Përsëriti krimin, kapet në flagrancë hajduti i mitur
Një adoleshent i arrestuar katër ditë më parë dhe i lënë në arrest shtëpie nga prokuroria është vënë përsëri në pranga në mëngjesin e së premtes, duke udhëtuar drejt Kosovës me një automjet të vjedhur. 15-vjeçari me inicialet A.P., me precedentë të mëparshëm penalë, siç njofton një burim zyrtar i policisë së Kukësit, u arrestua në aksin e rrugës së Morinit, me automjetin tip "Mitsubishi Pajero", me targa KU1681A, me ngjyrë të kuqe, të cilin e kishte vjedhur vetëm disa orë më herët në një garazh privat. Denoncimi i vjedhjes së mjetit ishte bërë rreth orës 07:00 dhe policia ishte vënë në kërkim. Adoleshenti në fjalë ishte ndaluar në flagrancë vetëm katër ditë më parë për vjedhje të pronës së tjetrit, mes të tjerash një autoveturë dhe një kompjuter, dhe për të organet kompetente kishin vendosur ta dënonin me arrest shtëpie pa afat. Për të njëjtin person, gjykata e Kukësit kishte dhënë disa muaj më herët një dënim me dy vjet heqje lirie me kusht, për shkak se kishte vjedhur disa njësi tregtare, si dhe një agjenci sigurimesh. Adoleshenti A.P., brenda pak muajsh ka rënë për herë të tretë në prangat e policisë. Duke qenë i mitur, dosja penale do t‘i dërgohet Gjykatës së Shkodrës, ku funksionon një seksion për gjykimin e këtyre rasteve.