E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmia e rreme, Bumçi çon në Prokurori ish-sekretaren



Aldo Bumçi kërkon ndjekje penale për dëshmi të rreme të ish-sekretares së tij për një shkresë të ish-ministrit të Drejtësisë për Ministrinë e Mbrojtjes, si porosi për djalin e Kryeministrit Berisha. Sipas tij, ky është një trillim që s’ka asnjë bazë vërtetësie dhe për këtë do t’i drejtohet organit të akuzës me një kallëzim penal, ndërkohë që Prokurorisë i kërkon të mos heshtë, pasi firma e tij është lehtësisht e verifikueshme. Bumçi bëri dje të ditur se nuk i është drejtuar asnjëherë djalit të Kryeministrit dhe kërkoi verifikim të shkrimit për të cilin po abuzohet në mënyrë të turpshme nga opozita e Edi Ramës, duke e përdorur tragjedinë e Gërdecit për qëllime politike. Ish-ministri i referohet relacionit ligjor për draftin që rregullon shitblerjen e armëve dhe municioneve në vend, e cila është pjesë e një letërkëmbimi institucional mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Drejtësisë në kohën kur atë e drejtonte z. Bumçi. "Gjatë kohës që kam shërbyer si ministër Drejtësie, kam mbajtur vetëm marrëdhënie institucionale dhe në asnjë rast nuk kam komunikuar me asnjë person privat, duke përfshirë këtu dhe z. Shkëlzen Berisha, as vetë personalisht dhe asnjë prej vartësve të mi. Në nismën e dytë të ndërmarrë nga Ministria e Mbrojtjes ishin marrë parasysh vërejtjet e bëra dhe ishin në përputhje me ligjin", - deklaroi z. Bumçi. Por sipas tij, e gjithë kjo histori e shëmtuar tregon mjerimin e opozitës së majtë me idenë e qartë se shënimi mbi faks nuk është i tij dhe një gjë e tillë mund të verifikohet fare lehtë. “Kjo, - tha Bumçi, - është një dëshmi e rreme dhe unë do të bëj kallëzim penal”. Ish-ministri radhiti fakte për të kundërtën, duke e bërë të qartë se mendimi ligjor i dhënë nga Ministria e Drejtësisë për nismën e marrë nga Ministria e Mbrojtjes ka qenë i saktë si në rastin e projektvendimit të parë për të cilin Ministria e Drejtësisë kishte vërejte dhe që nuk kaloi në mbledhjen e qeverisë. “Në nismën e dytë, - shtoi Bumçi, - të ndërmarrë nga Ministria e Mbrojtjes, ishin marrë parasysh vërejtjet e bëra dhe ishte në përputhje me ligjin”. Ai vuri në dukje se të dyja projektvendimet mund të krahasohen për të parë ndryshimet. “Mendimi ligjor i dhënë nga Ministria e Drejtësisë është dërguar në Ministrinë e Mbrojtjes që në datë 9 mars me postë si dhe me faks me datë 12 mars. Pra, ky opinion ligjor ekzistonte i protokolluar në Ministrinë e Mbrojtjes përpara shkresës së datës 13 mars, çfarë tregon shumë qartë se e ashtuquajtura tezë e konsultimit dhe informimit që unë po i bëja z. Shkëlzen Berisha, nuk qëndron, sepse opinioni ynë ligjor ishte dërguar më parë”, - u shpreh ish-ministri i Drejtësisë. “Me arsyetimin se përmbajtja e opinionit të dytë ligjor, mbas vërejtjeve të bëra herën e parë u morën parasysh, është e thjeshtë, shprehemi dakord dhe një fëmijë e kupton se nëse unë do të doja të komunikoja me z. Shkëlzen Berisha nuk kisha nevojë për t’i dërguar një faks për t’i thënë që jemi dakord dhe nuk kemi vërejtje. Kjo gjë mund të komunikohet në shumë mënyra. E gjithë kjo është një histori e shëmtuar, çfarë tregon mjerimin e opozitës. A keni dëgjuar opozitën të flasë për diçka tjetër përveç Gërdecit? Ne flasim për ekonominë, ata thonë Gërdeci; ne flasim për integrimin evropian, ata thonë Gërdeci. Mesazhi i tyre për shqiptarët është Gërdeci. Nuk kanë asgjë tjetër për të thënë dhe janë të gatshëm për të bërë gjithçka, fabrikime faktesh, dëshmi të rreme, gjithçka. Si rrjedhim, përveç kësaj daljeje publike unë, do të ngre padi penale për dëshmi të rreme. Ashtu si e gjithë kjo histori, kjo është një dëshmi e rreme, për të cilën unë do të bëj kallëzim penal për dëshmi të rreme”, - deklaroi z. Bumçi. Ai i kërkoi organit të akuzës të sqarojë publikun shqiptar se pse nuk kanë filluar një padi penale për dëshminë e rreme në një kohë që Prokuroria ka gati një vit që është në dijeni të kësaj dëshmie, por që nuk ka vepruar. Ai vuri në dukje se gjatë kohës që ka shërbyer si ministër Drejtësie, në asnjë ditë, në asnjë orë ose shkresë nuk i ka shërbyer interesit privat, por vetëm atij publik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›