E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: ODIHR të rrisë numrin e vëzhguesve në zgjedhje

Shefi i Diplomacisë shqiptare, Lulzim Basha, i ka kërkuar zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut, të OSBE-së, përkatësisht ODIHR-it, rritjen e numrit të vëzhguesve në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2009. Basha, i cili zhvilloi një vizitë zyrtare në Selinë e Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë, që ndodhet në Vjenë, kërkoi rritjen e rolit të kësaj organizate. Sipas zyrës së shtypit të MPJ-së, ministri Basha mbajti një fjalë përpara Këshillit të Përhershëm të OSBE-së dhe u prit në takime të veçanta nga kryetari i Këshillit të Përhershëm, ambasadori i Finlandës, Antti Turunen dhe Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës, Marc Perrin de Brichambaut. Basha vlerësoi rolin e OSBE-së si një forum thelbësor diskutimi, bashkëpunimi dhe mirëkuptimi, pjesë e rëndësishme e sistemit të sigurisë evropiane e më gjerë dhe shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për të vazhduar kontributin e saj në drejtim të promovimit të vlerave të Organizatës. Duke u ndalur te reforma elektorale, Basha njohu ambasadorët e akredituar pranë OSBE-së me zhvillimet më të fundit në lidhje me ecurinë e punës për hartimin e kodit të ri elektoral dhe të infrastrukturës zgjedhore.

Basha, gjithashtu, vlerësoi punën e Pranisë së OSBE-së në Shqipëri, duke thënë se Prania e ka mbështetur vendin në reformën elektorale dhe përfundimin e regjistrit elektronik të popullsisë.

Vitin 2008 ai e cilësoi si një "pikë kthese për Evropën Juglindore, për shkak të pavarësisë së Kosovës dhe ftesës për Shqipërinë dhe Kroacinë për t‘u anëtarësuar në NATO. "Perspektiva evropiane e rajonit kurrë nuk ka qenë kaq e qartë dhe afër përfundimit", tha ai. "Pavarësia e Kosovës ka stabilizuar rajonin dhe pavarësisht kundërshtimeve ajo ka kontribuar par paqen dhe stabilitetin në rajon". Basha, gjithashtu, përsëriti kërkesën e Shqipërisë për të marrë Kryesinë e OSBE-së në vitin 2012.

"Kryesia do të dëshmojë jo vetëm kapacitetet kontribuese, gjithnjë në rritje, të një vendi që ka bashkëpunuar, që është ndihmuar dhe që ka përfituar nga OSBE-ja, por është një mundësi më shumë për promovimin e interesave të ndryshëm të vetë rajonit", tha ai. Më pas, në emër të Qeverisë së Shqipërisë, shefi i diplomacisë, ftoi ODIHR-in që të dërgojë numrin më të madh të mundshëm të vëzhguesve, për të monitoruar zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Shqipëri. Ai, gjithashtu, vlerësoi kontributin e OSBE-së në mbështetje të zhvillimeve demokratike të vendit dhe siguroi se Shqipëria është e angazhuar të vazhdojë bashkëpunimin e frytshëm me organizatën. Në fund të ndërhyrjes së tij, Basha përsëriti angazhimin e Shqipërisë për Kryesimin e OSBE-së në vitin 2012, duke nënvizuar kontributin që mund të japë vendi ynë në kryesimin e kësaj organizate dhe vlerat që Shqipëria mund të përcjellë në aktivitetin e saj, në përmbushje të mandatit të dhënë nga vendet anëtare. Në përgjigje të fjalës së Bashës, përfaqësuesit e SHBA dhe BE, në deklaratat e tyre, pasi siguruan për mbështetjen e plotë në procesin e reformave, vlerësuan me nota pozitive arritjet e vendit në fusha të ndryshme, konsensusin politik ekzistues për përfundimin me sukses të reformës elektorale, si dhe rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon. Në të gjitha takimet, interlokutorët treguan interes të veçantë për vlerësimet dhe vizionin e Shqipërisë në lidhje me zhvillimet dhe të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, bënë të ditur burimet e Ministrisë së Jashtme.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›