E Diel, 1 Nëntor 2026

Tru dhe muskuj femra në karrierrë

Tri femra rrëfejnë karrierën e tyre, raportet me meshkujt, vështirësitë për të ecur para në jetë. Në luftë me mentalitetin maskilist, Suzana, Albana dhe Sherjana, dëftejnë, pse kanë zgjedhur të jenë "të forta" Në fillimet e punës, të gjithë e shikonin me sy të sh trembër. "Femër". "O Zot, kjo do na drejtojë ne". Një pjesë e meshkujve në rep art e përçmonin. Një pjesë tjetër, në mos kryenin një gjest të tillë, ishin shpërfillës. E kishin të vështirë të viheshin në rresht nga një grua që, me gjithë kambale, nuk peshonte më shumë se dy thasë çimento të marrë së bashku. Kur kujton sot ditët e para në punë, Suzana Jahollari, nënkolonele në detyrë, vë buzën në gaz. Shefe e rekrutimit të ushtarëve në Akademinë e Mbrojtjes "Skënderbej", 51- vjeçarja ka nën urdhra, jo pak, por 12 burra të nderuar me yje mbi supe. Nënë e dy fëmijëve të rritur, Suzana thotë se për të ardhur deri në këtë ditë, i është dashur të stërvitet 10 herë më shumë se burrat e tjerë kolegë në ushtri. Edhe sot nuk është se nuk ka ndryshuar shumë opinioni mbi femrat ushtarake, apo që tentojnë të ushtrojnë zanate më pak të fortë për muskujt e tyre të brishtë. Suzana e ndesh këtë formë të ndryshkur të mentalitetit edhe në takimet e shpeshta që ka me vartës të saj gjatë shërbimeve në rrethe. "Është e vështirë sa nuk ka më. Duam apo jo, ne, flas për femrat, jemi të paragjykuara. Meshkujt na shikojnë si të pazonjat për të plotësuar standardet dhe kërkesat që kërkon një vend pune. Për këtë arsye, edhe kur diçka e dëshirojmë, ne na duhet të luftojmë të bëjmë kualifikime më shumë se ata, për të arritur një objektiv të caktuar". Problemet për gratë në karrierë, nuk është se mbyllen në punë. Jo rrallëherë opinioni publik ndikon drejtpërdrejt edhe në gjirin familjar. Përplasjet burrë-grua, janë gati të pashmangshme. Suzana e ka kaluar vetë mbi shpatulla këtë situatë. "Më është dashur të udhëtoj shpeshherë jashtë vendit, e shoqëruar nga kolegë. Ky ka qenë padyshim një moment i vështirë. Për këtë më është nevojitur të komunikoj jashtë mase me bashkëshortin, ta bind se në këtë mes nuk ka asgjë të keqe". Disi më ndryshe, por pa iu shmangur dot paragjykimeve, është edhe historia e 22-vjeçares, Albana Strori. Trupvogël në shtat, me pamje të imët, askush nuk e beson se vajza, trupi i së cilës humbet nën rrobat jeshile, nuk ka lënë mal pa rrahur duke u stërvitur. Për nga forca që e karakterizon, do ta kishte zili edhe një mashkull. Albana ka të paktën 4 vite që stërvitet fort. Aktualisht ndjek kursin bazë të oficerëve. Ky vit mund të quhet i suksesshëm në karrierë për 22-vjeçaren. Është graduar nëntogere, ndërkohë që është emëruar Komandante e Togës Mbështetëse në Ndërlidhjen e Tufinës. Nëse nuk do kishte përkrahjen e babait dhe të xhaxhait, karrieristë të suksesshëm në forcat e mbrojtjes, Albana do të ishte dorëzuar shumë shpejt në misionin e ndërmarrë. "Në stërvitjen e parë, isha në Bunavi të Vlorës, e rreshtuar në krah të 115 meshkujve. Në fakt, nuk isha femra e vetme, pasi kisha edhe 20 kolege". Por, sidoqoftë, për Albanën nuk ishte shumë e vështirë të kuptonte se, tani e tutje, asgjë nuk do të ishte aspak e lehtë. Kjo ishte sprova e parë, pasi e dyta, në Zall Herr, nuk do t'i shqitet sa të jetë gjallë nga mendja. Ishin 6 javë ferri, më keq se ato që ka përjetuar Demi More në filmin "Ushtari Jane", me regji të Ridley Scott. "E kam parë veten keq në Zall Herr, në vitin e dytë të studimeve në Akademi, kur për 6 javë ndoqëm një kurs intensiv fizik, të quajtur "Luftëtari i çeliktë", nën kujdesin e oficerëve amerikanë. Në numrin e parë stërvitor, kishim hedhjen 45 metra me litarë nga kulla, më pas marshim për 12 orë në shi e në diell, me çantën në