Basha: “PD do të ndërtojë sistemin e vlerësimit të meritës dhe karrierës për çdo anëtarë të saj”
Kandidati për kryetar i PD, Lulzim Basha ka prezantuar platformën e tij për drejtimin e partisë në Lushnje, Peqin dhe Gramsh. Në platformën e zotit Basha për fillimin e ri të PD anëtarët dhe simpatizantët do të jenë pjesë e vendimmarrjes organizative dhe politike të partisë. Zoti Basha garantoi se nën drejtimin e tij PD do të ketë një sistem të vlerësimit të meritës dhe karrierës së çdo anëtari të PD nga më i vjetri deri tek më i riu. Nuk do të ndodh më sipas Bashës, që kontributi i anëtarëve dhe militantëve të harrohet sa herë PD fiton zgjedhjet. “Partia Demokratike do të ndërtojë një sistem transparent dhe të drejtë të kreditimi të meritës dhe karrierës. Ne e dimë fare mirë se më të përkushtuarit mes nesh, më gjigantët në kontribute janë gjithmonë, të fundit në pretendime, të fundit në kërkesa, të fundit në përfitime”– u shpreh z. Basha.
Zoti Basha theksoi se çdo anëtarë i PD duhet të jetë krenar për trashëgiminë e çmuar të kësaj partie, trashëgimi e cila do të jetë sipas Bashës gurë themeli i fillimit të ri të saj.
“Ne jemi partia që shembi komunizmin, ne jemi partia që pas gjeneratash harrese, riktheu para shqiptarëve idealet e shoqërisë së lirë. Pas 20 vitesh që u anëtarësuam në Këshillin e Evropës ishim prapë ne që nënshkruam MSA, ishim ne që morëm ftesën për në NATO, ishim ne që e anëtarësuam vendin në NATO, ishim ne që i hoqëm vizat dhe i kthyem dinjitetin shqiptarëve, jemi ne që iu dhamë shqiptarëve infrastrukturën më moderne rrugore dhe energjetike që vendi ka njohur ndonjëherë dhe për këtë çdo demokrat dhe demokrate sot duhet të jetë shumë krenarë. Ky është një gurë i rëndë themeli që nuk e lëviz dot askush e aq më pak mazhoranca e votës së deformuar, të blerë dhe të korruptuar të 23 qershorit” – theksoi z. Basha.
Duke akuzuar Edi Ramën se po kërkon të drejtojë qeverinë nga PS-ja, zoti Basha tha se opozita dhe çdo qytetarë shqiptarë i cili që sot ndjehet i mashtruar nga premtimet e kësaj mazhorance duhet të përgatitet për të mbrojtur institucionet e këtij vendi nga modeli i partisë-shtet. “I keni parë se si po kërkon të menaxhojë pushtetin nga faqja zyrtare e Partisë Socialiste, këtë provojë e njohim, kësaj i thonë parti–shtet. E filluan me kundërshtimin që i bënë rritjes së rrogave dhe pensioneve minimale para një jave, e vazhduan me kërcënimet banditeske ndaj përfaqësuesve tanë në KQZ, por në çdo rast ne do të jemi gati për t’ju përgjigjur kësaj kulture anti-shtet me instrumentet e nevojshëm institucional, politikë dhe ligjorë për të mbrojtur shtetin, institucionet dhe administratën publike”- deklaroi z. Basha.
Olldashi në Lezhë: PD në aksion për të çmontuar koalicionin e 1 prillit
“Në skenën politike shqiptare është rikthyer Partia e Punës”. Kështu deklaroi në Lezhë, Sokol Olldashi gjatë prezantimit të platformës për drejtimin e Partisë Demokratike, një projekt ky i fokusuar tek paketa e ristrukturimit të Institucioneve të PD-së dhe tek strategjia opozitare për të rikthyer të djathtën në shumicë politike, në zgjedhjet lokale të 2015. Olldashi tha se demokratët duhet të ndërtojnë një mekanizëm perfekt opozitar për të çmontuar mazhorancën e koalicionit të ish Partisë së vjetër të Punës. “Marrëveshja e 1 prillit mes PS dhe LSI riktheu partinë e vjetër të punës. 1 Prilli ishte rithemelimi i Partisë së Punës. Nga ky moment, ne duhet të fokusojmë si kundershtarin tonë politik, ish partinë e vjetër të Punës, pra do të thotë , Partinë Socialiste dhe LSI-në bashkë, pra do të thotë banditët e PS-se dhe hajdutët e LSI-se, të gjithë bashkë. Duhet t’i fokusojmë dhe t’i godasim me të gjithë fuqinë tonë politike. Skena politike në Shqipëri nuk ka tre pole, por dy: ka ish Partinë e vjetër të Punës dhe opozitën e Partisë Demokratike. Ky është një kufi i qartë të cilin, ne duhet ta vendosim menjëherë. Kjo parti ka rrëzuar Partinë e Punës në 1992, ka rrëzuar mazhorancën e korrupsionit në 2005. Partia Demokratike këtë aliazh e rrëzon në përpjekjen e parë elektorale, në zgjedhjet lokale të vitit 2015. Zoti Olldashi komentoi edhe qëndrimet më të fundit të Partisë Socialiste lidhur me premtimet e saj për shëndetësinë dhe politikën fiskale. Olldashi tha se kjo mazhorancë, filloi të çmontojë një nga një propagandën e saj elektorale, ende pa u mandatuar. Në vijim të fushatës për postin e Kryetarit të PD-së, Sokol Olldashi zhvilloi një bashkëbisedim edhe me aktivistë dhe simpatizantë të Partisë Demokratike në Mirditë. Në analizë të situatës post zgjedhore, Zoti Olldashi theksoi se Partia Demokratike duhet të funksionojë si një shtëpi e madhe e opozitës dhe se duhet të forcojë menjëherë raportet me shtresat tradicionale të saj: të përndjekurit, ish pronarët, biznesin dhe klasën e mesme.