Tiparet e një çrregullimi kombëtar
Në veprën e respektuar, "Demokracia është një mjet, jo një qëllim", të Michael Munger, (politolog i shquar i kohëve moderne), gjendet një referencë e cila mund ta bëjë politikën tonë të mendojë gjatë, për sjelljen e papërgjegjshme, ashtu sikundwr edhe mund ta bëjë, për shkak të megalomanisë së saj, qesëndiswse. "Roli i demokracisë nuk është që të zhdukë mosmarrëveshjen, por që të parandalojë përshkallëzimin e mosmarrëveshjeve politike drejt konflikteve...".
Shqyrtimin e këtij pohimi në hapësirën shqiptare, tashmë të mbushur me urrejtje, për hir të së vërtetës, çdokush do të ishte në gjendje ta vërente pa vështirësi se në ç‘rrjedha tronditëse i kanë futur fatet popullore; do ta kishte të vështirë çdokush të gjente e të jepte versionin e pranueshëm pa hasur vështirësi; do të dëshpërohej për gjendjen ku ndodhet demokracia shqiptare. Përdorimi i gjuhës së urrejtjes, me kulmimin e tij në seancën e Kuvendit të 26 nëntorit, u pa qartë se hodhi në erë të gjitha urat e mundshme të komunikimit ndërmjet pozitës dhe opozitës, të qeverisjes me popullin e pse jo edhe të një pjese të popullit kundër një pjese tjetër. Aroma e një konflikti të mundshëm u ndje kudo në ajër. Populli, i paaftë përballë daljes së këtij armiku, që jo pak herë i është shfaqur befas në histori (dy të fundit në 1997 dhe 1998), jo pa çoroditje serioze të shpirtit të tij, mallkon me gjithë shpirt ATA që e çuan në festat e fundvitit më të dëshpëruar se kurrë. Një ndjenjë elementare mirënjohjeje nga Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, nga Sali Berisha dhe Edi Rama, duhej të flinte diku brenda tyre dhe formacioneve që i ndjekin, që të tregoheshin më të përmbajtur në njollosjen e nderit të tyre, për të mos lejuar veten të përfshiheshin, siç u përfshinë, në një kënetë me afsh mbytës aluzionesh të lira. Tani askush nuk di më të thotë se ç‘do të ndodhë më tej dhe bëjnë sikur gjërat anormale bëhen normale kinse duke nisur një lumë kartolinash urimi të vitit të ri, që po bëhen nga viti në vit edhe më luksoze. Këto kartolina ia arrijnë që të nxjerrin festat e dhjetorit edhe më në dukje në varfërinë e historisë sonë të brendshme, ku spikat kartolina e urimit për qytetarët e Graçanicës, me 400 mijë euro dhuratë brenda zarfit.
Pa dyshim, mitosjet e munxat e Kryeministrit tonë të nderuar luajtën një rol të madh në pleksjen më tej të intrigave politike paszgjedhore dhe nderjes së kësaj atmosfere të rënduar. Së pari, ai shndërroi në mit të paprekshëm vendimin e Kolegjit Zgjedhor dhe KQZ-së për moshapjen e kutive, pa pranuar të thotë se "ishte lojë" përfshirja në Kodin Zgjedhor e pranimit të kërkesës për hapje nga të paktën dy anëtarë të saj. Kurthin në të cilin ra Edi Rama nuk duhet ta kërkojë kurrkund përpos te vetja. Është për faj të tij e vetëm të tij, sepse është ai që caktoi negociatorë të paaftë në ndërtimin e projektligjit për Kodin Zgjedhor, ndërsa dinte se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Kolegji Zgjedhor ishin e janë gjithë ditën formacione të mirëfillta politike, në përbërje të të cilave partitë, te ne të shndërruara armike, i propozojnë Kuvendit nga ithtarët e tyre më të flaktë. Kur Partia Socialiste ankimoi në Kolegjin Zgjedhor dhe kërkoi hapjen e kutive në Berat, Shkodër e Tiranë, shkonte me shpresën se dikush në atë organ të pushtetit gjyqësor do të ishte i aftë të kuptonte marrëzinë e papërshkrueshme të marrjes së vendimit "Jo, nuk do hapen". Fataliteti i këtij vendimi politik ka sjellë këtë frymë urrejtjeje që zotëron sot tërë hapësirën.
