Shqipëria kërkon presidencën e OSBE-së në vitin 2012
Shqipëria kërkon presidencën e radhës së OSBE-së pas katër vjetësh. Gjatë fjalës së tij që mbajti në Vjenë, ministri Basha vlerësoi rolin e OSBE-së si një forum thelbësor diskutimi, bashkëpunimi dhe mirëkuptimi, pjesë e rëndësishme e sistemit të sigurisë evropiane e më gjerë dhe shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për të vazhduar kontributin e saj në drejtim të promovimit të vlerave të organizatës. Në fund të ndërhyrjes së tij, Basha përsëriti angazhimin e Shqipërisë për Kryesimin e OSBE-së në vitin 2012, duke nënvizuar kontributin që mund të japë vendi ynë në kryesimin e kësaj organizate dhe vlerat që Shqipëria mund të përcjellë në aktivitetin e saj, në përmbushje të mandatit të dhënë nga vendet anëtare. Kërkesa e Shqipërisë për një vend kryesues në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, në fakt nuk është e re. Edhe katër vjet më parë, qeveria socialiste e Fatos Nanos, nisi një betejë politike për të marrë postin e Sekretarit të Përgjithshëm të OSBE-së, ku u kandidua një diplomat karriere, por këto kërkesa u cilësuan si një "aventurë donkishoteske" në atë kohë. Por deklarata e Bashës, e bërë në samitin e Vjenës, është një ringjallje e ambicies së Tiranës zyrtare, por për një post tjetër. Pikërisht atë të Presidentit të Radhës së OSBE-së. Post që mbahet nga ministri i Jashtëm i vendit përkatës. Në fakt, kjo nuk përbën ndonjë tabu të madh, pasi edhe vende të tjera të Ballkanit dhe të Evropës Lindore kanë pasur kryesimin e radhës së OSBE-së. Por këto vende më parë kanë kaluar disa faza, siç janë certifikimi i zgjedhjeve të ndershme dhe të lira. Shqipëria deri tani, ka zhvilluar vetëm zgjedhje të kontestuara. Ndërsa në shkurtin e vitit 2007, ODIHR, organizmi i specializuar i OSBE-së për monitorim zgjedhjesh, e cilësoi procesin elektoral shqiptar si një "zhgënjim" dhe hap prapa drejt arritjes së standardeve evropiane. Ndaj, siç duket, kalimi i provës së zgjedhjeve, është një kusht i rëndësishëm për Shqipërinë, që të marrë certifikatën e hyrjes në "klubin e të mëdhenjve" në të gjitha aspektet.