E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Rama ia shiti truallin "Tajvanit" më lirë se në vitin 1996

Partia Demokratike paraqiti dje fakte të reja në lidhje me atë që e konsideron si aferën korruptive të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, me tokën që rrethon kompleksin "Tajvani" në kryeqytet. Deputeti i PD-së, Aldo Bumçi, deklaroi në një konferencë për shtyp se trualli që ndodhet në parkun "Rinia" në vitin 2005 është shitur më lirë se vlera e shitjes që kjo tokë ka pasur në vitet 2001 apo 1996. "Në vitin 2001, trualli i ‘Tajvanit‘ është shitur me 331 dollarë/m². Në vitin 1996, ky truall është shitur me 16 mijë lekë të reja/m², kundrejt 12 mijë lekëve të rejave që është shitur në vitin 2005 nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama", deklaroi dje deputeti i PD-së, Bumçi. Sipas tij, fakti që për kryetarin e Bashkisë së Tiranës çmimi i truallit në zemër të qytetit zhvlerësohet dhe është shitur më lirë sesa në vitin 1996, është tregues i arrogancës me të cilën ai qeveris Tiranën. Po kështu, sipas Bumçit këto fakte të reja që kanë dalë në dritë, tregojnë edhe një herë tendencën e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, për të abuzuar me pushtetin që i delegohet. Në mënyrë të përsëritur, deputetët dhe përfaqësuesit e tjerë të Partisë Demokratike kanë theksuar atë që e kanë konsideruar si një aferë të madhe korruptive, që është bërë me shitjen e truallit tek parku "Rinia". Sipas tyre, ky truall është shitur 16 herë më pak se ai që qëndron përballë tij dhe i përket ish-hotel "Dajtit" në kryeqytet. Përfaqësuesit e PD-së theksuan se dhënia me një çmim minimal e një trualli në zemër të kryeqytetit lidhet me interesat e përbashkëta të biznesit që ka Edi Rama me pronarin e kompleksit "Tajvan". Sipas tyre, çështja duhet t‘i kalojë në dorë gjykatës dhe se akuzat ndaj Ramës për këtë aferë nuk do të ndalojnë. Pak ditë më parë vetë shoqëria "Tajvan", përmes një sqarimi, deklaroi se sipërfaqja e privatizuar e truallit në parkun "Rinia" që ajo ka në pronësi, është përfituar nëpërmjet të drejtave që i jep ligji nr. 9209, datë 23.03.2004 "Për legalizimin e shtesave në ndërtime". Drejtuesit e kësaj kompanie theksojnë se sipërfaqja prej 1310 m² i është shitur nga Bashkia e Tiranës subjektit privat, në kuadër të procesit të legalizimit të shtesave. Po kështu, kompania thekson se vlerësimi i pronës është kryer në bazë të procedurave ligjore, duke marrë për bazë referencat e dala në periudhën e legalizimit nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në përputhje me parashikimin e ligjit të sipërcituar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›