E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: “PD do të punojë, që edhe ata të mashtruar të 23 qershorit, ta kuptojnë koston e mirëbesimit tek “rilindja” e mashtrimit”

12-07-2013 / Gazeta 55

Lulzim Basha prezantoi në Tropojë, Has dhe Rrëshen, platformën e tij për kryetar të PD

Kandidati për kryetar i PD Lulzim Basha ka prezantuar platformën e tij për drejtimin e PD, në Tropojë, Has, Rrëshen dhe njësinë bashkiake numër 2, në Tiranë. Zoti Basha e ka cilësuar mentalitet anti-shtet konkursin e hapur nga Edi Rama, për punësimin e militantëve në ëebsite e PS dhe një rast të paprecedentë në botën demokratike. Basha ka paralajmëruar angazhimin e juristëve më të mirë në vend, për të mbrojtur çdo punonjës që do të largohet në mënyrë abuzive nga puna.
“Partia Demokratike do të të faturojë çdo ditë, përmes një rrjeti juridik, të gatshëm jo vetëm të evidentojmë por të provojmë me fakte para çdo gjykate padrejtësitë e këtyre vendimeve, t’i kthejë ato në konsekuenca ligjore, për rikthim në punë, konsekuenca financiare për dëmshpërblim dhe më pas është detyra jonë t’i kapitalizojmë si konsekuenca politike, për të shkurtuar ditët e kryezullumqarëve” – theksoi z. Basha.
E lindur si parti e vlerave më të larta që gëzojnë kombet demokratike, Partia Demokratike është dhe mbetet sipas Bashës, shpresa e çdo shqiptari. Në platformën e zotit Basha parashikohet që vendimmarrja në PD, të bëhet me pjesëmarrjen e çdo anëtari dhe simpatizanti të kësaj partie, përfshirë jo vetëm zgjedhjen e drejtuesve të partisë por edhe kandidaturat  për drejtues vendorë apo deputetë.
“Pika e parë e platformës sime për këtë fillim të ri është që çdo vendim politik apo organizativ i PD, të nisë nga anëtarët dhe militantët e PD, kudo që ndodhen”
Në vizionin e tij për drejtimin e PD, zoti Basha ka paralajmëruar një aksion të gjerë opozitar që do të shtrihet nga çdo cep i vendit dhe do të mbledhë çdo individ i cili që sot ka kuptuar se premtimet e mazhorancës së re nuk do të realizohen kurrë.  Krahas kësaj, Partia Demokratike sipas Bashës duhet të ketë gati platformën e saj, për një Shqipëri të zhvilluar dhe evropiane.
“PD do të garantojë, që edhe ata të mashtruar të 23 qershorit ta kuptojnë koston e mirëbesimit tek “rilindja” e mashtrimit. Ne do të na kenë mbi kokë ditë për ditë, për t’i kujtuar se kanë premtuar 300 mijë vende të reja pune, se kanë premtuar heqjen e taksës për biznesin e vogël, se kanë premtuar shëndetësi falas për çdo shqiptar. Opozita shqiptare nuk mund të mjaftohet vetëm me kaq, në kushtet e kësaj mazhorance. Ne duhet të jemi gati sot, t’u paraqesim shqiptarëve platformën tonë, se ne jemi dhe mbetemi e vetmja shpresë e Shqipërisë së zhvilluar evropiane” – deklaroi z. Basha.

Olldashi në Peshkopi: Rama 30 deputetë me precedentë penalë

Kandidati për postin e Kryetarit të PD, Sokol Olldashi udhëtoi drejt Dibrës për të prezantuar platformën e tij për drejtimin e Partisë më të madhe të së Djathtës në vend. Ai pati takime intensive me anëtarë dhe simpatizantë në Peshkopi, Maqellarë, Burrel, Bulqizë dhe në Klos. Nga Peshkopia, Olldashi akuzoi Ramën për politikë destruktive që me konfigurimin e ri në Parlament, rrezikon ta kthejë këtë institucion në një qeli paraburgimi. Olldashi tha se në listën e deputetëve të PS-së, janë 30 deputetë me precedentë penale dhe se koalicioni “Rama-Meta” i 1 prillit, ktheu Partinë e Punës. “Rikthimi në 1 Prill i Edi Ramës dhe Ilir Metës bashkë nuk është gjë tjetër veçse rikthimi i partisë së vjetër. U rikthyen tek partia mëmë dhe ne kemi domosdoshmërisht nevojë që t’i godasim, siç kemi goditur Partinë mëmë në vitet 90. Edi Rama i 24 Qershorit është i njëjti i 22 Qershorit. Është një prototip politik që kur ka qenë në pushtet ka prodhuar korrupsion, abuzivitet, klientelizëm. Është një prototip politik që në 8 vjet si lider i opozitës u pasqyrua të jetë vetëm një politikan destruktiv dhe së fundmi në listën e paraqitur për deputet ka bërë diçka të pa hasur më parë jo vetëm në politikën shqiptare, po kudo: një kriminalizim i skajshëm i forcës politike që drejton. Janë 30 njerëz me precedent Brenda listave të Partisë Socialiste dhe jo më Brenda listave, por Brenda Parlamentit të Shqipërisë. Dhe Parlamenti i Shqipërisë nuk është qeli paraburgimi, nuk është vendi ku rrinë horrat dhe kriminelët”- tha ai.
Gjatë bashkëbisedimeve me demokratët në Burrel dhe në Bulqizë, Sokol Olldashi foli për aksionin opozitar të përqendruar në mbrojtjen e administratës dhe mbrojtjen e biznesit nga taksa progresive e Ramës dhe “blloku i shënimeve të Metës”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›