E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Në mes të majit, fituesi i projektit për bulevardin

28-04-2012 / Gazeta 55

Kryebashkiaku Lulzim Basha fton investitorët anglezë në realizimin e projekteve të zhvillimit të Tiranës

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, priti në një takim ambasadorin e ri të Britani së Madhe në Tiranë, Nicholas Cannon. Në këtë takim, Basha bëri një prezantim të projekteve të tij për zhvillimin e Tiranës ku zhvillimi ekonomik, punësimi dhe përmirësimi i cilësisë së jetës, janë fokusi kryesor.
Basha u ndal në projektin e zgjatimit të bulevardit dhe rehabilitimit të lumit të Tiranës, një projekt që prek 20 për qind të territorit të Tiranës. Shtatë ndër 20 studiot më të mira të botës morën pjesë në këtë konkurs, duke ilustruar kështu jo vetëm rëndësinë që ka një projekt i këtyre përmasave, por edhe besimit që sektori i profesionistëve në rrafshin global ka tek energjia pozitive e qytetit të Tiranës. Dy kompani të njohura me seli në Britaninë e madhe, DAR dhe Grimshaë, vazhdojnë të jenë ende në konkurrim dhe pritet që së bashku me miratimin nga grupi strategjik, të draftit të parë të Planit Rregullator, të përzgjidhet edhe fituesi i këtij konkursi. Dy projekte të tjera strategjike janë edhe ndërtimi i terminalit dhe i dy linjave të tramit për të cilat ka një interes të madh.
Kryebashkiaku Basha tha se biznesi britanik është i mirëpritur të bëhet pjesë e projekteve të zhvillimit të Tiranës, ndërsa garantoi se bërja e Tiranës një qytet atraktiv për investitorët, është prioriteti i tij. “Përmirësimi i cilësisë së jetës përmes shtimit të hapësirave të gjelbra, është një tjetër objektiv i Bashkisë së Tiranës”, tha Basha.
Kryetari i Bashkisë bëri të ditur synimin për të dyfishuar në katër vite hapësirat e gjelbra në kryeqytet. Brenda këtij viti pritet të mbillen të paktën 10 mijë pemë të reja si dhe të ndërtohen disa lulishte në lagjet e Tiranës disa prej të cilave kanë nisur tashmë. “Pjesëmarrja e qytetarëve në vendimmarrje është një tjetër prioritet”, tha Basha.
Banorët e Tiranës dhanë një kontribut të rëndësishëm në konsultimet për buxhetin e vitit 2012, për përzgjedhjen e projektit të bulevardit dhe rehabilitimin e lumit të Tiranës  përmes shprehjes së mendimit të tyre dhe sugjerimeve, ndërsa së shpejti nis konsultimi për Planin Urbanistik, hartimi i të cilit po bëhet nga ekspertët më të mirë në vend.
Basha bëri të ditur se në javët e para të muajit maj, drafti i detajuar i Planit Rregullator të Tiranës do t’i dorëzohet Grupit Strategjik, për një vendimmarrje të parë që do t’i hapë rrugën procesit të konsultimit me publikun.
Ambasadori Britanik Nicholas Cannon shprehu mbështetjen e tij për Bashkinë e Tiranës duke vlerësuar prioritet e Bashës. Ai u shpreh tepër entuziast nga qyteti i Tiranës, një qytet të gjallë, siç e cilësoi ai. Basha dhe Cannon diskutuan edhe për vendosjen e një bashkëpunimi mes Tiranës dhe Londrës duke vlerësuar se eksperiencat e kryeqytetit britanik janë të vlefshme për realizimin e projekteve dhe vizionit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›