E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: PS s’ka alternativë

Elbasan -Një pritje madhështore i kanë rezervuar banorët e Cërrikut Ministrit të Jashtëm Lulzim Basha, i cili kryeson edhe listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike në qarkun e Elbasanit. Basha në këtë takim, edhe në funksionin e tij si ministër i Jashtëm, ka përsëritur premtimin për banorët e Cërrikut dhe gjithë Shqipërisë që, në 6-mujorin e parë të vitit 2010, shqiptarët do të lëvizin pa viza në hapësirën Shengen. Cërriku, - tha ministri Basha - nuk mund të trajtohet më si pronë e askujt, siç kanë bërë socialistët në 8 vjet, duke e lënë atë në varfëri dhe mjerim. Cërriku është pjesë e ndryshimit të gjithë Shqipërisë të cilin e mundësoi Partia Demokratike dhe për këtë arsye ka ftuar edhe socialistet t’i bashkohen projektit europian të Partisë Demokratike

“Për herë të parë në historinë e saj, Partia Socialiste ndodhet pa alternativë para zgjedhësve prandaj, dëshiroj këtu, nga ky shesh i tejmbushur i fitores së Partisë Demokratike t’ju bëj thirrje vëllezërve dhe motrave socialiste, të cilët të zhgënjyer dhe të braktisur nga udhëheqësi aktual i Partisë Socialiste i kërkoj që: Vëllezër dhe motra, ejani dhe ju me ne. Shqipëria Europiane është projekti i të gjithëve ne. Ejani me ne, pasi në qershor të vitit 2010 do t’i heqim vizat për çdo shqiptar të majtë dhe të djathtë. Votoni vetëm numrin 10, pasi rrugët kombëtare, urbane dhe interurbane do t’i shtrojmë ne, do të udhëtojmë të gjithë pavarësisht bindjeve politike. Ejani me ne, se ujë 24 orë në çdo familje shqiptare është premtimi ynë për të gjithë shqiptarët, pavarësisht bindjeve politike.
Ejani dhe ju votoni numrin 10. Është projekti europian, është ëndrra e çdo shqiptari.”-theksoi ministri Basha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›