E Diel, 1 Nëntor 2026

"Kush tha se vetëm femrat shkojnë me shefat"

Intervista Nëse e kërkoni barazinë nga burrat, bëni mirë të heshtni". Sociologia, Nora Malaj, shikon vetëm një rrugë për të ulur barrierat ndarëse midis gjinive; luftë pa kompromis për të dalë mbi krye dhe për të ecur përpara. Në një intervistë të dhënë për gazetën "Shekulli", zonja Malaj, thotë se shoqëria ka nevojë për natyrën zbutëse të femrës, e për këtë arsye ka vend për rishikimin e balancave dhe dhënien e vendit të merituar, aty ku i takon në të vërtetë të jetë Zonja Malaj, sa e përfaqësuar është gruaja në shoqërinë shqiptare? Pyetja është sa intriguese aq edhe e përgjithshme. Po të shohim numrin e popullatës, vërejmë se gruaja është gati në raport një me një me meshkujt. Për sa i përket sistemit arsimor, vajzat dhe gratë, në përgjithësi, shquhen si nxënëse dhe studente shumë të mira. Nga statistikat që ka nxjerr INSTAT-i, tregon se në rezultatet e përvitshme vajzat janë shumë mirë të arsimuara, madje edhe në tendencën për të bërë studime të thelluara më vonë. Lidhur mbi prezencën e gruas në administratë, edhe në bazë të raporteve të fundit, vërehet që Shqipëria është renditur në 20 vendet e fundit, për sa i përket këtij përfaqësimi. Po kështu në politikë, për sa i përket raportit të përfaqësimit, deri më tani nuk kemi asnjë grua kryetare partie. Edhe një tendencë që pati në zgjedhjet e 2005-s nga zonja Brixhida Kokëdhima, ishte një eksperiencë që theu një tabu, por që ngeli në kuadrin e vlerësimit, por jo të votimit. Pra, ishte një parti e parë me një kah pozitiv, por që nuk arriti të japë një rezultat optimal për të qenë një zë i fuqishëm në Parlamentin shqiptar. Kjo tregon që rezultati i shfaqur i prezencës së grave në Parlament, lë shumë për të dëshiruar, për sa i përket numrit të përfaqësimit të saj dhe përkatësisë gjinore. Nëse do të flasim për prezencën e gruas në sektorë të tjerë, siç është ai i biznesit apo i arsimit, patjetër që mund të themi se në arsim, përfaqësimi i grave është më i madh, në krahasim me meshkujt, por në pozicionin drejtues e kemi më të vogël. "Gruaja forcë e madhe", është vetëm një thënie, apo është realisht "forcë e madhe"? "Gruaja forcë e madhe", ka ardhur si rezultat i një koncepti të mbartur nga sistemi i para viteve '90 dhe u mendua që forcë e madhe ishte në emër të eman- cipimit të gruas. Mund të quhet forcë e madhe, kur ajo realisht është pjesë aktive e zgjidhjes së problemeve. Nëse do flasim për sa i përket sjelljes së jetës njerëzore dhe edukimit të saj, sigurisht që është forcë e madhe. Është një faktor shumë determinues në zhvillimin e modelit ose sinkronizimit të modelit të një fëmije, ose të ndihmesës së tij për të ardhur në jetë dhe për të kaluar fazat e para të jetës. Në Shqipëri gruas i është dhënë vota në emër të një lloj kompensimi, në emër të një lloj marrëveshjeje të fshehtë, për të treguar emancipimin. Por, këto duke mos qenë gjëra të fituara, si të jepen, ashtu edhe të merren, ndërkohë, i është dhënë një lloj hapësire, por pa i dhënë përgjegjësinë, pa e parë atë si partnere, në atë që quhet garë e zgjedhjes së vendit të pozi cionit të postit. Duke ditur se ajo është paragjykuar, rishtazi mbetet në kuadrin e individit që, me këtë përkatësi gjinore, e