Basha-Olldashi bashkohen kundër Ramës: Mos prek administratën
Basha: Mazhoranca e re piramidale, do përballet me opozitën për çdo premtim
Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike Lulzim Basha ka vijuar me prezantimin e platformës së tij për drejtimin e PD-së në Berat dhe Kuçovë. Gjatë takimit me strukturat e PD-së në këto qytete, Basha i ka bërë me dije mazhorancës së re, se do të përballet çdo ditë me premtimet e tij, të cilat i ka cilësuar si piramidale.
Deklarata
Kreu i Bashkisë së Tiranës tha se PD gjatë këtyre katër viteve do të jetë në qendër të një fronti të gjerë opozitar. Demokratët e kanë kuptuar shumë mirë, tani kuptoje edhe ti shumë mirë, se për çdo person mbi të cilin do të godasë abuzivizmi yt, për të cilin je i famshëm në Tiranë do të japësh llogari ligjore, financiare dhe politike para opinionit publik. Çdo orë e çdo minutë, demokratët do i kesh mbi kokë, për 300 mijë vende pune që ke premtuar për heqjen e taksës së biznesit të vogël, për shëndetësinë falas për çdo qytetar dhe të gjithë premtimet e tua piramidale që e dinë që sot se ske ndërmend ti mbash dhe ky do të jetë momenti. Vëllezër e motra kur ne nuk do të jemi vetëm Partia Demokratike në opozitë por Partia Demokratike në qendër të një fronti të gjerë opozitar, në fakt në qendër të mazhorancës morale të shqiptarëve, tha Basha. Në vijim, Lulzim Basha tha se çdo anëtari apo militanit të Partisë Demokratike do ti jepet mundësia për të ecur përpara. Është pra lidhja më e fortë që mund të ekzistojë, sepse është një lidhje e vërtetë e bazuar tek ajo që unë dua për çdo anëtar, lidhja mbi mundësinë për të kontribuar, vlerësimi i kontributit dhe dhënies së shanseve për të ecur përpara, për çdo anëtar dhe militant të PD, u shpreh Lulzim Basha.
***************
Olldashi: PD, konsulencë juridike për të mbrojtur administratën aktuale
Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Sokol Olldashi zhvilloi një takim me strukturat e PD-së në qarkun e Gjirokastrës ku prezantoi platformën e tij për drejtimin e PD-së. Gjatë takimit me mbështetës të PD-së në Gjirokastër, Olldashi tha se Partia Demokratike do të hapë zyrat e konsulencës juridike për të mbrojtur administratën publike nga agresioni politik i Edi Ramës.
Deklarata
Duke e cilësuar administratën si një aset kombëtar, Sokol Oldashi tha se PD do të bëjë gjithçka për ta mbrojtur atë. Thirrjet që po bën Edi Rama për gjoja aplikime CV-sh në PS, nuk janë asgjë tjetër, veçse paralajmërimi i parë për masakrën administrative që ata kanë ndërmend të bëjnë. Dhe ne duhet të jemi të përgatitur për këtë. Përpara se socialisti i parë, të hyjë në zyrën më të parë të shtetit. Ne duhet të kemi ngritur në të gjitha degët e Partisë Demokratike, zyrat e konsulencës për të gjithë administratën, në mënyrë që ta mbrojmë atë, ti ofrojmë ndihmë juridike dhe ta shpëtojmë, jo për ti përdorur si top politik. Por sepse administrata është një vlerë, është një aset kombëtar që nuk duhet lejuar të masakrohet, tha Olldashi. Ndërkohë, gjatë një bashkëbisedimit me strukturat e Partisë Demokratike në Tepelenë, Sokol Olldashi reagoi ashpër ndaj kërcënimeve që iu bënë, përfaqësuesit të Partisë Demokratike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Njazi Kosovrasti. Olldashi tha se aksioni opozitar duhet të jetë i paekuivok për të rrëzuar në përplasjen e parë elektorale, mazhorancën e Edi Ramës. Edi Rama është i njëjti prototip politik qe ka prodhuar korrupsion, abuzivizëm, klientelë politike dhe kërcënimi që iu bë Njazi Kosovrastit, përfaqësuesit të Partisë Demokratike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, nxori në sipërfaqe fenomenin e ri të PS-së, atë që ne kemi paralajmëruar gjatë gjithë fushatës që brenda listës së Partisë Socialiste janë të paktën 30 njerëz me precedent të fortë kriminalë. Pra ka një fenomen të kriminalizimit të Partisë Socialiste dhe të grupit të saj parlamentar, deklaroi Olldashi.