E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muhedini: Ne po e ndërkombëtarizojme çështjen çame

Si e ka realizuar PDI ndërkombëtarizimin e çështjes çame?
Ajo që e bën publike dhe që i dha një opinion të
vërtetë Partisë për Drejtësi dhe Integrim do të ishte përfaqësimi
i saj në arenën ndërkombëtare, siç do të ishte pjesëmarrja e saj
në Strasburg në 2006, ku edhe u dërgua dosja e mohimit të të
drejtave të popullatës çame nga shteti grek dhe qarqet antishqiptare në Greqi. Ishte ky akt që bëri edhe ndërkombëtarizimin e çështjes çame, që tashmë shikon nga Perëndimi për të lindur një ditë e re edhe për këtë komunitet të vrarë e masakruar, të dhunuar e të përzënë me zjarr e me hekur nga bandat fashiste dhe shoviniste të qarqeve zyrtare greke me Napoleon Zervën në krye. Ky mohim i të drejtave të njeriut do të bënte që një përfaqësi e Partisë për Drejtësi dhe Integrim ta presin edhe në Parlamentin Europian. Nuk mund të lihen pa përmendur këtu edhe takimet e kërkuara nga Partia për Drejtësi dhe Integrim me trupin diplomatik në Shqipëri që kanë dëgjuar dhe kanë mirëkuptuar kërkesat e kësaj partie që janë reale, të vërteta dhe njerëzore, sepse janë shkelur katërcipërisht të drejtat e njeriut, që janë të drejtat më të pamohueshme për vendet e zhvilluara si SHBA dhe Europa Perëndimore.
Ju keni qenë prezent në takime të rëndësishme në KE dhe
në Departamentin e Shtetit. Çfarë keni trajtuar në to?

I një rëndësie të veçantë ka qenë edhe takimi më 2
dhjetor 2008 në komisionin e Këshillit të Europës për të drejtat e njeriut, ku përsëri u dorëzua një dosje tjetër e çështjes çame
dhe problematika e dhunimit sistematik të të drejtave të këtij
komuniteti që nuk ka mundësi as të shkojë e vizitojë vendin e të
parëve dhe shtëpitë e tyre në tokën amë. Kulmi i këtij
ndërkombëtarizimi të çështjes çame do të ishte përfaqësimi
institucional i saj në Departamentin e Shtetit Amerikan më 9 dhjetor 2009 në ditën e genocidit dhe mohimit të të drejtave të njeriut në botë, ku për herë të parë një parti shqiptare si Partia për Drejtësi dhe Integrim, si një forcë politike parlamentare shqiptare dorëzoi dosjen e shkeljes dhe mohimit të të drejtave të njeriut dhe genocidin e ushtruar nga shteti grek ndaj një popullate të pafajshme gjatë Luftës II Botërore.
Partia për Drejtësi dhe Integrim ka një aktivitet të gjerë. Çfarë
mund të kujtoni gjatë kësaj periudhe të aktivitetit tuaj?
Gjatë gjithë kësaj periudhe të jetës së kësaj partie, anëtarët dhe drejtuesit e saj kanë organizuar me dhjetëra takime dhe kanë bërë të tyren rrugëtimin më 27 qershor të çdo viti në Qafën e Botës në Konispol, andej prej nga u futën në territorin e Shqipërisë banorët shqiptarë të Çamërisë, që u vranë e u dëbuan me dhunë nga forcat monarko-fashiste greke. Është ky
rrugëtim i vuajtjeve dhe lotëve të derdhur për të drejtat e mohuara dhe pabesitë e një shteti fqinj ndaj bashkëkombësve shqiptarë vetëm e vetëm se ata nuk pranonin të ishin grekë. Përfaqësimi dinjitoz i Partisë për Drejtësi dhe Integrim ka mbuluar edhe prezantimin e kulturës dhe shpirtit të paepur shqiptar në festivalet kombëtare, ku zëri i saj ka qenë përmes këngëve e valleve çame aq të njohura dhe të pranuara nga i gjithë populli shqiptar brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Cili do të ishte mesazhi juaj në këto ditë të fundvitit?

Në emër të Partisë për Drejtësi dhe Integrim, u uroj
të gjithë shqiptarëve në Shqipëri dhe kudo në botë, dhe
veçanërisht komunitetit çam për Vitin e Ri. Ne kemi një mision të madh, siç është zgjidhja e çështjes çame, që tashmë ka hyrë në rrugën e integrimit
europian për të marrë viston e një çështjeje që meriton edhe
vëmendjen e ndërkombëtarëve për të vënë pikat mbi "I" për
një çështje që ka 65 vjet që lëngon dhe nuk gjen zgjidhjen e duhur, sipas kartave ndërkombëtare dhe Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, që edhe shteti grek e ka nënshkruar për ta zbatuar.

Bisedoi: Hyqmet ZANE

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›