ka shumë të vështirë të çajë, pasi hapësirat janë shumë të vështira për t'u kaluar, pra është një vrapim me shumë pengesa. Këto pengesa shfaqen që në momentin e parë, kur vajza bëhet 13-14 vjeçe dhe prindërit në zonat e thella detyrohen t'i heqin nga shkolla dhe ngelen me një nivel arsimor disi të paarsimuar. Pastaj, kur vijmë në atë fazën kur gruaja riprodhon racën njerëzore, atëherë ajo detyrimisht, në mënyrë të vullnetshme, e mbyll karrierën e saj për t'iu dedikuar diçkaje tjetër. Cili është ndikimi i grave në pozitë për ndryshimin e mendësisë mbi gruan? Realisht do ta shihja pak me skepticizëm forcën për të ndryshuar mentalitetin, pasi që të ndryshosh mentalitetin, duhet të kesh disa modele dha ato duhet të vijnë të përshkallëzuara, shkallë-shkallë. Jo modele të stisura. Është e vështirë për të ndryshuar këtë mentalitet, kjo sepse në Shqipëri janë krijuar disa mentalitete gjinore. Ca profesione janë ndarë në punë burrash dhe ca në punë grash. Po të shikosh në frontin e punës, shpeshherë, disa punë etiketohen si të meshkujve dhe jo të femrave dhe është e vështirë të thyesh mentalitetin e tyre. Shpeshherë ne harrojmë se emancipimi i një shoqërie fillon te emancipimi i vetë gruas. Mendoni se është mposhtur mentaliteti: "Ajo është në detyrë, sepse ka shkuar me shefin"? Jo vetëm vajzat shkojnë me shefin, por edhe djemtë. Nëse në një raport pune lind miqësi, lind dhe një ndjenjë; askush nuk mund të thotë ndryshe. Absolutisht nuk mund të mendohet që karriera e një individi, gjithmonë flasim kur e meriton, sepse ka dhe raste kur ka abuzime dhe këto çojnë në këto konkluzione, kurrsesi nuk duhet parë, sidomos për një grua, se kjo karrierë kalon nga krevati. Do ishte fyerja më e madhe për një person, që të shkonte në krevatin e një personi, për t'u rritur në detyrë. Ne këtu kemi koncept të gabuar midis miqësisë, midis raporteve institucionale, midis raporteve të punës. Në momentin kur ti punon me dikë, i cili ka nivel intelektual që t'i je shumë pranë, atëherë normalisht t'i e pëlqen atë, jo për të shkuar në krevat, e pëlqen sepse ke një marrëdhënie pune dhe normalisht, të rrish 8 orë me dikë, është normale, se t'i nuk mund të rrish me dikë që nuk të pëlqen. Në qoftë se një shef ka një këshilltare, ka një ndihmëse, është normale që këta njerëz kanë ca pika të përbashkëta, se ndryshe nuk do ta duronin dot njëritjetrin. Kurrsesi nuk mund të themi që nuk mund të ekzistojë miqësia, por absolutisht nuk ka njeri të drejtë të thotë se kjo shoqëri dhe miqësi kalon nga krevati. Nëse kalon nga krevati, atëherë është raport personal i atyre që kanë bërë zgjedhjen dhe për to askush nuk ka të drejtë të bëjë paragjykime. Jemi ne në rrugë të mbarë për të ndryshuar mentalitetin për gruan? Sigurisht që jemi, sepse jemi pjesë e zhvillimit dhe, duam apo nuk duam, me forcë apo pa forcë, duhet ta bëjmë këtë lloj zhvillimi. Nëse duam që shoqëria të zhvillohet, pjesa avangarde duhet të jetë gruaja. Gratë duhet të marrin një detyrë; atë të zgjidhjes së alternativës. Burri ka vështrim gjuetari, tuneli, pra ka një mendim dhe e ka drejtimin bardh e zi. Kurse gruaja ka vështrim piramide dhe jep disa alternativa për zgjidhjen dhe kjo quhet zbutje e situatës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›