Basha, PS: U manipulua shorti për dosjet
Tiranë- “Shorti për gjykimin e dy dosjeve që janë bërë objekt i debatit publik dhe që lidhen njëra me Lulëzim Bashën dhe tjetra me sekserin serb të Sali Berishës është manipuluar”. Deklaratën e ka bërë kryetari i komisionit të ligjeve pranë PS-së, Ylli Manjani, sipas të cilit kjo është një tjetër provë shumë e rëndë për deformimin e marrëdhënieve mes qeverisë e drejtësisë. Ai i ka bërë apel qeverisë të largojë duart nga drejtësia dhe ta lërë atë të qetë të bëjë punën e saj për të vënë përballë ligjit përgjegjësit.
Gjatë një deklarate për shtyp, Manjani ka theksuar se të dyja këto dosje janë devijuar drejt gjykatësish të lidhur qartë dhe hapur me Partinë Demokratike dhe kjo ka ndodhur në shkelje të plotë të Kodit të Procedurës Penale, të ligjit e të etikës së domosdoshme për çdo lloj gjykimi, e jo më për gjykimin e këtyre dy skandaleve të mëdha me prapavijë të qartë politike e dëme të dukshme ekonomike e morale për qytetarët shqiptarë.
“Në bazë të nenit 278/2 të Kodit të Procedurës Penale, të gjitha veprimet hetimore dhe vlefshmërinë e tyre e shqyrton i njëjti gjyqtar, pra në rastin konkret, gjyqtari i cili gjykoi tre jave më parë kërkesën për pezullimin e afateve lidhur me hetimin e dosjes penale të Lulëzim Bashës duhet të shqyrtonte edhe kërkesën e të pandehurit Lulëzim Basha”- tha Manjani, duke sqaruar se kjo nuk ndodhi dhe përmes kancelarit të kontrolluar politikisht nga Ministria e Drejtësisë dhe në kundërshtim flagrant me kërkesat e procedurës penale, u hodh një short i paligjshëm që e çoi ministrin e Partisë Demokratike në duart e një gjykatësi të lidhur qartë dhe hapur me Partinë Demokratike.
Ai ka treguar më tej se nga ana tjetër u morr një gjyqtar i seksionit të të miturve, por i lidhur qartë dhe hapur me Partinë Demokratike për të gjykuar dosjen e Damir Fazlliçit, i cili siç e dinë të gjithë, nuk është aspak i mitur, por përkundrazi një i rritur që ka probleme madhore me ligjin e që është kthyer në një problem madhor për Sali Berishën.
“Duke nënvizuar se kur sistemi i drejtësisë shqiptare merret me ministrat, trajtimi i çështjeve të lidhura me ta është gjykuar gjithnjë vetëm nga Gjykata e Lartë, në bazë të kërkesës së Kushtetutës, por edhe të praktikës së Gjykatës së Tiranës, ne e denoncojmë publikisht këtë farsë politike dhe i bëjmë apel qeverisë të largojë duart nga drejtësia, sepse asnjë gjykim i cenuar ligjërisht e moralisht nuk mund ta shpëtojë nga drejtësia as ministrin e pandehur dhe as sekserin serb të Sali Berishës”- përfundoi ai.