E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Pas kaluarit të gjatë, tashmë për shqiptarët kanë ardhur ditët e sigurisë

18-12-2010 / Gazeta 55

Përfundon udhëtimi simbolik pa viza i 50 shtetasve shqiptarë. Drejtues të BE-së, vlerësojnë arritjet e qeverisë dhe shprehen se integrimi i plotë i vendit në Perëndim tashmë është shumë i afërt

50 qytetarë, pjesa më e madhe studentë, udhëtuan për herë të parë në kushtet e lëvizjes së lirë për shqiptarët në zonën “Shengen” në datat 15-16 dhjetor 2010.
Së bashku me Ministrin e Brendshëm Lulzim Basha, qytetarët vizituan së pari selinë e Komisionit Europian.
Takimi i parë u zhvillua me Drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit Pierre Mirel, Shefin e Njësisë për Marrëdhëniet me Jashtë në Komisionin për Çështjet e Brendshme, Luigi Soreca dhe përfaqësuesin e presidencës belge të BE, Melcior Wathelet.
“Kemi vendosur në mënyrë të njëzëshme për liberalizimin e vizave dhe kjo është një provë e mirëbesimit që Europa ka për Shqipërinë. Shfrytëzojeni në mënyrën më të mirë këtë liri lëvizjeje që të dëshmoni se ne kishim të drejtë që dhamë mirëbesimin për Shqipërinë, që vendosëm komunikim më të mirë mes Shqipërisë dhe Europës, pasi kjo është në interes të të dyja palëve”, u shpreh Pierre Mirel gjatë takimit.
Duke shprehur falënderimin për mbështetjen që institucionet e Bashkimit Europian i dhanë procesit, Ministri i Brendshëm Lulzim Basha theksoi se me lëvizjen e lirë dimensioni i risiguruar europian i shqiptarëve do të sjellë një kontribut pozitiv të kombit shqiptar për Europën.
“Kemi kaluar një rrugë të gjatë, të vështirë e me pengesa, por tani ndjehemi të sigurt për të tashmen dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë. Me lëvizjen e lirë pa pengesa në pjesën tjetër të Europës, ne do të sjellim përvojat, vlerat tona si harmonia fetare, toleranca dhe gatishmëria për të dhënë kontributin tonë për një Europë Juglindore stabël brenda Bashkimit Europian”, deklaroi Ministri Basha.
Në një nga sallat e punimeve të parlamentarëve europianë në Bruksel, u zhvillua edhe një video-konferencë ku u mundësua një lidhje e drejtpërdrejtë me Strasburgun.
Vizitorët nga Shqipëria komunikuan në këtë mënyrë me Komisionerin për Zgjerimin të Bashkimit Europian Stefan Fule, Presidentin e Parlamentit Europian Jerzy Buzek, Kryetarin e Delegacionit për Ballkanin në Parlamentin Europian Eduard Kukan dhe eurodeputetet Doris Pack e Tanja Fajon.
Data 16 Dhjetor nisi me një takim të posaçëm me Komisioneren për Çështjet e Brendshme të Bashkimit Europian, Cecilia Malmstrom.
“Lëvizja e lirë i dedikohet punës së madhe për përmbushjen e detyrimeve të caktuara. Janë kryer reforma të rëndësishme e të vështira për të arritur deri këtu”, u shpreh Komisionerja Malmstrom duke vlerësuar në veçanti punën e administratës shqiptare në këtë drejtim.
Pasi vuri në dukje se udhëtimi me grupin e qytetarëve në kushtet e lëvizjes së lirë ishte një nga udhëtimet më të bukura të tij në Europë, Ministri Basha nënvizoi se mundësia e lëvizjes së lirë rrëzoi edhe murin që ndante familjet shqiptare.
“Kjo vizitë është konkretizim i marrëdhënieve të reja mes Shqipërisë dhe BE. Puna për të arritur deri këtu ka qenë e jashtëzakonshme, por pa mbështetjen tuaj do të ishte edhe më e vështirë. Jam i lumtur që Komisioni dhe Bashkimi Europian mundësuan një gjë të tillë. Për shqiptarët ky ishte një vendim kuptimplotë pasi muri i Shengenit nuk kishte ndarë thjesht Shqipërinë nga Europa, por kishte ekzistuar edhe brenda familjeve tona për shkak të largimit të një numri të madh shqiptarësh për të punuar e jetuar në vendet e BE”, tha Ministri Basha.
Udhëtimi i 50 qytetarëve shqiptarë vijoi në Romë ku u pritën në takim nga Ministri i Jashtëm i Italisë Franco Frattini, një nga personalitetet më të rëndësishëm të Bashkimit Europian që ka mbështetur fuqimisht liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë.
Duke vlerësuar reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për realizimin e detyrimeve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, Ministri Fratini theksoi se kjo arritje e afron edhe më shumë Shqipërinë me Bashkimin Europian.
“Lëvizja e lirë nuk erdhi si dhuratë por si rezultat i reformave të ndërmarra nga Shqipëria për të përmbushur kriteret e përcaktuara nga Bashkimi Europian. Lëvizja e lirë është një hap shumë i rëndësishëm i Shqipërisë për integrimin e mëtejshëm në strukturat europiane. Hapi tjetër, që shpresoj ta arrijmë shpejt vitin e ardhshëm, është marrja e statusit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian”, deklaroi Frattini.
Duke shprehur falënderimin për mbështetjen që Ministri Frattini ka dhënë për lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë, Ministri Basha theksoi vullnetin e qeverisë shqiptare për të ndërmarrë çdo masë të nevojshme kundër abuzimeve të mundshme. “Për ne si autoritete shqiptare është një detyrim madhor që këtë liri të lëvizjes dhe të drejtë të mohuar që na u dha, ta mbrojmë me çdo kusht nga abuzimet, që Europa dhe qytetarët e saj të mbeten të sigurt”, tha Basha.
Në Ministrinë e Jashtme të Italisë, vizitorët nga Shqipëria patën mundësinë të shohin nga afër dokumentin origjinal të Traktatit të Romës, në arkivin ku ruhen të gjitha dokumentet kryesore të Bashkimit Europian.
Vizita në muzeun Capitolini, në të cilin gjendet edhe salla ku u nënshkrua Traktati i Romës, përmbylli udhëtimin e parë pa viza në zonën Shengen të 50 qytetarëve shqiptarë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›