Nga momenti që të zhgënjyer nga institucionet "demokratike" Kolegji Zgjedhor e KQZ, prej të cilave ata, socialistët, në mënyrë të pakuptimtë prisnin shumë më tepër nga çka ata i lejonte faza foshnjore ku ndodhen këto institucione, shpirti i fyerjes dhe asgjësimit nuk vonoi të kultivojë me shpejtësi, nga Kryetari tek anëtarësia e thjeshtë revoltën, që pas 26 nëntorit arriti papajtueshmërinë. Kryetari i nderuar i Partisë Socialiste, duke lejuar që në mitingjet e protestës të ngjiten të ftuar, të cilët artikuluan termat "forcë", "me forcë", "forcërisht", të cilat nuk kanë qenë në traditën e kësaj partie, as i shkonte ndërmend të distancohej e jo më të parashikojë rrjedhojat.
Lexues i dashur! Lejomë të të sjell në vetëdijen tënde se në botë ka dy lloj luftërash, ajo kundër individëve të veçantë dhe ajo kundër një klase. Fjala e Kryeministrit në Kuvend ishte luftë kundër individit Edi Rama, kryetar i Partisë Socialiste, me synim poshtërimin e tij, duke përdorur çdo mjet. Pasi u artikulua termi "forcë" dhe u hartua një "plan revolucioni", luftës kundër individit, Kryeministri i bashkëngjiti luftën kundër klasës socialiste. U dhanë sqarimet e nevojshme në organet e partisë se kush është armik? Për këtë duhet, së pari, të bëhej pyetja, cilës partie i përket? Në shërbim të kësaj, shtypi pranw qeverisë botoi dhe listat e bijve të ish-komunistëve që sot militojnë në Partinë Socialiste. Bash, në funksion të kësaj lufte, arroganca e fyer e Kryeministrit organizoi mitingun e 8 dhjetorit, me një luks dekori provokues, jo si festë e pluralizmit politik, por si ballafaqim forcash, ku nëpërmjet shumës pjesëmarrëse i tregohen kundërshtarit muskujt. A do të arrijnë dot ATA të çojnë delirin e tyre apo shpirtin e hakmarrjes deri në dhunë. Jo zotërinj! Harrojeni. Martirët nuk rriten në këtë tokë. Mjerisht vetëdija jonë na sjell ndërmend sjelljet e njohura për ne nga politika e vitit 1996-1997, ndonëse ankimi i kufomave është i pagojë. Pikërisht për këtë, ata që e qeverisin këtë vend dhe ata që bëjnë opozitën, nuk duhet të harrojnë se kjo histeri fjalësh, çdo njeriu me mend në kokë do t‘i jepte menjëherë të drejtën t‘u bënte pyetjen, "Kush është bërë kaq i zoti sa të na ndërsejë kundër njëri-tjetrit?", "Kush mundet me kaq ftohtësi të orvatet të hedhë fizikisht një forcë politike kundër një tjetre?". Dijeni, ju administratorë të politikës, se nuk keni më të bëni me ata të ‘97-ës. Instinkti popullor i vetëmbrojtjes edhe në atë vit i mësoi që në momentin e duhur, t‘ju braktisnin. Nuk ka asgjë më vetëtreguese sesa të shohësh brenda fjalorit të një politikani, kur vjen puna për të zgjedhur midis aventurës dhe urtësisë.
