Basha: Opozita ka lobuar kundër liberalizimit të vizave
Zoti Basha, në cilën fazë gjendet Shqipëria për të përfituar edhe ajo nga politika e Bashkimit Europian për heqjen e vizave?
Nga ana teknike, presim dy misione të Bashkimit Europian për të verifikuar dy blloqe të tjera, pas verifikimit që u bë në mes të dhjetorit për bllokun e sigurisë së dokumenteve. Ky verifikim, në bindjen e ekspertëve tanë kaloi jashtëzakonisht mirë. Ndërsa nga ana politike, mund t‘ju them që sot Shqipëria ka plotësuar të gjitha kriteret themelore për heqjen e vizave dhe, në aspekte të caktuara, në përmbushjen e këtyre kritereve është më e avancuar sesa tre vendet e rajonit të cilat kanë përfituar tashmë nga procesi i liberalizimit të vizave. E them këtë, sepse sistemet tona janë më të reja, më moderne se sistemet e fqinjëve tanë. Këtu e kam fjalën për sisteme të tilla si Regjistri Civil Elektronik i shtetasve, i pasaportave biometrike, sistemi i integruar i kontrollit të kufijve, sistemi i analizës së informacionit kriminal dhe disa sisteme të tjera që janë instaluar kohët e fundit dhe kanë përparësi teknologjike më të lartë se sistemet analoge në tre vendet e lartpërmendura.
Zoti ministër, të gjitha këto sisteme që përmendët lidhen më të paktën tre prej blloqeve që përbëjnë kriteret për liberalizimin e vizave. Ju si do ta analizoni ecurinë e Shqipërisë në përmbushjen e këtyre kritereve teknike?
Sa i përket sigurisë së dokumenteve, mund t‘ju them se Shqipëria sot ka ritmet më të larta të prodhimit të pasaportave biometrike në rajon. Aktualisht kemi një shifër prej 350 mijë aplikime. Me këto ritme, në mars Shqipëria do të jetë vendi me numrin më të lartë të pasaportave biometrike në rajon. Pasaporta jonë biometrike është më e avancuara si model, krahasuar me çdo vend të rajonit, madje krahasuar edhe me modele tashmë funksionale në Bashkimin Europian. Ndërsa sistemi i lëshimit të pasaportës biometrike është absolutisht nga më të sigurtët dhe sistemet e sigurisë së prodhimit të pasaportës biometrike janë nga më të avancuarit, sot për sot, nga teknologjitë botërore. Për sa i përket integrimit të këtij sistemi me sistemin e kontrollit kufitar, ky integrim ka ecur jashtëzakonisht shpejt. Sot, pikat e kalimit kufitar anembanë vendit, komunikojnë drejtpërdrejt me Qendrën Operacionale në Tiranë, nëpërmjet Sistemit të Integruar, TIMS, komunikojnë me njëra-tjetrën, komunikojnë me dy vija kontrolli dhe operojnë si një ndalesë e vetme në bashkëpunim me shërbimet e tjera kufitare, siç janë dogana apo shërbimi fitosanitar. Në të njëjtën kohë, pavarësisht se nuk parashikoheshin si detyrime për liberalizimin e vizave, këto pika të kalimit kufitar janë të pajisura me të gjitha sistemet moderne të vëzhgimit, siç janë ato të kamerave online që funksionojnë 24 orë, të leximit automatik të targave, të ndërlidhjes së drejtpërdrejtë me Interpolin, çka është e mundshme nga çdo pikë e kalimit kufitar të Republikës së Shqipërisë brenda një kohe rekord prej jo më shumë se dy sekondash. Kjo bën të mundur verifikimin e identitetit, të legjitimitetit të dokumenteve të udhëtimit apo automjeteve që qarkullojnë nëpërmjet kufirit shqiptar. Pra, mund të them se këto dhe shumë aspekte të tjera, siç është Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare, që bën integrimin e komandës së Rojës Bregdetare me operacionet policore të kufirit blu, pra të marinës, të doganave etj., e rendisin sot Shqipërinë, jo vetëm në listën e vendeve që kanë përmbushur plotësisht kriteret për liberalizimin e vizave, por ndër vendet me masat më të rrepta, me sigurinë më të lartë të ofrueshme në vendet e Europës Juglindore dhe të zonës Shengen.
Por, siç do të thoshin kritikët e qeverisë, veçanërisht Partia Socialiste, ne sot jemi të fundit bashkë me Bosnjën në procesin e liberalizimit të vizave. Keni një përgjigje përse shqiptarët janë të fundit?