kurriz, pa e lëshuar për asnjë çast". Por, në fund, Albana dhe shoqet e saj ia dolën mbanë, po aq mirë sa edhe kolegët e tjerë meshkuj, madje duke treguar në aspektin fizik përgatitje më të lartë edhe se vetë ata. Forca që tregojnë këto gra është e habitshme. Dinë të jenë sa të buta, aq edhe të egra, kur vjen puna për të mbrojtur identitetin e tyre. Sherjana Ruçi është 15 vjeç. Ajo ndjek vitin e dytë në gjimnazin "Eqrem Çabej", dhe është tre herë kampione e Europës për të rinj në peshëngritje. Sherjana është nga ato vajza që nuk ta bën shumë gjatë. E kanë frikë, si vajzat, ashtu edhe djemtë që nuk lënë rast pa e ngacmuar. Në ushtrimin e forcës, adoleshentja nuk bën dallim as me profesorët, të cilët e kanë të vështirë ta mbajnë nën zgjedhë. Njëri prej tyre, vetëm se guxoi ta urdhëronte të rrinte me një këmbë para klase, e pësoi paq, duke ngrënë një goxha kosh me mbeturina kokës. Sherjana thotë se mësuesi e ofendoi dhe nuk ndjen pendesë për gjestin e kryer. Në kalendarin e vajzës, nuk ka ditë që të mos shënohen me të kuqe sherret që kryen. Dhe nuk janë sherre dosido. Grushte dhe shkelma, por si një mashkull haram i vërtetë. Për shkak të statusit të paprekshëm që gëzon, Sherjana e shikon si detyrim ta vendosë klasën në lëvizje, qoftë me fjalë, apo edhe me veprime. Një natë, madje, ka fjetur në komisariat. Gjatë një grindjeje me vëllanë e shoqes, nxjerr biçakun nga çanta dhe ia ngul në kofshë, duke detyruar Policinë e Shtetit të nisë kërkimet. Në moshën 10-vjeçare, Sherjana kujton se e mbante kokën të qethur tullë, ndërsa në qafë varte llastiqe. Me gjithë karakterin e vështirë që e karakterizon, sërish shokët dhe mësuesit e duan, madje këta të fundit i bëjnë goxha tolerime kur vjen puna për ushtrimin e sportit të saj të preferuar të peshëngritjes. Padyshim që kjo është ndihmë shumë e madhe, paçka se ndonjëherë e tepron me sjelljen jo të hijshme. Tip dhe moskokëçarëse nga kjo anë, adoleshentja vazhdon t'i qëndrojë fort idesë se e ardhmja e saj do të ketë të bëjë vetëm me sportin. Ajo, sikurse ka zgjedhur Suzana apo edhe Albana, nuk do të jetë nën kambalen e meshkujve. Për këto femra është më mirë kështu, sesa të rrinë të presin nga meshkujt dhurata si, pavarësia individuale, që nuk do t'i kenë kurrë. Të FamshmeMARGARET THATCHER Margaret Thatcher e quajtur "Zonja e hekurt", është bërë e famshme për shkak të mënyrës së saj të qeverisjes dhe karakterit inatçor prej gruaje të vendosur. Ajo ka mbajtur postin e Kryeministres së parë grua në Britaninë e Madhe, nga viti 1979 deri më 1990. U spikat në këtë vend prej politikës ekonomike dhe sociale tepër të disiplinuar. Padyshim, Margaret është nga ato gra, që shumë politikane në shtetet e tjera të botës janë munduar ta marrin shembull. HILLARY KLINTON Për Hillary Klinton-in, ngjitja e shkallëve të karrierës, nuk ka qenë e rastësishme. Një femër ambicioze dhe me traditë të hershme në qeverisjen e vendit nga bashkëshorti i saj, këto kohë ajo është gruaja me emrin më të përfolur në Amerikë. Dy muaj më parë, pretendente kryesore për postin e Presidentes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, së fundi ajo është zgjedhur sekretare e shtetit e Amerikës, duke u kthyer në krahun e djathtë të ish-rivalit, Barack Obama. ANGELA MERKEL Angela Merkel, Kancelarja gjermane, një nga gratë më të pushtetshme, jo vetëm të këtij vendi, por edhe të botës, ka lindur më 17 korrik 1954, në Hamburg të Gjermanisë. Është politikane gjermane, Bundeskancelare e Gjermanisë. Merkel, një grua që ka qeverisur me vite të tëra, ka mbuluar për 8 vite rresht postin e ministres - fillimisht për Çështjet e Gruas dhe më pas të Mjedisit. Sipas një sondazhi të përvitshëm nga revista "Forbes".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›