Gabimet e bëra 12-13 vjet më parë, duhet të mjaftojnë për të mbushur shtetin me ankth e frikë, për marrëzitë e mëtejshme të politikanëve tanë të fryrë. Zelli i tyre për urrejtje e armiqësi mbart me vete shumë rreziqe dhe rreziku i parë duket qartazi i mbërritur. Gjërat kanë ardhur në atë gjendje sa nuk është më e mundur të bëhen përpjekje për të shmangur krizën me debate gojore. Edhe Presidenti i Republikës, i parë si shpresë për negocim, dje hoqi dorë për t‘i bashkuar palët në një takim, qoftë edhe formal. Për ta thënë me pak fjalë, jemi bërë gazi i botës. Presim të ndërhyjnë ndërkombëtarët (jo këta në Tiranë). Duke qenë se në shtetin tonë, në hierarkinë më të lartë kanë qenë e gjenden cinikët dhe egoistët, asnjë nga institucionet civile, bota akademike apo opinionistë në zë të shtypit të shkruar, nuk marrin më mundimin të paraqesin argumente pajtuese. Ia vlen gjithashtu të shënohet se edhe heqja e së drejtës për deputetët e PS-së, për të pasur pasaporta diplomatike, është një shenjë tjetër e hakmarrjes, e zemërimit, e dhunës, e mosdëshirës për zbutjen e marrëdhënieve, tipar ky që flet qartazi se s‘bëhet fjalë për gjetjen e konsensusit. Qëndrimi i këtyre burrave inatçinj në llogoret e tyre, në bindjet e "shenjta", është shndërruar në çështje nderi.
Në këtë cep të izoluar të Europës, ku partitë politike kanë në krye të programit premtimin për t‘i çuar shqiptarët në kontinentin plakë pa viza; ku çdo gjë është e paqëndrueshme, prona, taksat, tatimet, çmimi i energjisë; ku e qëndrueshme është vetëm ndjenja zotëruese e pasigurisë; ku renditja e gabimeve në qeverisje po i gudulis shtetarët; ku jemi bërë leshko deri në atë gradë sa me sjelljet tona, në rrethet e ngushta të trupit diplomatik tregojnë anektoda; ku ligji në sytë e një shumice është i personalizuar në figurën e Kryeministrit, njerëzit, në këto ditë festash shtyhen drejt dëshpërimit. Është plogështimi që na ka çuar në humbjen e shpresës, ndaj arratisja nga ky vend udhëheq programet e partive. Cila vallë do të jetë pala politike e para që do të duhet të përtypë poshtërimet, të shtypë nevojën e sëmurë për t‘u dukur dhe të ulet në tavolinë konsensusi? Sa e vështirë. Një frymë mirëkuptimi, një aleancë për drejtimin e këtij vendi nuk arrihet me ndërhyrjet pa vend të Ilir Metës, që në këtë konflikt, me "këshillat" e tij pa vend prish më tepër punë, ndaj është më mirë të heshtë. Sa kohë nuk ekziston ndjesia e përgjegjësisë ndaj popullit, marrëdhëniet armiqësore mes palëve do lulëzojnë më tej. "Ai që është pa asnjë mëkat midis jush, le të hedhë gurin e parë", u tha Jezusi pjesëmarrësve në ndëshkim të mëkatares. Le të shpresojmë se shembulli i mësipërm do të shërbejë si ilustrim për zotërit "e së vërtetës" në tërë këtë histori të shëmtuar të zgjedhjeve shqiptare.
Le të shpresojmë për kohë më të mira, për të parë rolin e demokracisë në parandalimin e konflikteve. Njeriu nga natyra e do lirinë, por shpesh ndjehet më mirë si skllav. Të tillë janë të gjithë ata, të mençur e të marrë në politikë, që skllavërisht u qëndrojnë besnikë bindjeve e qëndrimeve të tyre. Anglezët thonë se vetëm i vdekuri dhe budallai nuk ndryshon mendim.