Mbështesim përpjekjet e Shqipërisë për anëtarësim në BE

Grupi i miqësisë SHBA-Shqipëri, në Kongresin Amerikan
Në Uashington, Kryeministri Berisha u takua dhe me grupin e miqësisë SHBA-Shqipëri, në Kongresin Amerikan. Kongresmenët demokratë e republikanë i shprehen Kryeministrit Berisha angazhimin për të kontribuuar në konsolidimin e mëtejshëm të miqësisë e bashkëpunimit midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, për ta mbështetur Shqipërinë në konsolidimin e demokracisë funksionale, por dhe në përpjekjet e saj për anëtarësim në BE.
Kryeministri e vlerësoi si të jashtëzakonshëm kontributin e dhënë nga kombi amerikan në këtë aspekt, po ashtu edhe për ndihmën bujare që SHBA dhe taksapaguesit amerikanë i kanë dhënë Shqipërisë, gjatë gjithë kësaj periudhe.
Duke i vlerësuar si të jashtëzakonshëm arritjet dhe potencialet që ofron për më tej Shqipëria, kongresmenët uruan Kryeministrin Berisha për 100 vjetorin e pavarësisë dhe i shprehën dëshirën për të vizituar Shqipërinë, e cila, siç theksuan ata, ofron vërtet një mozaik të bukurive natyrore, dhe zhvillimeve e transformimeve dinamike, si asnjë vend tjetër në rajon.
Berisha-Engel: Forcat politike po punojnë për reformat
Në një takim të veçantë kreu i qeverisë shqiptare e njohu kongresmenin, Eliot Engel, me rezultatet e vizitës në SHBA takimin me Sekretaren e Shtetit Clinton, si dhe për zhvillimet politike dhe ekonomike në Shqipëri.
Më tej, pasi vlerësoi kontributin e Engel në lidhje me promovimin e imazhit të shqiptarëve në botë, si dhe për përkrahjen ndaj Kosovës dhe njohjes ndërkombëtare të saj, Kryeministri i shprehu atij mirënjohjen më të thellë. Në përgjigje të interesimit të Engel, Kryeministri Berisha e njohu me normalizimin e situatës politike dhe theksoi se forcat politike po punojnë normalisht në parlament, përfshirë për reforma të rëndësishme si ajo elektorale, miratimi i gjykatës administrative e të tjera masa të lidhura me rekomandimet e Bashkimit Europian.
Në takim u diskutuan edhe zhvillimet e fundit dhe situata në rajon.
Kongresmeni Engel i shprehu Kryeministrit Berisha angazhimin e tij për të vijuar e zgjeruar bashkëpunimin e shkëlqyer me qeverinë shqiptare dhe i premtoi se do të marrë pjesë në festimet e 100 vjetorit të pavarësisë.
Kryeministri Berisha theksoi se forcat politike po punojnë normalisht në Parlament, duke përmbushur reforma të rëndësishme të lidhura me rekomandimet e Bashkimit Europian. Kryeministri i shprehu zotit Engel mirënjohjen për mbështetjen e Shqipërisë dhe Kosovës. Në fund të takimit, kongresmeni Engel ripohoi angazhimin e tij për të vijuar bashkëpunimin e shkëlqyer me qeverinë shqiptare dhe premtoi se do të marrë pjesë në festimet e 100 vjetorit të pavarësisë.