E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: LSI arriti rezultat historik në 23 qershor, do ketë përfaqësim më të madh në qeverisjen e vendit

13-07-2013 / Gazeta 55

Lëvizja Socialiste për Integrim shfaqet ambicioze përsa i takon vendit që ajo do të zërë në qeverisjen e ardhshme të vendit. Me demokratët (2009-2013) LSI u përfaqësua zyrtarisht me katër poste ministrore, por për mandatin e ardhshëm situata është ndryshe. Kjo sepse LSI arriti të sigurojë 16 deputetë që do të thotë se pretendimet e saj për përfaqësim në kabinetin qeveritar do të jenë më të larta se vetëm 4 Ministri. Një qëndrim të tillë e shprehu vetë Ilir Meta gjatë një takimi me anëtarë dhe simpatizantë të LSI-së në qytetin e Çorovodës. Gjatë fjalës përshëndetëse të mbajtur në këtë takim Lideri i LSI-së ka deklaruar se fitorja në Qarkun e Beratit ka qenë rezultat i të gjithë kandidatëve për deputet që punuan si një ekip i shkëlqyer dhe përcollën frymën e bashkëpunimit kudo në të gjitha strukturat. “Padyshim që në themel të këtij suksesi është puna e secilit prej jush, e gjithë drejtuesve të LSI-së në nivel vendor dhe të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve tanë. Ka qenë vërtetë një fushatë e jashtëzakonshme, ka qenë një fushatë me një bindje të plotë se ishte radha e LSI-së për të treguar vlerat e saj të vërteta”, tha z. Meta. Ai theksoi se edhe në 2005-n edhe në 2009-n LSI-ja u ndesh jo thjesht me partitë e mëdha, por me një sistem shtypës dhe shkatërrues të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, por qëndrueshmëria e LSI-së, mbijetesa, drejtësia e çështjeve që kjo forcë politike ka mbrojtur gjithmonë bëri të mundur që në vitin 2013, më 23 qershor, të arrinte një sukses mëse të merituar në themelet e të cilit nuk është vetëm puna e bërë gjatë muajve të fundit, por është në themel puna e bërë gati 9 viteve të themelimit të LSI. Duke u kthyer te rezultati historik i 23 qershorit, kryetari i LSI-së shprehu mirënjohjen e tij për popullin e Skraparit dhe premtoi se këtë mirënjohje do ta shprehë me vepra e jo me fjalë.
Sipas tij, qytetarët shqiptarë e duan fuqizimin e LSI-së dhe kontribuuan me votën e tyre për këtë qëllim, sepse duke u fuqizuar LSI-në si forcë politike forcohet stabilitetit i vendit, ndihmohet çdo qytetar shqiptar që të shikojë një politikë e cila merret me ekonominë dhe nuk merret retorika boshe. “Sepse edhe qytetarët shqiptarë e duan fuqizimin e LSI-së dhe kontribuuan me votën e tyre për këtë qëllim, sepse duke u fuqizuar LSI-në si forcë politike forcohet stabilitetit i vendit, ndihmohet çdo qytetar shqiptar që të shikojë një politikë e cila merret me ekonominë dhe nuk merret retorika boshe”- tha ai.
Z. Meta foli edhe përfaqësimin më të madh që do të ketë tashmë LSI-ja kudo në të gjithë qeverisjen e vendit dhe të gjithë institucionet, që do të thotë se më shumë njerëz do të angazhohen dhe kjo është një përgjegjësi që do ta ndahet mes të gjithëve. “Themelore është që të mos harrojmë për asnjë ditë në katër vitet që vijnë votuesit tanë të thjeshtë, të përkushtuar, besnikë dhe besimplotë tek ne në çdo fshat, në çdo lagje kudo në të gjithë Skraparin në të gjithë Shqipërinë, sepse ka qenë besimi i tyre që na ka dhënë këtë fitore të mrekullueshme të cilën ne do ta menaxhojmë me përgjegjësi maksimale dhe me transparencë maksimale. Me kolegjialitet dhe me përkushtim dhe përulësi ndaj gjithë njerëzve që na kanë ndihmuar na kanë mbështetur dhe që do të na ndihmojnë dhe do të na mbështetin edhe në të ardhmen sepse edhe ne do të bëjmë çdo gjë për t’i ndihmuar dhe për t’i mbështetur ato”, përfundoi fjalën e tij përshëndetëse kryetari i LSI-së, z. Ilir Meta.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›