E Diel, 1 Nëntor 2026

Ilir Meta: Alibia e kutive, për të marrë pushtetin me forcë

 

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta e cilësoi protestën e opozitës si festa e Pezës, ndërsa shprehu keqardhje për rrugën radikale që ka marrë PS me këto qëndrime. Sipas tij, alibia për hapjen e kutive është vetëm për të marrë pushtetin me anë të forcës. “Kjo është një histori e mbyllur. Ndërsa alibia e kutive për të justifikuar marrjen e pushtetit me forcë, absolutisht jo vetëm që është e dështuar, jo vetëm që po kthehet në një gjë qesharake, por është edhe e turpshme sepse nuk ka qenë në traditën e PS-së, dhe këtu ndiej dhimbje të thellë, kjo formë rruge dhe ky frymëzim anti-shtet dhe anti-institucion. Këto janë frymëzime anti-evropiane”, u shpreh Meta. Kreu i LSI-së e ka cilësuar protestën e opozitës si festën e Pezës. “Nuk mund të hakmerren këta ndaj qytetarëve, se qytetarët nuk erdhën këtu te “Festa e Darkës së Pezës”, që këtë radhë u bë në Tiranë. Të jeni të sigurt që ne jemi të hapur dhe i ftojmë ata që të mos krijojnë konflikte me ligjin dhe me qytetarët. Kjo është më e rëndësishmja, sepse ata po hyjnë në konflikt me qytetarët, duke filluar që nga qytetarët e Tiranës. Nuk është kjo rruga e një opozite serioze që ka një platformë për t’a integruar vendin në BE më mirë se sa Qeveria aktuale”, u shpreh Meta. Sipas tij, ultimatumi i PS-së nuk është ftesë për dialog. “Qeveria ka qenë dhe është e hapur vazhdimisht, por ultimatumi nuk mund të quhet dialog. Ultimatumi është ultimatum, vihet data dhe më pas konsiderohet i skaduar. Dialogu do të thotë që të shqyrtohet çdo kërkesë e ligjshme, ndërkohë që kërkesa për hapjen e kutive është e paligjshme, është anti-Kushtetuese, dhe këta zotërinj jo se kanë hallin e kutive sepse vetë i kanë numëruar dhe certifikuar ato, por duan një alibi për rrëmuja në këtë vend, kur qytetarët duan qetësi dhe normalitet”, u shpreh kreu i LSI-së. Meta e sheh të pamundur destabilizimin e vendit me anë të protestave të opozitës. “Absolutisht që nuk është i mundshëm. Edhe kjo hakmarrje që këta duan të bëjnë ndaj qytetarëve, meqenëse ata u distancuan nga weekend-protesta e Pezës, sepse kjo ishte festa e Pezës por u bë në Tiranë, dhe tani nuk mund të hakmerren ndaj qytetarëve, duke ndërprerë shërbimet nga pushteti vendor që drejtojnë vetë. Jo vetëm që i hoqën të gjithë punonjësit e bashkive me dhunë dhe me lista për t’i sjellë në protestë ditën e premte, nga e gjithë Shqipëria, por tani janë duke i thënë qytetarëve se meqë ju nuk erdhët në shesh me ne, ne nuk do ju shërbejmë juve”, u shpreh Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›