E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Vala e protestës do ta bllokojë qeverinë

 

Aristir Lumezi

Rama tha dje se protesta e ardhshme e opozitës do të jetë më 5 dhjetor, bashkë me bashkiakët socialistë. “Ashtu siç e përmenda që dhe në shpjegimin publik të bërë dje pas 10 ditësh, nëse Berisha nuk hap kutitë, pashmangshmërisht hyjmë në një fazë të re. Mos-hapja e kutive bëhet një arsye e kuptueshme për popullin të kërkojë rrëzimin e qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme. Gjithmonë ka kohë për të reflektuar”, u shpreh Rama. Kreu socialist, i ftuar mbrëmë në emisionin “Antinomi” me gazetarin e njohur, Mentor Nazarko në TV Koha, hodhi poshtë si komente mediatike ashpërsimin deri në dhunë të protestave të opozitës.
I pyetur rreth kuptimit të “mosbindjes civile”, Rama tha se asnjëherë nuk është artikuluar një gjë e tillë. “Mendoj se ka një keqkuptim nga ana e medias, duke krijuar një perceptim për një përplasje finale fizike mes pushtetit dhe popullit. Unë mendoj se kjo përplasje nuk do jetë e ngjashme me ato përplasje të shëmtuara dhe aspak demokratike, me të cilat Berisha në opozitë e ka formësuar përfytyrimin e njerëzve. Kjo do të jetë një përplasje e fortë me norma demokratike dhe e ngjashme me ato vende ku populli nuk ka pranuar të nënshtrohet me regjimin uzurpator dhe ka reaguar”, u shpreh Rama. Sipas tij, “kjo është një protestë qytetare, ku çdo qytetar do të marrë pjesë, mund të marrë pjesë dhe pa qenë i detyruar që të ushtrojë dhunë. Kjo do të jetë një lëvizje popullore në të gjithë vendin, që do të çojë në bllokimin e qeverisë. Unë dëshiroj që të gjithë bashkë të shohim rezultatin real të zgjedhjeve”. Kreu socialist bëri thirrje që populli të ngrihet dhe të mbrojë të drejtat e tij, por siç vuri në dukje kryesocialisti, kjo duhet bërë paqësisht. “Është koha për të mbrojtur dinjitetin dhe për të rrojtur liritë dhe të drejtat. Një lëvizje popullore demokratike nuk ka të bëjë, as me dhunën, as me format e degraduara të revoltës qytetare. Është një lëvizje që ka të bëjë me aspiratat që i mëshiron me protestat që shprehin më së miri krizën morale të qeverisjes dhe njëkohësisht nevojën kombëtare për zgjidhjen e kësaj krize”.
Por, sipas Ramës, Lëvizja e re nuk do të ndalet deri në arritjen e qëllimit. “Lëvizja e re popullore për lirinë e votës, për drejtësinë e zgjedhjeve për çlirimi e shoqërisë shqiptare nga zgjedha që prodhojnë zgjedhjet e deformuara forcërisht është një lëvizje që nuk do të ndalet. Në rast se në këto 10 ditë nuk do të ketë asnjë reflektim dhe në rast se hapja e kutive do të shihet si një ogur i zi, pa asnjë dyshim mos-hapja e tyre do të jetë ogurzezë për fatin e këtyre institucioneve të marra peng”. Kreu socialist u shpreh i vendosur se nuk do të lejojë deputetët të shkelin në Parlament. Rama theksoi dhe njëherë kërkesat e opozitës. “Opozita nuk do të hyjë në parlament derisa parlamenti të vendoset në themelin e legjitimitetit që ka gur themeli zgjedhjet. Ne i kemi thënë Sali Berishës dhe shumicës së sotme, që qeveris me vota të grabitura, të hetojë zgjedhjet e shkuara, të hetojë votat në kutitë, duke hetuar procesin e numërimit, listat e zgjedhësve dhe duke hetuar gjithë oponentët e tjerë në mënyrë që pa shpërndarë mandatet të vendosë që zgjedhjet e tjera të mos jenë si këto që lamë pas”, tha Rama gjatë konferencës për shtyp.
Rama i dha përgjigje dhe akuzave të Ministrit të Transportit për shitjen e pronës shtetërore nga ana e tij. “Kryetari i bashkisë nuk shet asnjë pronë, nuk e gëzon këtë të drejtë dhe nuk e ushtron këtë të drejtë. Ky zotëri de facto është i pandehur, de jure duhet të jetë i pandehur. Prokuroria nuk ka vepruar dhe unë uroj që të veprojë”, u shpreh Rama.

Policia, kallëzim për nxitje të turmave Klosit
Policia e Shtetit ka kallëzuar penalisht në Prokurorinë e Tiranës, ish-kreun e Shërbimit Informativ, Fatos Klosin, me akuzën e shpifjes dhe nxitje të turmave gjatë tubimeve. Klosit i duhet të japë shpjegime në prokurori, për akuzat që hodhi në drejtim të Policisë së Shtetit, ku shprehej se policia po përgjonte telefonatat e deputetëve dhe të qytetarëve. Një deklaratë e tillë e Fatos Klosit erdhi tri ditë më parë, gjatë protestës së organizuar nga Partia Socialiste më 20, 21 dhe 22 nëntor, që sipas tij policia nëpërmjet një mjeti të vendosur brenda rrethimit të Kryeministrisë, ka përgjuar telefonatat e deputetëve dhe qytetarëve gjatë protestës. Ndërsa Fatos Klosi, i kontaktuar nga gazeta “Panorama”, shprehet se nuk ka ende dijeni për kallëzimin, por gjithsesi sipas tij nëse ajo që tha do të ishte shpifje, përse makina e përgjimit u largua nga kryeministria. Policia sqaroi më tej se, pajisja të cilës i referohet Klosi është blerë nga ish-drejtuesi i Gardës së Republikës dhe sot deputeti aktual i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Arben Çuko.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›