E Diel, 1 Nëntor 2026

Katolikët e dinë se ku duhet të shkojnë..

Nard Ndoka 

Në respekt të së vërtetës dhe jo për replikë, as me zëdhënësin e Konferencës Ipeshkvnore, as me z.Edi Lesi, po përpiqem me pak rreshta të informoj opinionin nëpërmjet këtij shkrimi, se Partia Demokristiane është dhe do të mbetet një tribunë e fuqishme e përfaqësimit të filozofisë dhe vlerave kristiane në Shqipëri, të bindur se kështu përfaqësojmë identitetin tonë natyral dhe garantojmë një të ardhme më të mirë dhe më humane për shoqërinë tonë, për qytetarët tanë të të gjithë besimeve, për të cilët ende Evropa është një ëndërr e mbetur pezull.
Ne, demokristianët, natyrisht që u tronditëm kur dëgjuam deklaratën e zëdhënësit të Konferencës Ipeshkvnore, kundër partisë tonë, sepse nuk ka ndodhur dhe nuk mund të ndodh që një institucion fetar të shprehet kundër një force të caktuar politike, sepse tek ne me Kushtetutë feja është e ndarë nga shteti e politika dhe e konsiderojmë këtë një parametër shumë të rëndësishëm të funksionimit demokratik të shoqërisë tonë. Aq më pak ne nuk e prisnin një deklaratë të tillë nga institucioni i Kishës Katolike, të cilën ne e konsiderojmë një partner të rëndësishëm, për shkak të parimeve dhe vlerave të përbashkëta që ndajmë. Partia Demokristiane shprehu keqardhjen e saj të thellë për përdorimin politik të zëdhënësit nga pushteti i sotëm dhe e konsideroi deklaratën si një përpjekje për të implikuar në politikë institucionin e Kishës Katolike.
Partia Demokristiane e Shqipërisë, si të gjitha partitë demokristiane në Evropë dhe në botë, nuk është një parti fetare. PDK-ja është parti politike që e mbështet programin e vet në filozofinë kristiane dhe evropiane, të familjes dhe dinjitetit të njeriut, lirisë dhe përgjegjësisë, drejtësisë dhe ligjit, solidaritetit dhe besimit. Partia Demokristiane, si parti që udhëhiqet nga filozofia kristiane mbron vlerat kristiane dhe ka si bazë kryesore elektorale komunitetin kristian dhe më gjerë dhe është e angazhuar maksimalisht për përfaqësimin e këtij komuniteti, por edhe të gjithë qytetarëve që besojnë në vlerat dhe filozofinë kristiane. PDK-ja nuk ka heshtur dhe nuk mund të heshtë, kur votat e zgjedhësve demokristianë grabiten barbarisht nga pushteti, nga PD-ja dhe togat e zeza të ushtarëve të saj të vjedhjes së votave. Ne nuk mund të heshtim, kur shikojmë një diskriminim të komunitetit katolik dhe një përçmim të vlerave kristiane dhe evropiane nga një kryeministër, i cili me agresivitetin dhe brutalitetin e tij shfaqet çdo ditë në ekranet e televizioneve si një rrënues i vlerave, jo vetëm kristiane, por edhe qytetare e kombëtare, duke përfolur e nëpërkëmbur dinjitetin e njerëzve dhe të shoqërisë tonë në përgjithësi.
Ne kemi shprehur shqetësimin tonë se qeveria e tanishme e z.Berisha është e vetmja qeveri në Evropë pa përfaqësues të komunitetit katolik, edhe pse shumë qytetarë të besimit katolik e kanë votuar këtë parti, me shpresën e rreme se do të dijë të përfaqësojë dhe ekuilibrojë interesat e të gjithë komuniteteve. Për fat të keq, ashtu siç janë titullarët, ashtu janë edhe institucionet që ata drejtojnë. Në administratën e lartë shtetërore, referuar listës së zyrtarëve që deklarojnë pasurinë në bazë të ligjit, vetëm 1.8 për qind, janë të besimit katolik, kurse në sistemin e drejtësisë vetëm 2.7 për qind e punonjësve janë të besimit katolik. Ne mund të rendisim këtu edhe shumë tregues të tjerë statistikorë, që dëshmojnë diskriminimin e heshtur të qytetarëve të besimit katolik nga pushteti i sotëm dhe për ne ky është një fenomen shumë shqetësues sepse lëkund dhe godet përpjekjet e shumë brezave për të krijuar harmoni dhe barazi midis komuniteteve dhe vetëdijen se të gjithë jemi shqiptarë dhe se ndryshimet, qofshin këto edhe në përkatësitë fetare, janë faktorë që na bashkojnë dhe jo na ndajnë, për çka edhe Partia Demokristiane është investuar maksimalisht gjatë këtyre viteve.Ne nuk do të ishim habitur nëse Konferenca Ipeshkvnore do të reagonte, për të mbrojtur të drejtën e përfaqësimit politik në të gjithë nivelet e përfaqësuesve të komunitetit katolik në institucionet e shtetit shqiptar, por kur zëdhënësi i kësaj konferencë bëri të kundërtën duke u shprehur se Partia Demokristiane bën gabim që mbron përfaqësimin e komunitetit katolik, mendoj se u nxitua në qëndrimin e vet. Ne nuk pretendojmë që përfaqësojmë të vetëm komunitetin katolik në Shqipëri, por vetëm ne kemi ngritur zërin për të drejtat e këtij komuniteti. Do të dëshironim që edhe në PD të flisnin për këtë diskriminim përfaqësimi edhe në parti të tjera që janë pjesë e kësaj maxhorance. Nuk mendoj që prishet harmonia fetare, as raportet, por vendosen disa balanca, të cilat tashmë janë të domosdoshme për t’u respektuar, qoftë edhe për të mos i lënë vend asnjë keqkuptimi, megjithëse statistikat flasin për diskriminim tendencioz. Këto janë disa nga argumentet, por dhe shumë të tjera që nuk mund t’i bëj publike për të ruajtur një farë etike me realitetin në të cilin jetojmë. Së fundmi, dua t’i rikthehem një shkrimi të z. Lesi (Edi) i cili në tekstin e tij pretendon të bëjë avokatin e Kishës dhe Prokurorin e PDK-së.
