Rama: Berisha, njerëz me pahir në miting
Kryetari socialist Edi Rama mblodhi dje deputetët socialistë në një kokteil me rastin e pranimit të PS-së si anëtare në Partitë socialiste Evropiane. Dy ditë pas kthimit nga Praga, ku zhvilloi punimet kongresi i Partive socialiste Evropiane, kreu socialist tha se është ogur i mirë pranimi i PS në këtë bashkim socialistësh evropiane më 8 dhjetor, në 19 vjetorin e nisjes së lëvizjes studentore në Tiranë. Rama gjatë fjalës së tij e quajti një moment historik për Partinë Socialistë dhe për të gjithë anëtarët e saj, socialistë e progresistë, pranimin e forcës politike që drejton në gjirin e PSE në kongresin e Pragës. Edi Rama theksoi se ky është një ogur i mirë që erdhi pikërisht në një datë të shënuar, 19 vjet pas daljes nga bunkeri komunist.
“Nuk do të ngurroja ta quaja ogurmirë futjen tonë në Partinë Socialiste Evropiane më 8 dhjetor, 19 vjet pas 8 dhjetorit që lëvizi derën e bunkerit, ku Shqipëria qëndroi e ndryrë dhe krejt e izoluar nga Evropa e bota për thuajse gjysmë shekulli. S’ka dyshim s’e askush prej nesh atëherë, në ditët e ndryshimit të madh të epokave, s’mundej të parafytyronte dot shumë nga gjërat që ndodhin sot, kaq shumë vjet më vonë, kur me sytë e atëhershëm na dukej se pas njëzet vjetësh do të kishim mbërritur në hënë, përderisa arritëm të dalim nga bunkeri i komunizmit”, u shpreh Rama. Duke iu përmbajtur datës së shënuar, kreu socialist shfrytëzoi rastin dje të ironizonte mitingun e festës që PD organizoi më 8 dhjetor. “Ashtu sikundër askush nuk mund ta parafytyronte atëherë se, më 8 dhjetor të vitit 2009, pikërisht partia e dalë prej lëvizjes që shembi bunkerin komunist, do t’i mblidhte njerëzit në Sheshin “Skënderbej”, me hir e me pahir për të festuar nën tingujt e gjuhës së urrejtjes ndaj opozitës”, u shpreh kreu socialist. Rama falënderoi dhe deputetët socialistë për pozicionin e tyre të bojkotit ndaj parlamentit, si kusht për hapjen e kutive të votimit. “Unë dua t’i falënderoj të gjithë, në radhë të parë të gjithë deputetët tanë, që po luajnë me kurajë e largpamësi një rol të pazëvendësueshëm në këtë betejë jetike për demokracinë e shtetin e së drejtës dhe dua të uroj shëndet e mbarësi për çdo anëtar të familjes sonë të madhe politike”, u shpreh Rama.