E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Vizion i ri për dialogun politik

Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe ambasadori i BE-së në Shqipëri, Helmut Lohan, kanë bërë thirrje dje për një dialog politik, si një mënyrë për të zbutur klimën që zotëron në vend. Kreu i shtetit dhe Lohan kanë marrë pjesë dje në ceremoninë e dorëzimit të diplomave të diplomatëve të rinj, shpërndarë nga shkolla e Studimeve Politike e mbështetur dhe financuar nga Këshilli i Evropës. Gjatë fjalës së tij, Presidenti Topi ka shprehur besimin se ky grup i ri studentësh do të kontribuojë jo vetëm në politikë, por në të gjithë sektorët kyç për vendin duke dhënë një shtysë të rëndësishme për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian. Në të njëjtën linjë mendimi ka qenë edhe ambasadori Lohan, i cili nuk iu largua as komentit për progres-raportin e publikuar pak ditë më parë. "Kjo me jep mundësinë të rikthehem te progres-raporti për Shqipërinë, ku Komisioni Evropian nënvizon nevojën për shtimin e dialogut konstruktiv mes partive dhe forcave politike në Shqipëri. Ju pa dyshim mund të luani një rol të rëndësishëm në këtë çështje. Jam shumë i kënaqur që në këtë shkollë diskutohet shumë për çështjet e integrimit. Paketa e komisionit edhe njëherë shënon perspektivën e qartë të integrimit të Shqipërisë dhe unë uroj që ju të jepni kontributin tuaj për progresin e Shqipërisë në rrugën drejt integrimit", është shprehur Lohan. Po kështu, edhe Presidenti Topi, pasi iu ka uruar të sapodiplomuarve suksese, ka theksuar se krijimi i kësaj shkolle është vlerësuar si një arritje e madhe, pozitive. Sipas Topit, fillimi i kësaj shkolle me kontributin e Këshillit të Evropës, të komunitetit evropian, të cilët jo vetëm ideuan, vjen si mesazh nga kjo shkollë janë pikërisht standardet, të cilat ne jemi mësuar t‘i citojmë çdo ditë, shpeshherë si pjesë e retorikave politike. "Shkolla Politike ka një mision përtej të qenit udhëheqës politikë. Të jesh udhëheqës politik është një moment shumë i rëndësishëm në jetën e një njeriu dhe të një institucioni të një vendi. Të jesh misionar politik nuk do të thotë thjesht të jesh në politikat ideologjike, por sot ndjehet më shumë se kurrë, sidomos në Shqipëri, që dialogu politik duhet të funksionojë në të gjitha sferat e jetës", është shprehur Topi. Duke e vlerësuar mjaft pozitivisht krijimin e kësaj shkolle, Presidenti theksoi se "qëllimi dhe misioni i kësaj shkolle është që të rriten standardet jo vetëm në politikë, por edhe në administratë, edhe në ekonomi, edhe në universitete, pra kudo ku diskutohet sot për arritjen e standardeve për sintonizimin e të gjithë frymës evropianiste dhe për t‘u sinkronizuar plotësisht me ato që konsiderohen standarde, të cilat ne duhet t‘i arrijmë që të meritojmë që të futemi me të drejta të plota në familjen evropiane".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›