PD: Xhaferri: Nuk kemi asnjë përplasje me ODIHR-in
Demokratët përjashtojnë çdo mundësi përplasjeje apo konflikti me ODIHR-in. Përkundrazi, mazhoranca aktuale është e interesuar për sa më shumë vëzhgues në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Deputeti i Partisë Demokratike, z. Ferdinand Xhaferri, mohoi dje një kërkesë përjashtimi nga ana e qeverisë për z. Glover nga kryesimi i vëzhguesve të ODIHR-it në Shqipëri. Madje i bëri të ditur se PD-ja do të këmbëngulë për sa më shumë vëzhgues në zgjedhjet e reja të 28 qershorit. "Nuk ka asnjë lloj konflikti. I vetmi deklarim i kreut të mazhorancës është që të jenë sa më shumë vëzhgues. Ne kemi investuar goxha për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme. Do të këmbëngulim që të kemi maksimumin e vëzhguesve", - deklaroi z. Xhaferri. Sipas tij, mazhoranca është e interesuar që në zgjedhjet e 28 qershorit të ketë sa më shumë vëzhgues. Madje, deputeti demokrat pohoi më tej se PD-ja do të këmbëngulë të ketë maksimumin e vëzhguesve, që nga kontinenti amerikan e deri tek ai evropian. “Të gjithë vëzhguesit janë të mirëpritur të shohin se si do të humbasë Edi Rama", - theksoi z. Xhaferri. Më datën 8 maj, ODIHR, i kryesuar nga ambasadorja Audrey Glover nga Mbretëria e Bashkuar, nisi misionin e vëzhgimit të zgjedhjeve të 28 qershorit në Shqipëri. Misioni, i ftuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë do të vëzhgojë procesin zgjedhor, pa ndërhyrë në të.
Bosch: OSBE, ODIHR, organizim autonom
Ambasadori në Tiranë, Robert Bosch, reagoi dje pas publikimit në media për mundësi të mospranimit nga ana shqiptare të Audry Glover-it, si drejtuese e vëzhguesve të ODIHR-it. Bosch shprehu mbështetje për këtë mision, duke theksuar se në zgjedhje janë institucionet ndërkombëtare ato që përcaktojnë gjykatësit dhe jo palët e përfshira në to. "OSBE-ja është organizatë shumë e madhe dhe ODIHR-i ashtu si dhe prezenca jonë në Tiranë janë organizma autonome brenda kësaj strukture”, - deklaroi ambasadori Bosch. Ai vuri në dukje se ODIHR-i nuk merr udhëzime nga asnjë organ tjetër. Ambasadori Bosch pohoi më tej se për sa i përket vëzhgimit të zgjedhjeve, ai vepron si një gjykatës dhe ashtu si në rastin e një ndeshjeje futbolli, gjykatësi nuk zgjidhet nga palët e përfshira ne ndeshje, por nga organe më të larta. “Unë jam thjesht vëzhgues i kësaj që po ndodh dhe mbështes plotësisht i ODIHR-it, po ashtu dhe të gjitha vendet anëtare të OSBE-së", - deklaroi z. Robert Bosch. Mediat folën për një mospëlqim të qeverisë shqiptare ndaj ambasadores Audry Glover, drejtueses aktuale të misionit të ODIHR-it, dhe njëkohësisht të misionit të zgjedhjeve të '96-s, por demokratët bënë të qartë dje se nuk ka asgjë të vërtetë në këtë rast dhe se PD-ja do të kërkojë sërish vëzhgues të tjerë për zgjedhjet e 28 qershorit.