Qeveria rikthen pronat publike në Fier
Qeveria mundësoi dje rikthimin e disa pronave publike në dy zona të rrethit të Fierit. Zv.kryeministri Genc Pollo, njëkohësisht kryetar i Komisionit Qeveritar të Tokës, informoi dje se "në përputhje me ligjin, komunave Libofshë dhe Dermenas në rrethin e Fierit u janë rikthyer pronat publike, duke korrigjuar kështu padrejtësitë e kryera nga zyrtarët abuzues". Z. Pollo, i cili drejton komisionin e ngarkuar për verifikimin e titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, të ndarë me ligjin 7501, deklaroi në një prononcim për shtyp se "nxënësve të Libofshës do t’u rikthehet oborri i shkollës, i zaptuar prej më shumë se 10 vjetësh, ndërsa banorët e Dermenasit do të mund të ndërtojnë varrezën e fshatit, në truallin e planifikuar, që fatkeqësisht ishte zaptuar prej shumë kohësh". "Komisioni Vendor pranë Prefekturës Fier ka marrë vendimet e duhura, duke zbatuar ligjshmërinë, duke ndëshkuar zaptuesit dhe duke i bërë një shërbim të çmuar komuniteteve në Libofshë dhe në Dermenas. Dy rastet e Fierit janë ndër të parat, por vendime të ngjashme do të vijojnë dhe do të bëhen të njohura", - u shpreh z. Pollo. Sipas tij: "Në këtë mënyrë do të korrigjohen padrejtësitë e kryera nga zyrtarë abuzues dhe nga privatë të panginjshëm". "Kështu u kthehen komuniteteve hapësira të përdorimit publik si dhe krijohet gradualisht një fond për kompensimin e ish-pronarëve", - deklaroi zv.kryeministri Genc Pollo.