia nuk janë anëtar të NATO-s, ata morën të drejtën nga Brukseli të lëvizin pa viza, ne jemi në pritje për të plotësuar ato kushte që Serbia dhe Maqedonia nuk i kanë plotësuar akoma për t’u anëtarësuar në NATO?! Anëtarësimi në NATO nuk është thjesht forcë ushtarake, por plotësim i standardeve demokratike, dhe këtë e dinë shumë mirë zotërinjtë e Brukselit?! Shqipëria i ka plotësuar për të qenë anëtare e NATO-s. Nëse Brukseli do të vonojë lëvizjen e lirë të shqiptarëve(heqjen e vizave për shqiptarët), Brukseli nuk duhet të habitet nëse së afërmi Shtetet e Bashkuara mund të vendosin të heqin vizat për shqiptarët! Megjithatë shqiptarët edhe për Evropën ruajnë konsiderata të veçanta, madje pas shembjes së komunizmit, thirrjet e të rinjve ishin se e duam Shqipërinë si Evropa, pavarësisht se Evropa gjatë viteve të fundit në marrëdhëniet me Shqipërinë ka përdorur më shumë teorinë “tërhiq e mos e këput!.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›