E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moxhi: Pas Betegas nuk janë Anjelët

Luçiano Moxhi tregon në një intervistë prapaskenat e Juventusit të sotëm (duke e akuzuar për mungesën e një projekti të vërtetë) dhe përgënjeshtron përfshirjen e Andrea Anjeli në rikthimin në klub të Roberto Betegas. S‘ka tragjedi, sipas Moxhit, mbi ecurinë e Juves, sepse bardhezinjtë janë vetëm një pikë larg vendit të dytë, objektivi i vërtetë i fillimit të sezonit. Mbi merkaton hedh hipotezën e mundësisë së ardhjes së Pandev e Ledezma, edhe pse kritikon vendimin e lirimit të maqedonasit në kuotën zero nga Lacio: "Drejtësia nuk është e njëjtë për të gjithë".
Mund të na ndihmoni të shpjegojmë se çfarë po ndodh te Juve?
Nuk e di, duhet të pyesni në klub. Sigurisht, faji nuk është i gjithi i Ferrarës, nëse ka gjetur lojtarë (Melo) që nuk janë në lartësinë e Juves. Në Itali, Interi nuk ka rivalë. Por duhet nënvizuar se nuk u rinovuan disa lojtarë, që kanë vite në skuadër.
Që do të thotë?
Se karta e identitetit flet qartë. Ka lojtarë që kanë një moshë të madhe për të qenë ende sportistë.
Një pjesë e tifozerisë kërkon triadën e vjetër. Sa ju kënaq kjo?
Qartësisht është e lidhur me rezultatet, që kanë marrë dhe me gjërat që sot nuk ecin mirë. Më kënaq, sepse është mirënjohje për punën që kemi bërë.
Sot, sipas jush, mungon një projekt apo thjesht duhet më shumë kohë?
Duke parë të tashmen, është e vështirë të ndryshohet. Juventusi, pa marrë parasysh ndeshjet e fundit, gjendet një pikë larg vendit të dytë dhe, prandaj, do të thotë se nuk ka ecur dhe aq keq. Mund të jetë një moment krize, por nuk shikoj ndonjë tragjedi të madhe. Për sa i përket pjesës tjetër, Juve nuk duhej të humbiste vendin e dytë të vitit të kaluar, sepse kampionati dihej që në fillim se i përkiste Interit.
Tani është rikthyer një komponent i triadës, Betege, që ka ardhur pas mbështetjes së Andrea Anjelit, të birit të Umbertos, me të cilin keni arritur shumë suksese…
E përjashtoj në mënyrë kategorike. Pronarët aktualë kanë synuar të shkatërrojnë grupin e drejtuesve të mëparshëm. E përjashtoj faktin e mbështetjes së Adreas. Vizita në Vinovo ishte thjesht për kortezi, një shkëmbim urimesh. Nuk shkon prej kohësh në stadium, as në ndeshjen e fundit ndaj Katanias.
Nëse do të ishin ende presidentë Xhani e Umberto Anjeli, a do të kishte nisur gjuetia e shtrigave të "Calciopolit" ndaj Juves?
Absolutisht jo. Nuk do të kishte nisur kjo fushatë kundër Juves.
Sot, Juves, i duhet pesha e Anjelëve?
Nuk e di. Duhet t‘i pyesni ata.
Marçelo Lipi thotë që nuk e shikon veten drejtor teknik, ju çfarë mendoni?
Lipi është nga ata që e kuptojnë futbollin. Nuk di të them se çfarë do të bëjë, por besoj se Lipi ka të tjera gjëra si objektiv. Është shumë i kërkuar kudo dhe, sipas meje, do të vazhdojë të trajnojë.
A jeni disi më i qetë?
Unë gjithmonë kam qenë i qetë, sepse nuk kam bërë asgjë dhe mund të ecë përpara me kokën lart.
Interi duket se e ka rrugën e hapur drejt titullit, ashtu siç ju e kishit parashikuar në fillim të sezonit?
Dihej që në fillim, por duhet thënë që po luan më mirë se të gjithë…

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›