E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha Pas 8 Majit fund praktikave abuzive me pronen private

Kandidati për kryetar bashkie në Tiranë, Lulzim Basha, ka garantuar banorët e Tiranës se pas 8 Majit do t’i jepet fund praktikave abuzive me pronën private dhe se brenda 6 muajve të parë do të bëhet hipotekimi i apartamenteve që ende nuk kanë certifikatë pronësie.

Banorët e njësisë bashkiake numër 7, shprehen shqetësimin për prishjen e ndërtimeve të tyre nga Bashkia dhe për ndërtimin e rrugëve pa i njoftuar, pa plan dhe pa dëmshpërblim për pronën e tyre.

“Na kanë prishur muret pa shpronësim pa leje pa gjë fare. Absolutisht pa gjë fare. Vetëm për fushatë po bëhet kjo. Asgjë, as për ujërat e bardha, as ujërat e zeza, as ujët e pijshëm, këtu është kot”, i tha Bashës një banor.

“Do ta fillojmë me një marrëdhënie të re ku qytetarët dhe Bashkia të jenë në kontakt të vazhdueshëm dhe të marrin vendimet me konsensus.

Për çdo gjë që bëhet për lagjet tona, çdo gjë që ka lidhje me shtëpitë tona, ju do të dini në radhë të parë se çfarë projektesh ka.

Së dyti, do keni mundësi të bashkëvendosni me njësitë bashkiake dhe bashkinë për këto projekte.

Çdo centimetër katror i pronës tuaj do respektohet”, u shpreh Basha.

Një tjetër banor u ankua për faktin se nuk ka hipotekë prej 9 vitesh.

“Leja e shfrytëzimit nga Bashkia do të mbyllet në kohën më të shkurtër. Maksimalisht më 15 nëntor, ju do keni hipotekat”, garantoi Basha.

“Ne kemi shumë nevojë për një mbikalim ose për një nënkalim se këtu ndodhin shumë aksidente”, tha një banore te Pallatet e Arabit.

“Ne do të ndërtojmë të paktën dy nënkalime që të jenë të pandërprera, të jenë të pamundimshme, që të mund të ecin fëmijët, të moshuarit, njerëzit me karroca. Pra do të jetë me standardet optimale dhe e ndriçuar”, siguroi Basha.

Lulzim Basha me platformën e tij për Tiranen, duket se ka zgjuar shpresën e çdo banori, nga fëmijët e deri tek të moshuarit, po mbi të gjithë Lulzim Basha ka zgjuar ëndrrat dhe shpresat e të rinjve për të ndërtuar të ardhmen e tyre në Tiranë.

Kjo vihet re në çdo takim që Lulzim Basha zhvillon në lagje, në rrugë, në lokale apo duke u bërë pjesë e festave rinore.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›