E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Pasaporta biometrike investim për të lëvizur pa viza

Ministri i Brendshëm Basha është shprehur me nota pozitive lidhur me standartet e arritura mbi procesin e pajisjes së shqiptarëve me pasaporta biometrike. Deklarata e Ministrit të Brendshëm, ka ardhur pas inspektimit të bërë në qendrën ALEAT. 

TIRANË -Ministri Basha dhe Drejtuesi i Fondit Shqiptaro-Amerikan, z. Granof inspektuan qendrën e prodhimit të letërnjoftimeve elektronike dhe pasaportave biometrike në Tiranë, nga e cila Basha, u bëri thirrjeqytetarëve shqiptarë që nuk kanë aplikuar për pasaportën biometrike që t’i nënshtrohen sa më shpejt këtij procesi, pasi siç u shpreh ai, “investimi për një pasaportë biometrike është investimi më i sigurtë për lëvizjen pa viza në vendet e BE-së”. Kjo qendër është një sipërmarrje e krijuar nga bashkëpunimi i Sagem Securite (SAFRAN Group) dhe Fondi Shqiptaro- Amerikan për Zhvillim, i krijuar nëpërmjet marrëveshjes 5-vjeçare koncesionare nga qeveria shqiptare në korrik të vitit 2008. Ministri Basha vlerësoi punën e koncesionarit, bashkëpunimin e firmës kontraktuese "Sagem" dhe Fondit Amerikan për Zhvillim, bashkëpunim që, sipas tij, do të shtrihet edhe në fusha të tjera. “Ministria e Brendshme po shikon mundësinë e shtrirjes së këtij bashkëpunimi edhe në ato vende ku ka një numër të madh shqiptarësh, të cilët duhet të pajisen me pasaportat e reja biometrike, si Greqia dhe Italia, e në perspektivë për t’u shtrirë edhe në vende të tjera, ku ka qytetarë shqiptarë”, informoi Basha. Ai informoi se së shpejti Komisioni Europian do të dërgojë ekspertë në Shqipëri për të parë nga afër procesin e pajisjes së qytetarëve me pasaporta të reja biometrike. Nga të dhënat e fundit, rezulton se të paktën 220 mijë shtetas shqiptarë kanë aplikuar deri tani për pasaportë biometrike.
(m.a/BalkanWeb) 



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›