PR, Madhi: Ne, mbështetësit realë të ish-pronarëve
Republikanët gjykojnë se janë ata mbështetësit realë të interesave të ish-pronarëve. PR-ja përmes kreut të grupit parlamentar, Arian Madhi, shpjegoi refuzimin me votë të projektligjit të hartuar nga qeveria për rishikimin e titujve të pronësisë. Sipas Madhit, republikanët do të vijojnë të mbështesin pronarët pavarësisht se përfaqësia e këtij komuniteti ka zgjedhur të bashkëpunojnë me "Polin e Lirisë". “Të ndërgjegjshëm, - pohoi ai, - për misionin dhe përgjegjësitë tona politike, kundërshtuam nismën ligjore të qeverisë për projektligjin për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore, i cili iu paraqit për shqyrtim e miratim Kuvendit në seancën e datës 11 maj. Nga përmbajtja e këtij projektligji rezultonte qartazi që ky ligj është një reminishencë e ligjit 7501 dhe në konceptin e tij ishte që t’u jepte përdoruesve të tokës bujqësore toka në pronësi. Grupi parlamentar i PR-së, pasi argumentoi publikisht dhe juridikisht kundërshtitë e tij, doli nga salla duke detyruar Kuvendin të mos miratonte këtë projektligj për shkak të mungesës së kuorumit të nevojshëm", - tha z. Madhi. Kreu i deputetëve të PR-së vuri në dukje se republikanët nuk do lejojnë asnjëherë që të miratohen nisma që, sipas tyre, bien ndesh me interesat e pronarëve të ligjshëm.
Topi në ceremoninë e Presidentit maqedonas
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, mori pjesë dje në ceremoninë solemne me rastin e marrjes së detyrës nga Presidenti i porsazgjedhur maqedonas, Gjorgje Ivanov. I ftuar nga kreu i ri i shtetit maqedonas, Presidenti Topi ishte i pranishëm në ceremoninë e zhvilluar në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, së bashku me homologë të tjerë nga rajoni dhe më gjerë, si Presidenti i Kroacisë, Stjepan Mesiç, ai i Malit të Zi, Filip Vujanoviç, i Serbisë Boris Tadiç etj., me të cilët kreu i shtetit shqiptar u takua duke u përshëndetur miqësisht. Gjorgje Ivanov, i partisë VMRO-DPMNE, që është edhe partia më e madhe në Parlamentin maqedonas, është fituesi i zgjedhjeve presidenciale të zhvilluara më 22 mars në Maqedoni.