E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi, Ivanov: Jetësim Marrëveshjes së Ohrit



Presidenti i Republikës, Bamir Topi, vlerësoi organizimin e mirë të zgjedhjeve në Maqedoni, si hap i rëndësishëm për stabilitetin e saj, një garanci më shumë për jetësimin e Marrëveshjes së Ohrit, si dhe për perspektivën e saj evropiane e euroatlantike. Topi takoi dje Presidentin e ri të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, në rezidencën e Presidentit të Republikës së Maqedonisë, në Shkup. Takimi mes dy krerëve u zhvillua menjëherë pas pjesëmarrjes së Presidentit Topi në ceremoninë solemne të marrjes së detyrës së Presidentit të ri Ivanov në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. Kryetari i shtetit shqiptar shprehu vlerësime për bashkëpunimin shumë të mirë me palën maqedonase nё kuadёr tё angazhimit të pёrbashkёt pёr anёtarёsimin nё Bashkimin Evropian. Duke u ndalur në nivelin e lartë të dialogut politik midis dy vendeve tona, Presidenti Topi shprehu gatishmërinë për thellimin e tij, si në funksion të marrëdhënieve dypalëshe, shumëpalëshe e rajonale, nëpërmjet vazhdimësisë së praktikës së takimeve dhe vizitave të niveleve të larta. Nga ana e tij, Presidenti i ri maqedonas, Gjorgje Ivanov, tha se takime të këtij niveli japin një mesazh dhe imazh të ri mbështetur mbi parime të përbashkëta, mbi aspiratën tonë për t’u integruar në Bashkimin Evropian. Gjithashtu, Presidenti Ivanov shprehu urimet për Presidentin Topi me rastin e anëtarësimit të vendit tonë në NATO, duke nënvizuar gëzimin që “një vend fqinj si Shqipëria u bë anëtar i Aleancës së Atlantikut dhe do të jetë edhe avokati ynë dashamirës për në NATO”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›