E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet grabitësi i tretë i kazinosë së paligjshme

Policia e Korçës vë në pranga autorin e tretë të grabitjes me maska në kazinonë ilegale në periferi të qytetit. Burime të policisë kanë bërë të ditur se është arrestuar 21-vjeçari Teodor Grazhdani, i cili, sipas hetimeve, ka rezultuar bashkautor në ngjarjen ku u grabitën shuma të mëdha parash nga dhjetë klientë të kazinosë së paligjshme, mes të cilëve pati dhe të plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri. Policia e Korçës ka deklaruar se Grazhdani është autori i tretë i vjedhjes me armë të ndodhur një javë më parë në lokalin e lojërave të fatit, ku u grabitët të paktën 30 mijë euro. Nga hetimet ai është identifikuar si një nga autorët e larguar nga vendi i ngjarjes me një shumë të madhe parash, të cilat i janë bllokuar nën cilësinë e provës materiale. 21-vjeçari korçar është kapur nga policia gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm, gjatë një kontrolli të befasishëm në banesë. Ka qenë kapja e dy autorëve të tjerë që ka çuar në identifikimin e 21-vjeçarit, i cili bashkë me dy shokët kishin dijeni për shumat që do të luheshin në lokalin që u bë pre e grabitjes. Ndaj tij rëndon akuza e vjedhjes me armë në bashkëpunim.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›