Së pari, Edi ose nuk ka lexuar deklaratën e zëdhënësit, ose kërkon të bëjë rolin e “fratit politik”. Zëdhënësi ka përmendur Partinë Demokristiane dhe kjo është përfshirje e Kishës në politikë. Ne, duke ruajtur gjithë respektin për Institucionin e Kishës, u shprehem se çdo përpjekje për ta përfshirë Kishën në politikë, është e gabuar, e papranueshme dhe nuk përputhet me misionin e shenjtë që ky institucion ka para besimtarëve të vet. Ky qëndrim është i njohur, i pranuar dhe është platformë e të gjitha partive demokristiane dhe kristiandemokrate, por këto parti kanë pasur dhe kanë bashkëpunim të ngushtë me institucionin e Kishës, sepse janë vlerat dhe filozofia kristiane që i bashkon. Partia Demokristiane e Shqipërisë ka gjithë vullnetin për ta forcuar dhe zgjeruar këtë bashkëpunim, sepse për shumë çështje që sot shqetësojnë shoqërinë, si aborti, martesat brenda gjinisë, familja dhe vlerat e saj, kemi të njëjtin qëndrim dhe udhëhiqemi nga të njëjtat parime. Ne kemi bindjen e palëkundur se edhe përfaqësuesit e Konferencës Ipeshkvnore ecin në traditën e mrekullueshme të klerit katolik shqiptar, që u sakrifikua për fe e atdhe dhe ka një kontribut të jashtëzakonshëm në krijimin e identitetin tonë shpirtëror e kulturor evropian. Kjo është një arsye më shumë që ne të vazhdojmë të bashkëpunojmë e kontribuojmë në të mirë të vendit tonë dhe të qytetarëve tanë.
Së dyti, unë dua t’u kujtoj Leseve, se Partia Demokristiane për herë të parë në historinë e saj është përfaqësuar në qeveri, në kohën kur unë e kam drejtuar këtë parti. PDK-ja nga një parti periferike u kthye në qendër të politikës, pikërisht kur rreth saj u mblodhën disa deputetë të besimit katolik dhe jo vetëm, por dhe shumë intelektuale që e mbështeten alternativën kristiane në parlament dhe në publik.
PDK-ja arriti rezultatin e saj historik me 4.5% të votave në zgjedhjet e 2007, tre herë më të lartë se sa kur drejtohej nga z. Nikollë Lesi, i cili ishte i vetmi demokristian në botë, që dilte në fushatë me slloganin “Arrestime dhe investime”! Të mos harrojmë se pas zgjedhjeve të vitit 2005, Nikollë Lesi doli hapur në kundër PD-së, sepse Berisha e kishte “ngrirë” kur ishte në krye të PDK-së dhe e “gradoi” kur doli kundër saj, siç ka graduar dhe shpërblyer edhe individë të tjerë që qarkullojnë në pazarin e ulët të politikës. Z Edi Lesi, meqenëse ka jetuar në Shqipëri, duhet ta dijë luftën speciale që i është bërë PDK gjatë viteve të fundit nga partia në pushtet, luftë që u finalizua me grabitjen e votës së demokristianëve në zgjedhjet e fundit parlamentare. Dhe kjo luftë e verbër politike, pati pasoja jo vetëm për përfaqësimin politik të PDK, por edhe të krejt komunitetit katolik, siç dëshmojnë edhe statistikat që përmenda më sipër. Gjithsesi, demokristianët nuk dështuan, nuk u mposhtën, nuk u treguan pragmatistë ndaj pushtetit, nuk u treguan komformistë, por qëndruan në të drejtën e tyre. Zoti Edi Lesi shqetësohet se demokristianët nuk kanë një De Gaspër, por harron se as Shqipëria nuk ka sot e gjithë ditën një De Gasper, një De Gol apo një Vaclav Havel, po qeveriset nga një ish mjek i bllokut me një stazh njëzet e pesëvjeçar në Partinë e Punës dhe që për ironi të fatit u pranua në atë parti kriminale, në ato vite kur kishat  dhe institucionet e tjera të kultit shembeshin e digjeshin dhe kur klerikët katolikë vriteshin, burgoseshin e internoheshin. I tillë është realiteti shqiptar dhe ne do të bëjmë gjithçka për ta ndryshuar.
Sot mund të deklaroj me bindje të thellë se Partia Demokristiane ka shumë intelektualë, politikanë dhe drejtues me vlera, qe do të dinë të dalin përtej skemave asgjësuese të projektuara nga segmentet ekstremiste të e PD-se. Dhe kam bindjen se edhe ju, z.Edi, do të jeni pjesë e këtij misioni fisnik të demokristianëve me kontributin tuaj. Katolikët, pra të parët tanë, e kanë ditur me kohë se ku duhej të shkonin. Edhe në rrugën tonë e kemi të qartë dhe asgjë nuk do të na pengojë. Ne jemi nisur vite më parë drejt Evropës, na pengoi regjimi komunist për disa dekada, na ngadalësoi Sali Berisha për disa vite, por nuk mund të na pengojë më askush në këtë mision historik për vendin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›