Ne jemi në përputhje të plotë me premtimin e bërë shqiptarëve se shqiptarët do të lëvizin pa viza në hapësirën Shengen në vitin e parë të mandatit tonë të dytë. Kontributi që kjo mazhorancë dhe mazhoranca e Kryeministrit Berisha ka dhënë në këtë proces është i padiskutueshëm. Ne kemi mundur që, në një kohë fare të shkurtër të rikuperojmë me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor një hendek të jashtëzakonshëm që u krijua si rezultat i tetë viteve të keqqeverisjes socialiste. Brenda një kohe rekord arritëm të themelojmë Regjistrin Elektronik Civil të shqiptarëve, i cili u premtua tetë vjet me radhë nga socialistët dhe nuk u realizua. Pa këtë regjistër nuk mund të prodhonim asnjë dokument të besueshëm identiteti. Ne arritëm të koncesionojmë procesin e pasaportave biometrike dhe letërnjoftimeve elektronike, që sot janë më modernet, më të mirat, jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por në të gjithë zonën Shengen. Arritëm të krijojmë një regjim kufitar, i cili sot krahasohet me ato të zonës Shengen. Pra, mbyllëm një hendek të krijuar në tetë vite nga keqqeverisja socialiste, por edhe një hendek të krijuar nga paraardhësit ideologjikë të atyre që sot anatemojnë këtë proces jetik për shqiptarët. Dihet shumë mirë që Shqipëria arriti në stacionin e vitit 1990 me një hendek të pakrahasueshëm me çdo vend tjetër të rajonit. Mund të themi se viti 2009 ka shënuar ritmet më të shpejta të Shqipërisë drejt plotësimit të kritereve për liberalizimin e vizave.
Opozitës dhe zërave kritikë do t‘u thosha që të japin një kontribut pozitiv në këtë proces. Deri më sot i kemi parë të lobojnë aktivisht kundër liberalizimit të vizave në Tiranë dhe në Bruksel, pasi e cilësojnë këtë projekt dhe realizimin e tij si një sukses ekskluziv të Kryeministrit Berisha apo të mazhorancës të udhëhequr prej tij dhe jo si një domosdoshmëri për të gjithë shqiptarët, pavarësisht përkatësisë së tyre politike. Ju bëj thirrje të heqin dorë nga praktikat bizantine të lobingut intensiv kundër këtij procesi, që është për të gjithë shqiptarët, pavarësisht bindjeve të tyre politike. Në të njëjtën kohë u bëj thirrje të hedhin një hap pozitiv në drejtim të elementëve kryesorë të procesit. Nuk kemi parë akoma ndonjë drejtues të lartë të PS-së të bëjë qoftë edhe një thirrje të hapur publike për pajisjen e qytetarëve me pasaporta biometrike apo të shkojë t‘i marrë vetë këto pasaporta. Pra, duke mbajtur një qëndrim refraktar dhe kompleksiv ndaj këtij procesi, opozita shqiptare, Partia Socialiste, jo vetëm që nuk jep shembull pozitiv, por, qartësisht, ka një kompleks negativ ndaj procesit të heqjes së vizave.
Zoti Basha, pasi të merret vendimi për liberalizimin e vizave, a do t‘i duhet një qytetari shqiptar të paraqitet sërish në zyrat konsullore për ndonjë dokument tjetër, në mënyrë që ai të udhëtojë drejt zonës Shengen?
Pajisja me një pasaportë biometrike është i vetmi kusht. Pra, me një pasaportë biometrike, çdo shqiptar i drejtohet pikës kufitare të vendit, në rrugë tokësore, detare apo ajrore dhe lëviz i lirë drejt zonës Shengen.
Mund të bëni një parashikim se kur do të ndodhë kjo? Një parashikim politik dhe teknik.
Parashikimi ynë politik është se vendimi merret brenda 6-mujorit të parë të vitit të ardhshëm. Dhe, shumë shkurt pas kësaj, shqiptarët do të mund të lëvizin të lirë, pa asnjë pengesë në zonën Shengen.
Teknikisht është gjithçka në rregull?
Teknikisht mund t‘u them me bindje të plotë, si ministër i Brendshëm, se Shqipëria sot ka plotësuar të gjitha kushtet. Dhe në disa prej kushteve kemi ecur më përpara se vendet që tashmë kanë përfituar nga liberalizimi i vizave. Tani presim vetëm verifikimin.